Rajon

Dodiku s’është më president i Republikës Sërpska, gjykata hedh poshtë ankesën e tij

Millorad Dodik

Foto: Associated Press

Divizioni i Apelit i Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës e ka hedhur poshtë ankesën e Milorad Dodikut kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili i hoqi atij mandatin si president i Republikës Srpska, ka konfirmuar për mediat në Bosnjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve atje.

Me këtë vendim, Dodiku zyrtarisht pushon së qeni president i Republikës Sërpska.

E hëna ishte afati prej tre ditësh brenda të cilit Divizioni i Apelit i Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, në përputhje me ligjin, duhej të merrte një vendim mbi ankesën, e cila iu dorëzua të premten.

Tani, sipas nenit 14.3 të Ligjit Zgjedhor të Bosnjë dhe Hercegovinës, duhet të caktohen zgjedhjet e parakohshme, në rastin konkret për Presidentin e Republikës Sërpska të cilat do të mbahen brenda 90 ditëve nga data e përfundimit të mandatit.

“Ne po bëjmë përgatitje për zgjedhje të parakohshme që do të shpallen në përputhje me Ligjin Zgjedhor të BiH. Publiku do të informohet në kohën e duhur për seancën në të cilën KQZ-ja e Bosnjës dhe Hercegovinës do të marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për presidentin e RS-së”, ka thënë për "Avaz" presidentja e KQZ-së së Bosnjës dhe Hercegovinës, Irena Hadžiabdiq.

KQZ-ja e Bosnjë dhe Hercegovinës kishte marrë vendim për t’i hequr mandatin Dodikut, pasi Gjykata e këtij vendi, në fillim të gushtit, tha se ai është dënuar me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike në Bosnjë dhe Hercegovinë, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.

Lexo përditësimet tjera
Milorad Dodik

Dodiku u bën thirrje serbëve ta mbrojnë Republikën Sërpska

Presidenti i entitetit të Republika Sërpska, Milorad Dodik, u ka bërë thirrje të hënën serbëve që...