Ministrja e Minierave dhe Energjisë së Serbisë, Dubravka Dedoviq-Handanoviq, ka njoftuar se pronarët rusë kanë pranuar të shesin aksionet në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), që përbëjnë 56.15% të aksioneve.
“Shtetasit rusë kanë rënë dakord të shesin aksionet e tyre në NIS. Po zhvillohen negociata dhe ne jemi shumë të përfshirë dhe të informuar për to. Jemi të interesuar çdo orë për këtë proces, pasi Serbia është aksioner i dytë më i madh me 29.8% dhe është në interesin tonë jetik që NIS të vazhdojë operimin normal dhe të sigurojë stabilitetin energjetik të vendit”, ka thënë Dedoviq-Handanoviq.
Ministrja theksoi gjithashtu arsyen pse ende nuk është bërë publike identiteti i palës së tretë që po negocion blerjen e aksioneve ruse.
“Arsyeja pse nuk kemi dhënë ende emrin e palës së tretë është se këto janë biseda biznesi mes kompanive serioze. Derisa të përfundojnë negociatat ose të përcaktohen detajet kryesore, nuk ka kuptim të flitet publikisht. Nuk ka asgjë të fshehur nga publiku. Kërkesa jonë është e qartë – rafineria duhet të vazhdojë operimin dhe furnizimi i naftës bruto nga JANAF duhet të sigurohet sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shtuar ministrja.
Ajo kujtoi se gjatë 43 ditëve të fundit asnjë pikë nafte nuk arriti në Serbi, por “qytetarët nuk e ndjenë këtë mungesë falë përpjekjeve intensive të qeverisë për të mbajtur furnizimin në vazhdimësi”.
NIS-i ka dorëzuar përmes avokatëve të saj në Shtetet e Bashkuara një kërkesë te qeveria amerikane për zgjatjen e licencës së punës, që mundëson vazhdimin e furnizimit me naftë dhe operimin e rafinerisë.
“Tani po presim vendimin e qeverisë amerikane për këtë kërkesë”, ka thënë ajo.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi kolaps total nëse deri më 13 shkurt nuk përfundon ndryshimi i pronësisë së NIS-it.
SHBA-ja në fillim të muajit tetor të këtij viti, nisën zbatimin e sanksioneve kundër industrisë së naftës serb, NIS. SHBA-ja e vendosi NIS-in në listën e sanksioneve më 10 janar për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të kompanisë ruse, Gazprom Neft, me qëllim të parandalimit të Rusisë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.