Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Deklarata e Vuçiqit nxit përplasje mes Malit të Zi dhe Serbisë

Aleksandar Vuçiq

Një luftë deklaratash ka shpërthyer mes Serbisë dhe Malit të Zi, pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se nuk do të marrë pjesë në festimet për 20-vjetorin e pavarësisë së Malit të Zi, duke thënë se nuk dëshiron të festojë “shkëputjen nga Serbia”.

Vuçiqi deklaroi se pjesëmarrja në një ngjarje të tillë do të ishte “si të pështyjë në fytyrën e vet”, çka nxiti reagim të menjëhershëm nga Ministria e Jashtme e Malit të Zi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në reagimin e saj, diplomacia malazeze ka thënë se retorika e Vuçiqit nuk kontribuon në marrëdhënie të mira fqinjësore dhe respekt të ndërsjellë.

“Mali i Zi nuk u shkëput nga Serbia dhe as nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e Serbisë në mënyrën si përpiqet ta paraqesë Vuçiqi”, thuhet në reagim, transmeton “Jutarnji”.

Autoritetet malazeze theksuan se Serbia dhe Mali i Zi kanë qenë pjesë të barabarta të unionit shtetëror të krijuar pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ndërsa pavarësia e Malit të Zi i mundësoi edhe Serbisë vazhdimësinë juridike si shtet i pavarur.

“Është e papranueshme dhe politikisht e papërgjegjshme që përvjetori i pavarësisë së Malit të Zi të paraqitet si akt kundër Serbisë apo popullit serb”, deklaroi Ministria e Jashtme malazeze.

Sipas Podgoricës zyrtare, Mali i Zi nuk feston pavarësinë kundër askujt, por si shprehje të vullnetit të lirë të qytetarëve dhe të drejtës demokratike për të vendosur mbi të ardhmen e vet.

Pas kësaj reagoi edhe Ministria e Jashtme e Serbisë, duke thënë se Beogradi nuk mund të heshtë përballë përpjekjeve për të “relativizuar të vërtetën historike”.

Diplomacia serbe theksoi se Vuçiqi nuk kishte thënë “asnjë fjalë të keqe” për Malin e Zi dhe se ai vetëm kishte shprehur mendimin personal se nuk dëshiron të festojë ndarjen e “dy shteteve vëllazërore”.

Në një kundërpërgjigje tjetër, Mali i Zi deklaroi se nuk feston “humbjen e askujt” dhe as “ndarjen nga Serbia”, por lirinë dhe të drejtën që të dy shtetet të vendosin në mënyrë të pavarur për të ardhmen e tyre.

Më 21 maj, Mali i Zi do të shënojë 20-vjetorin e rikthimit të pavarësisë. Qeveria malazeze ka organizuar një sërë aktivitetesh festive, të cilat do të kulmojnë me një pritje zyrtare të kryeministrit Milojko Spajiq në Podgoricë dhe me koncertin e yllit botëror Ricky Martin.

Mali i Zi e riktheu pavarësinë më 21 maj 2006, pas referendumit në të cilin 55.5 për qind e qytetarëve votuan pro shkëputjes nga bashkimi shtetëror me Serbinë, ndërsa 44.5 për qind ishin kundër.