Më shumë se 30 persona të akuzuar për shkelje të sigurisë publike lidhur me vdekjen e 63 personave nga një zjarr në një klub nate në Maqedoninë e Veriut në mars, kanë dalë në gjyq të mërkurën.
Zjarri u shkaktua nga fishekzjarrë të ndezur gjatë një performance hip hop, të cilat i vunë flakën tavanit të klubit të mbushur plot “Pulse” në Koçani, për të cili autoritetet thanë se nuk kishte licencë të duhur, dalje të mjaftueshme emergjente ose fikëse zjarri.
Të vdekurit ishin kryesisht të rinj dhe incidenti ka shkaktuar marshime të gjera në vendin ballkanik të cilët kanë kërkuar drejtësi. Rreth 170 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, raporton Reuters.
Të mërkurën të dyshuarit janë dërguar të prangosur nga burgu në sallën e gjyqit në kryeqytetin Shkup.
Dhjetëra anëtarë të familjeve të viktimave morën pjesë në gjyq.
Tridhjetë e pesë persona dhe tri subjekte juridike kanë dalë në gjyq, sipas agjencisë së lajmeve të vendit ballkanik, MIA. Ata akuzohen për rrezikim të sigurisë publike dhe mosrespektim të procedurave të sigurisë.
Të akuzuarit përballen me dënime me burgim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.
Aktakuza përfshin pronarin e klubit të natës, një kompani private sigurie dhe një kompani ndërtimi të përfshirë në modifikime, ka thënë kryeprokurori Ljupco Kocevski në qershor.
Aktakuza përfshin gjithashtu inspektorë, nëpunës civilë, oficerë policie, punëtorë ndërtimi dhe punonjës të klubeve. Emrat e tyre nuk u bënë të ditur.
Aktakuza është lexuar në gjykatë të mërkurën. Të pandehurit ende nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë.
Ende nuk dihet se sa do të zgjasë gjyqi.