Evropianët dhe amerikanët kanë dështuar që të gjejnë gjuhën e pajtimit për të zgjedhur pasardhësin e Christian Schmidtit si përfaqësues i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë. Deri në arritjen e marrëveshjes, detyrën do ta ushtrojë zëvendësi Louis J. Crishock, ndërsa synimi mbetet zgjedhja e emrit të ri para 14 korrikut
Edhe mbledhja e së martës e Bordit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) ka dështuar në përpjekjen për të zgjedhur përfaqësuesin e ri të lartë për Bosnje e Hercegovinën. Shtetet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë arritur të dakordohen për pasuesin e Christian Schmidtit.
Ambasadorët në këtë Këshill kanë caktuar të martën si ushtrues detyre, zëvendëspërfaqësuesin e lartë të deritashëm, Louis J. Crishock. Ai do ta ushtrojë rolin deri në zgjedhjen e përfaqësuesit të ri të lartë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBordi është zotuar të arrijë një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundshme, me qëllimin final që përfaqësuesi të zgjidhet para datës 14 korrik.
Bordi Drejtues i PIC ka njoftuar se pret bashkëpunim të suksesshëm me Crishockun nga 1 korriku, kur dorëheqja e Schmidtit hyn në fuqi.
“Nëse ndonjë aktor përpiqet të kërcënojë, anashkalojë ose sfidojë vendimet e mëparshme, përfaqësuesi i Lartë në Detyrë do të marrë të gjitha masat e nevojshme brenda mandatit të tij në përputhje me Aneksin X të Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqen, duke siguruar zbatimin konsistent të aspekteve civile të Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqen, me mbështetje përmes kompetencave dhe udhëzimeve të shprehura të Bordit të Drejtorëve të PIC, me qëllim mbrojtjen e integritetit të Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqen”, ka njoftuar PIC.
Siç ka shkruar mediumi “klix.ba” në Bosnjë-Hercegovinë, edhe në mbledhjen e mbajtur në Sarajevë, zyrtarët evropianë kanë mbajtur qëndrimin e tyre duke e kundërshtuar kandidaturën e Antonio Zanardi Landit, diplomat i propozuar për këtë pozitë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia.
Në të njëjtën kohë, Washingtoni nuk e ka mbështetur kandidatin për të cilin kanë avokuar Gjermania dhe Franca – diplomatin francez Rene Troccaz.
Sipas shkrimit, po kërkohet një zgjidhje kompromisi – e që mund të jetë një diplomat tjetër italian, emri i të cilit ende nuk është bërë i ditur.
Përplasjet mes partnerëve nuk janë të reja. Edhe në mbledhjen e parë, të mbajtur më 3 dhe 4 qershor, shtetet anëtare nuk arritën të pajtoheshin për pasardhësin e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, i cili ka njoftuar për largimin nga kjo detyrë pas pak më shumë se pesë vjetësh mandat.
PIC është një trup politik ndërkombëtar i ngarkuar me mbikëqyrjen dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, ndërsa Këshilli Drejtues i tij – në të cilin bëjnë pjesë shtetet kyç perëndimore dhe aktorë ndërkombëtarë – është përgjegjës për zgjedhjen e Përfaqësuesit të ri të Lartë.
Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) është themeluar në vitin 1995 përmes Aneksit 10 të Marrëveshjes së Dejtonit, si një mekanizëm kyç për mbikëqyrjen e zbatimit civil të paqes.
Që atëherë, këtë funksion e kanë ushtruar tetë Përfaqësues të Lartë, ndërsa Schmidt është i nënti në këtë post.
Përgjatë viteve, Përfaqësuesi i Lartë ka fituar të ashtuquajturat Kompetenca të Bonit, të cilat i mundësojnë marrjen e vendimeve detyruese, përfshirë shpalljen e ligjeve dhe shkarkimin e zyrtarëve.
Megjithëse ishte paraparë si një instrument i përkohshëm, OHR ka mbetur deri më sot një faktor kyç i stabilitetit në Bosnjë dhe Hercegovinë.