Rajon

Sllovenia ia ndalon hyrjen Dodikut

Milorad Dodik

Qeveria e Sllovenisë ka konfirmuar të enjten vendimin për të vendosur sanksione ndaj presidentit të etnitetit serb të Bosnjës, Milorad Dodik. Vendimi parasheh ndalimin e hyrjes së Dodikut në territorin e Sllovenisë dhe është marrë në bazë të materialit të përgatitur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane sllovene (MZEZ).

Ky propozim ishte shqyrtuar nga qeveria edhe dy javë më parë, por ishte kërkuar plotësimi i dokumentacionit para miratimit përfundimtar, raporton “N1”.

Në arsyet kryesore të sanksioneve, përveç veprimeve të hapura separatiste dhe mosrespektimit të institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës, përfshihet edhe dyshimi se Dodiku dhe familja e tij zotërojnë pasuri të konsiderueshme në Slloveni, të fituara me kapital me prejardhje të dyshimtë.

Sipas burimeve, familja Dodik, përmes të afërmve dhe personave të lidhur, ka të paktën pesë prona në bregdetin slloven, përfshirë një vilë luksoze në Portorozh. Vila është e regjistruar zyrtarisht në emër të Gjorgje Gjuriq, dhëndrit të djalit të Dodikut, Igor, i cili që nga viti i kaluar figuron në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Autoritetet amerikane më herët kishin akuzuar Dodikun se po keqpërdor pozitën e tij për të drejtuar punët qeveritare në rrjetin e kompanive private të kontrolluara prej tij dhe djalit të tij.

Përveç Shteteve të Bashkuara, sanksione ndaj Dodikut dhe rrethit të tij i kanë vendosur edhe Britania e Madhe, Gjermania, Austria, Polonia dhe Lituania. Vendimi i Lubjanës shihet gjithashtu si një sinjal për aktorët e Ballkanit Perëndimor se aktivitetet kriminale nuk mund të “eksportohen” në Slloveni.

Autoritetet e sigurisë në Slloveni prej kohësh kanë paralajmëruar për hyrje të konsiderueshme të kapitalit të dyshimtë nga Republika Srpska dhe rajoni, i cili po investohet në pasuri të paluajtshme dhe kompani brenda vendit. Nuk përjashtohet që lista e sanksioneve të zgjerohet edhe me persona të tjerë nga rrethi i Dodikut apo individë nga rajoni më i gjerë i Ballkanit Perëndimor.