Mijëra boshnjakë u mblodhën të premten në një varrezë pranë Srebrenicës për të përkujtuar 30-vjetorin e gjenocidit, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.
Rreth 1,000 viktima ende nuk janë gjetur nga mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e cila vazhdon t’i përndjekë edhe sot, dekada më vonë, 3 milionë banorët e Bosnjë-Hercegovinës.
Në një ceremoni të mbajtur të premten, mbetjet mortore të shtatë viktimave do të varrosen pranë 6,750 personave të tjerë që tashmë prehen aty.
Të mbijetuar, familjarë dhe personalitete ecën përgjatë rreshtave të gurëve të bardhë të varreve. Disa u lutën dhe qanin pranë varreve, ndërsa të tjerë qëndronin pa lëvizur, me kokën të fshehur në duar.
“Ndjej një dhimbje dhe trishtim të thellë për gjithë këta njerëz dhe të rinj”, ka thënë një grua me emrin Sabaheta nga qyteti lindor i Gorazhdes.
Më shumë se 8,000 burra dhe djem (pothuajse të gjithë boshnjakë – myslimanë të Bosnjës) u vranë brenda disa ditësh pas 11 korrikut të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën, e cila supozohej të mbrohej nga trupat paqeruajtëse të OKB-së.
Me mijëra boshnjakë ishin vrarë gjatë tre viteve të mëparshme të luftës, por përmasa dhe shpejtësia e gjenocidit në Srebrenicë e kishte tronditur mbarë botën, duke e shtyrë komunitetin ndërkombëtar të ndërmarrë veprime konkrete për t’i dhënë fund konfliktit.
Gjenerali Ratko Mlladiq, i cili komandoi forcat serbe, u shpall fajtor për gjenocid nga Tribunali për krime lufte në Hagë, së bashku me liderin politik serb Radovan Karaxhiq.
Dy gjykata ndërkombëtare kishin konstatuar se masakra ishte gjenocid, por udhëheqësit serbë në Bosnje dhe Serbi e kundërshtojnë përdorimin e këtij nocioni, numrin e viktimave dhe versionin zyrtar të asaj që ndodhi – duke reflektuar narrativat kundërthënëse të luftërave të Jugosllavisë që vazhdojnë të ushqejnë ndarjet politike dhe të pengojnë përparimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Vitin e kaluar, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 11 Korrikun si ditën ndërkombëtare përkujtimore të gjenocidit të Srebrenicës.
Në shënimin e 30-vjetorit të gjenocidit ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja në detyrë Emilia Rexhepi.
