Opinion

Plani i Paqes i Trumpit për Ukrainën e kërcënon Evropën

Për dekada me radhë pas Luftës së Dytë Botërore, Evropa u ndje aq komod nën ombrellën e sigurisë së SHBA-së saqë duket që e humbi aftësinë për të menduar vetë për çështjet e sigurisë. Andaj, kur SHBA-ja zgjodhi të mos i përgjigjej me vendosmëri pushtimit dhe okupimit rus të Krimesë më 2014, Evropa e ndoqi pa diskutim. Tash, BE-ja po e paguan çmimin e kësaj letargjie. Më 1968, këshilltari i atëhershëm amerikan për Siguri Kombëtare, Henry Kissinger, shqetësohej se braktisja e Vietnamit Jugor do të sinjalizojë “te kombet e botës se mund të jetë e rrezikshme të jesh armik i Amerikës, porse të jesh mik i saj është fatal”. Gjashtë dekada më vonë Evropa, e konfrontuar nga ripërafrimi i Trumpit me Rusinë, duhet ta marrë mesazhin

Askush nuk e di nëse plani 28-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për paqen në Ukrainë do të zbatohet përfundimisht në formën që i ngjason asaj fillestare. Administrata Trump e portretizoi atë si “dokument i gjallë” dhe njoftimi i saj u pasua nga një lum raportimesh për ndryshime. Por versioni final pothuajse sigurt do ta mishërojë një vizion të marrëdhënieve ndërkombëtare, të ndarë nga Trumpi e presidentin rus, Vladimir Putin, që në mënyrë të drejtpërdrejt do ta rrezikojë sigurinë evropiane.

Ndonëse Rusia është pa ekuivok agresori, meqë e ka pushtuar territorin sovran të Ukrainës në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, plani i Trumpit i avancon interesat ruse. Kjo gjë theksohet më së qarti te propozimi për ndarjen e Ukrainës, e cila, sikurse në rastet e copëzimit të Polonisë nga Prusia dhe perandorive ruse e habsburgiane në shekullin 18, do të ndërmerrej pa konsideratë për ukrainasit.

Plani i Trumpit jo vetëm që do ta prodhonte njohjen de facto të sovranitetit rus mbi Krimenë – të cilën Rusia e pushtoi dhe e aneksoi në vitin 2014 – si dhe territoret që i pushtoi që nga shkurti i 2022-tës; ai njashtu do ta shtrëngojë Ukrainën t’i tërheqë trupat e saj nga pjesa e Donetskut që aktualisht e kontrollon. Me fjalë të tjera, Ukraina do të duhej të hiqte dorë nga territori sovran që e mbrojti suksesshëm ushtarakisht.

Plani madje i shtron edhe themelet për justifikimin e kapjeve ilegale të tokave nga Rusia. Përderisa pretendon se “sovraniteti i Ukrainës do të konfirmohet”, plani që në pikën pasuese thekson se Rusia, Ukraina dhe Evropa do ta nxjerrin një “marrëveshje gjithëpërfshirëse të mosagresionit” që i zgjidh “të gjitha paqartësitë e 30 vjetëve të fundit”.

Cilave paqartësi mund t’i jetë referuar? Nuk ka pasur asnjë paqartësi në shpalljen e pavarësisë së Ukrainës më 1991. Memorandumi i Budapestit i 1994-s – në të cilën Ukraina u pajtua ta braktisë arsenalin bërthamor që e trashëgoi pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në këmbim të garancive nga Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara për ruajtjen e integritetit të saj territorial – ka qenë njashtu plotësisht i qartë. E këtillë është edhe Karta e Kombeve të Bashkuara, e cila thotë se të gjitha palët duhet të përmbahen nga “përdorimi i forcës kundër integritetit territorial apo pavarësisë politike të cilitdo shtet”.

Shtoja kësaj edhe disa dispozita nga plani i Trumpit që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi dhe mesazhi për Evropën bëhet i qartë. Trumpi nuk është ndonjë farë presidenti i paqëndrueshëm e i ndikueshëm, të cilin evropianët mund ta mbajnë në anën e tyre nëpërmjet koncesioneve e lajkave. Përderisa mund pa dyshim të jetë kapriçoz, për disa çështje mbetet i palëkundur. Mes tyre është bindja se mirëqenia e Ukrainës – dhe siguria evropiane, në përgjithësi – ka rëndësi të kufizuar për SHBA-në dhe se nuk duhet lejuar që t’i dëmtojë interesat e saja tregtare apo t’i prishë marrëdhëniet e saj me një fuqi tjetër të madhe.

Shkëputja e Trumpit nga angazhimet e sigurisë të Amerikës për Evropën është veçanërisht e dukshme në pikën katër, e cila përcakton se dialogu “për zgjidhjen e të gjitha çështjet e sigurisë dhe për krijimin e kushteve për depërshkallëzim” do të zhvillohet “midis Rusisë e NATO-s, nën ndërmjetësimin e SHBA-së”. Kjo e pozicionon SHBA-në si të ndarë nga NATO-ja, që qëndron midis Rusisë dhe Evropës.

S’do mend, kjo zor se është hera e parë që administrata Trump e distancon veten nga NATO-ja. Nuk është madje as hera e parë këtë muaj. Në Konferencën e Sigurisë në Berlin, ish-ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, tha se SHBA-ja “mezi pret” që Gjermania më në fund ta marrë postin – të mbajtur fillimisht nga presidenti Dwight D. Eisenhower – e Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Evropë (SACEUR). Duke e pasur parasysh rolin kritik të SACEUR-së në zinxhirin bërthamor të komandës përbrenda NATO-s, kjo mund ta sinjalizojë një shkëputje bërthamore midis SHBA-së dhe Evropës. Por plani i Trumpit shkon përtej distancimit të SHBA-së nga NATO-ja; është fyerje strategjike, pasi kërkon që Ukraina ta “vendosë në kushtetutën e saj se nuk do të anëtarësohet”.

Nga ana tjetër, NATO-ja do të duhet ta “përfshijë në statutet e saj një dispozitë” që thotë se Ukraina kurrë nuk do të pranohet në aleancë dhe të pajtohet të mos vendosë trupa aty. SHBA-ja do t’ia ofrojë Ukrainës garancitë e sigurisë, për të cilat gjë do të “marrë kompensim”.

Edhe koncesioni i dukshëm i planit të paqes për Ukrainën – pohimi se vendi do të jetë i përshtatshëm për anëtarësim në BE – e reflekton një arrogancë tronditëse. Pse SHBA-ja dhe Rusia duhet të vendosin se kush është dhe kush nuk është i përshtatshëm për t’u anëtarësuar në BE?

Në cilindo rast, rregullat lidhur me anëtarësimin e Ukrainës në NATO do ta komplikojnë pranimin e vendit në BE, dhe nuk ka asnjë arsye të mendohet se Trumpi do ta rishqyrtojë mbështetjen e tij për mantrën e Rusisë: S’ka Ukrainë në NATO dhe s’ka NATO në Ukrainë.

Në fakt, është “grupi i përbashkët punues për siguri” amerikano-rus – që nuk e përfshin asnjë përfaqësues evropian apo ukrainas – ai që “do ta lehtësojë dhe do ta sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave” të marrëveshjes. Ndërkohë, SHBA-ja do të marrë 50 për qind të përfitimeve nga rindërtimi i Ukrainës “i udhëhequr nga SHBA-ja”.

Cilatdo qofshin ndryshimet që negociatorët ukrainas arrijnë t’i nxjerrin nga zyrtarët amerikanë gjatë bisedimeve në vazhdim në Gjenevë, nuk ka dyshim se plani i paqes i Trumpit paraqet disfatë strategjike jo veç për Ukrainën, por për gjithë Evropën. Por në vend që të përfshihen në dënime të kota të Trumpit dhe Putinit – një aleat i rremë, respektivisht, një armik i vërtetë – evropianët duhet të marrin përgjegjësinë për rolin e tyre në krijimin e kësaj situate.

Për dekada me radhë pas Luftës së Dytë Botërore, Evropa u ndje aq komod nën ombrellën e sigurisë të SHBA-së saqë duket që e humbi aftësinë për të menduar vetë për çështjet e sigurisë. Andaj, kur SHBA-ja zgjodhi të mos i përgjigjej me vendosmëri pushtimit dhe okupimit rus të Krimesë më 2014, Evropa e ndoqi pa diskutim. Tash, BE-ja po e paguan çmimin e kësaj letargjie.

Më 1968, këshilltari i atëhershëm amerikan për Siguri Kombëtare, Henry Kissinger, shqetësohej se e braktisja e Vietnamit Jugor do të sinjalizojë “te kombet e botës se mund të jetë e rrezikshme të jesh armik i Amerikës, porse të jesh mik i saj është fatal”. Gjashtë dekada më vonë Evropa, e konfrontuar nga ripërafrimi i Trumpit me Rusinë, duhet ta marrë mesazhin.

(Zaki Laïdi, ish-këshilltar i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë (2020-2024), është profesor i Shkencave Politike. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).