Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk kanë marrë licencë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të vazhduar me operimet e Industrisë Serbe të Naftës (NIS).
“Kemi pritur për të marrë licencën për të vazhduar operimin në rafinerinë në Pançevë. Nuk kemi marrë vendim pozitiv nga SHBA-ja”, ka thënë Vuçiqi pas mbledhjes me ekipet për stabilitetin me energjinë. “Më duhet të them, jo vetëm që jam i dëshpëruar, por edhe i befasuar sepse nuk e kuptoj”.
Sipas tij, kjo është çështje politike. Ai ka thënë se amerikanëve nuk u intereson asgjë tjetër përpos interesave gjeopolitike. “Tani, Serbia po vuan”, ka shtuar ai.
Vuçiqi ka thënë se NIS-i me ndaljen e funksionimit po humb rreth 370 mijë euro në ditë.
NIS-i është kryesisht në pronësinë e kompanive ruse, ndërsa Serbia ka nën 30 për qind të aksioneve. SHBA-ja e ka sanksionuar NIS-in më 9 tetor si përpjekje për ta penguar Rusinë që si pronare t’i përdorë të ardhurat për luftën në Ukrainë. Sanksionet u shtynë disa herë. Me vendimin për të sanksionuar edhe NIS-in, asaj iu ndal mundësia për të importuar naftë përmes tubacionit nga Kroacia. Për rrjedhojë rafineria në Pançevë fillimisht reduktoi punën e tani është vendosur të mbyllet, sipas paralajmërimit të Vuçiqit ditë më parë.
Rusia ka pranuar t’i shesë pjesët e saj në NIS, por derisa të gjendet blerësi rafineria po pret për leje që t’i lejohen pagesat dhe importi i naftës. Prej shumë vitesh, Serbia varet nga gazi rus prej nga furnizohet për më shumë se 80 për qind për nevojat e saj energjetike. Pavarësisht kësaj, Serbia nuk ka kontratë afatgjatë me Rusinë për furnizim me gaz.