Të dielën, më 12 prill, hungarezët më në fund i thanë “JO” kalit të tyre trojan rus, kryeministrit Viktor Orban, i cili kishte sunduar Hungarinë plot 16 vjet. Humbja e Orbanit nuk është vetëm një histori hungareze. Ajo është një tërmet politik që ndihet nga Budapest deri në Beograd. Është çarja e një narrative që për vite me radhë ushqeu sistemet autoritare në Ballkan: se demokracia është e dobët, se institucionet janë pengesë, se populli kërkon bukë e jo sistem. Orbani ishte dëshmi e kësaj teze. Tani ai është bërë varrmihësi i saj.
Në zgjedhjet për parlamentin hungarez, bindshëm fitoi lideri i TISA-s, Peter Magyar, i cili u dha fund sundimit kriminal të korrupsionit dhe neoliberalizmit. Korrupsioni, si zakonisht, u tregua shkaku i rënies së autokratëve. Dhe kjo pikërisht i ndodhi edhe Orbanit. Magyari e mundi pikërisht mbi këtë platformë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEra e fortë e prillit nga Danubi thjesht e përfshiu dhe e rrëzoi Viktorin pas plot 16 vjetësh. Ra, siç dukej, një figurë e paprekshme, një “troublemaker”, politikan hapur pro-putinist, i tipit “trumpist”. Nëse ai ka përfunduar përfundimisht në deponinë e historisë, mbetet për t’u parë, por liderë të tillë autoritarë e kanë shumë të vështirë të rimëkëmben nga goditje të tilla.
Megjithatë, ai e pranoi humbjen, çka do të thotë se është vërtet i zhgënjyer. Hungaria mori frymë lirshëm dhe tregoi se edhe ajo është pjesë e Evropës, të cilën Viktor Orban, sidomos që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, kishte dashur ta izolonte. Zgjedhjet demokratike u treguan sërish efektive dhe forcuan kuptimin e demokracisë. Dalja e jashtëzakonshme në votime, gati 80%, tregon se hungarezëve u kishte ardhur vërtet “uji në fyt”.
Fitorja me dy të tretat e Peter Magyar, i cili deri vonë ishte bashkëpunëtor i Orbanit, tregon se edhe kundër një kundërshtari të tillë mund të fitohet një garë zgjedhore, e cila ishte përgatitur paraprakisht nga lojtarët më të fuqishëm botërorë për të përfunduar me humbje. Megjithatë, nuk ndihmuan as Vladimir Putin, as Donald Trump, e as inskenimet nga laboratorët e FSB me ndihmën e Aleksandar Vuçiq, kur u tentua të krijohej një krizë politike dhe sigurie me përpjekjen e të ashtuquajturit sabotim në gazsjellës në qytetin vojvodinas, Kanjizha. Sipas planeve, kjo duhej t’i shërbente si shtytje shtesë “zgjedhore” për Orbanin.
Madje u kalkulua edhe me shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të rrezikimit të pretenduar të sigurisë. Nuk ndihmoi as frikësimi me luftë dhe “ukrainasit e këqij”, as kërcënimet me ngrirje për shkak të gazit rus. Kështu që kjo nuk është vetëm një fitore për hungarezët, por edhe një lehtësim për Evropën, sepse Budapesti do të jetë sërish një anëtare bashkëpunuese, e jo një informatore e Kremlinit.
Peter Magyar, me ndihmën e qytetarëve të tij, i ka futur në një situatë edhe më të vështirë Vladimir Putinin, Donald Trumpin dhe Aleksandar Vuçiqin, sepse kjo “erë nga Danubi” tani mund të fryjë edhe drejt Beogradit. Në Kremlin sigurisht që janë, për ta thënë butë, të pakënaqur, pasi kanë humbur një levë të rëndësishme destabilizuese në Evropë.
Në Washington gjithashtu do të “kërcasin dhëmbët”, sepse Donald Trump u angazhua dhe dërgoi J. D. Vance për të ndikuar, por rezultati doli kundërproduktiv.
Po çfarë do të thotë rënia e Viktor Orbanit për Aleksandar Vuçiq dhe skenën politike në Serbi? Do të thotë një sinjal për bllokun antiregjim në Serbi, sepse rënia e Orbanit tregoi se edhe në sisteme të ndërtuara sipas masës së autokratit, forcat demokratike mund të fitojnë. Se një rezultat i tillë është real dhe i mundshëm, më së miri e tregojnë fjalët dhe mesazhet që në fjalimin e tij të parë i dha Peter Magyar në lidhje me Serbinë.
Ai tha se popullit serb i dërgon mesazh që të marrë forcë nga zgjedhjet e së dielës në Hungari dhe vazhdoi: qeveria në të cilën TISA do të ketë shumicën do të hetojë edhe sulmin e pretenduar ndaj gazsjellësit pranë Kanjizha, afër kufirit hungarez. Qëllimi i tij është që marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Serbisë të mbeten të mira, para së gjithash për shkak të hungarezëve të Vojvodinës, megjithëse la të kuptohet se e di kush “e kurdis” miqësinë e madhe mes Aleksandar Vuçiqit, Viktor Orbanit dhe Robert Ficos.
Peter Magyar shtoi gjithashtu se gjatë fushatës zgjedhore ndodhi një veprim që i ngjante një operacioni të ashtuquajtur “false flag”, në javën e Pashkëve, sikur ishte planifikuar një tentativë e pretenduar sabotimi në gazsjellës, për të cilën kryeministri Orban kishte folur që një javë më parë, duke paralajmëruar se diçka e tillë do të ndodhte — kujtoi ai.
“Pra, të them se kjo ishte inskenuar mjaft në mënyrë të papërvojë dhe u pa që organizatorët u tërhoqën nga kjo dhe nuk shkuan deri në fund, aq sa prisnin eprorët nga Rusia dhe disa qendra të tjera të pushtetit. Mendoj se vepruan mirë, sepse qeveria e TISA-s do të hetojë se çfarë ka ndodhur saktësisht në Kanjizha në Serbi. A ka pasur rrezik real - sepse është e mundur që po. Por nëse ka pasur rrezik real, atëherë kryeministri duhej të drejtonte shtetin, e jo të luante në një shfaqje gjatë javës së Pashkëve, duke fluturuar me helikopter atje tek Aleksandar Vuçiq dhe duke mbledhur të gjithë propagandën hungareze me helmeta pune dhe uniforma që të ‘frikësoheshin’ së bashku. Në një situatë të tillë, kryeministri duhet të garantojë sigurinë e vendit”.
Peter Magyar shtoi gjithashtu se e di saktësisht çfarë po ndodh në Serbi dhe se i njeh mirë lidhjet që kanë ekzistuar midis pushtetit të Viktor Orban dhe Serbisë që udhëhiqet nga presidenti Aleksandar Vuçiq, si dhe se përafërsisht e di kush qëndron pas këtyre marrëdhënieve — kush është “kumbar” i këtyre miqësive të mëdha.
Ndaj këtij reagimi të Magyarit, në të cilin përmendej Serbia, reagoi menjëherë dhe në mënyrë të shqetësuar Aleksandar Vuçiq, duke konfirmuar se me kryeministrin hungarez tashmë të rrëzuar kishte qenë më shumë se mik dhe duke pranuar se kanë të njëjtin “kumbarë”, që, sipas tij, është “liria e fjalës, mendimit dhe veprimit”. Në stilin e tij të njohur, jo diplomatik, ai iu drejtua Magyarit me fjalët: “Hajde përgjigju, pasi e di, thuaj kush është kumbarë. Nuk ka asnjë ide”, dhe vazhdoi duke thënë se nuk duhet të shqetësohemi për marrëdhëniet me hungarezët dhe Hungarinë, duke e quajtur atë deklaratë “budallallëk”. Po ashtu, i dërgoi mesazh Magyarit se Serbia nuk është vendi i tij dhe nuk ka kompetenca të kryejë hetime.
Është e qartë se fitorja e Peter Magyar e ka tronditur aq shumë, sa e ka nxjerrë plotësisht nga vetja. Sepse kjo fitore është sinjal për të gjithë njerëzit në vendet e rajonit se “diktatorët modernë” lokalë janë të mposhtshëm dhe se fundi i tyre po afrohet — para se gjithash ai i Aleksandar Vuçiqit.
Prandaj edhe një reagim i tillë i këtij diktatori të zemëruar dhe të frikësuar, të cilit po i rrëshqet toka nën këmbë. Por, ndryshe nga hungarezët, serbëve u duhen katër Peter Magyar që të çmontojnë sistemin diktatorial dhe “oktapodin” grabitqar.
Dhe për këtë arsye, mësoni - fëmijë, studentë dhe të rinj - nga ky zotëri Magyar, sepse vërtet ka shumë për të mësuar.
(Autori është gazetar dhe analist politik)