Rajon

Krimineli Mladiq mbetet në burg, refuzohet kërkesa për lirim të parakohshëm

mladiq

Foto: EPA

Kriminelit të luftës Ratko Mladiq i është refuzuar kërkesa për lirim të parakohshëm. Vendimi u mor nga Mekanizmi Ndërkombëtar Ndihmës për Gjykatat Penale.

Krimineli Mladiq, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës të kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, pati paraqitur kërkesën më 2 qershor këtë vit duke e arsyetuar me një sëmundje të pashërueshme që do t’ia shkurtonte jetën, raportoi Klix.ba.

Në vendimin e Mekanizmit thuhet se megjithëse shëndeti i Mladiqit është përkeqësuar nga mosha dhe sëmundja, gjendja e tij aktualisht është stabile dhe se nuk i përmbush kushtet për përjashtim humanitar që do ta justifikonte lirimin e hershëm të tij.

Krimineli Mladiq u arrestua më 2011 në Serbi dhe më 2017  u dënua para Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndërsa vendimi ndaj tij u konfirmua më 2021. Ai ka qëndruar në njësinë e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Hagë për 14 vjet.