Politikanët model të veshur bukur, por të kapluar nga sëmundja e përfitimeve, e korruptuan shtetin që donim ta kishim. Ky korruptim shteti nuk ndodhi si dështim i rastësishëm por si pasojë e strukturave të katapultuar me logjikën e afrisë dhe jo meritokracisë, e për rrjedhojë edhe e keqqeverisjes, me tendenca për mbajtje pushteti dhe përfitime që u shërbenin grupeve të interesit dhe partive politike, por jo mekanizmave për forcimin dhe ruajtjen e shtetit. Në një gjuhë tjetër, kjo do të quhej “kapje shteti”
Që prej fillimit të rënies së ish-federatës jugosllave, ku Kosova ishte pjesë konstituive – njësi e federatës, temat me ndjesi të veçantë ishin pavarësia subjektive, legjitimiteti politik, vlerat universale të demokracisë si sistem politik perëndimor. Paslufta në Kosovë na gjeti me debate mbi ngritjen e shtetit dhe të bërit funksional, duke e lënë prapa një sistem që nuk qe përqafuar me dëshirë nga shqiptarët shumicë dërmuese në vend. Po ashtu, pas shpalljes së pavarësisë dhe pas njohjeve të shtetësisë e anëtarësimeve në organizma ndërkombëtarë për fuqizimin e subjektivitetit të Republikës, shpejt dhe heshtazi rrëshqitëm në një krizë politike mosbesimi dhe korrupsioni ndaj institucioneve të Republikës!
Akterët dhe faktorët ishin të shumtë, ata të identifikueshëm e ata të padukshëm në sytë e qytetarëve, që shpërfaqën në sipërfaqe shkaqet strukturore të korruptimit që i bëmë shtetit. Demokracia, si frymë politike, nuk ka instrument matës dhe as mekanizëm peshues për atë se sa kemi arritur ta kuptojmë dhe ta pranojmë demokracinë, përveçse mekanizmave të drejtësisë që do ta ndëshkonin secilin që përtej moralizimeve politike do të duhej të ndëshkoheshin me votë dhe me sanksionim ligjor.
Politikanët model të veshur bukur, por të kapluar nga sëmundja e përfitimeve, e korruptuan shtetin që donim ta kishim. Ky korruptim shteti nuk ndodhi si dështim i rastësishëm por si pasojë e strukturave të katapultuar me logjikën e afrisë dhe jo meritokracisë, e për rrjedhojë edhe e keqqeverisjes, me tendenca për mbajtje pushteti dhe përfitime që u shërbenin grupeve të interesit dhe partive politike, por jo mekanizmave për forcimin dhe ruajtjen e shtetit. Në një gjuhë tjetër, kjo do të quhej “kapje shteti”.
Partitë politike, por në veçanti grupet e interesit – disa pjesë përfaqësuese nëpër parti – kanë prekur thelbin e funksionimit shtetëror, duke e zhveshur shtetin nga funksionet ligjore, ato të sigurisë e mbrojtjes dhe ekonomisë për të mirën publike. E gjitha, pa dilemë, ka zhvendosur vëmendjen e debatit fundamental se pse e korruptuam shtetin dhe pse heshtazi e projektuam një shtet që nuk funksionon siç duhet me individë, e diku me grupe, të korruptuara si strukturë shteti e pushteti.
Proceset zgjedhore mbase i organizojmë më së miri në rajon, por kjo nuk e përcakton në tërësi nivelin e pjekurisë së demokracisë dhe as funksionimin e shtetit të së drejtës, kur ndër raunde zgjedhore kemi ricikluar të njëjtët emra partiakë e të njëjtët funksionarë politikë, e me këtë, nuk e kemi sjellë ndryshimin e duhur në qeverisjeje, përveçse kemi mundësuar një rrotacion pushteti që kryesisht i ka takuar një oligarkie klienteliste. Kështu ne, kemi dështuar në evitimin korruptiv të shtetit, duke mos arritur në reforma përmbajtjesore dhe të një progresi demokratik, madje kemi shkruar raporte të rreme përmbajtjesisht për shkak të fasadimeve të cilat i kemi vendosur në struktura të pabetonuara shtetërore.
Tentimin për të krijuar kampe politike të mendësive dhe të orientimit politik i kemi korruptuar dhe si pasojë nuk e kemi ndihmuar daljen nga transicioni politik strukturor shtetëror, duke i ruajtur kështu interesat e errëta të instrumenteve klienteliste oligarkike. Të shumtë janë pushtetarë që kanë folur por nuk kanë komunikuar me qytetarë dhe kjo ka bërë që komunikimi politik shumë herë ka qenë propagandistik, duke keqpërdorur edhe media të caktuara, dhe fare pak apo aspak real e qytetar. Korruptimin e shtetit e kemi bërë edhe si mungesë e moralit politik, profesional e kulturor në shoqëri të bartur në institucione, duke e lënë shtetin larg koncepteve të teorive moderne mbi shtetin dhe pushtetin.
Mendësia klienteliste dhe provinciale politike mbeti sfidë, të cilën nuk kemi arritur ta tejkalojmë, edhe mosdenoncimi i korruptimit të pushtetit politik dhe mosndëshkimi i saj e ka riprodhuar dështimin për luftimin e korrupsionit. Duke u sfiduar nga kjo gjendje, ne nuk kemi arritur t’i kuptojmë politikën dhe pushtetin, e mbase kjo mbetet referencë për mungesën e llogaridhënies së duhur. Jo rrallë është folur për “kapjen e shtetit” dhe përmes këtij zhargoni duhet kuptuar keqqeverisjen e më pas korrupsionin (hajninë) për të ashtuquajtura grupet elitare dhe jo qytetarëve të Republikës.
Fatkeqësisht, qytetarët e Kosovës dhe institucionet e Republikës janë drejtuar nga trupa të gjallësh, lënguar nga sëmundjet, por të veshur bukur me kostume.