1.
Mbrëmjen e 5 marsit, ndërkohë që seanca po dështonte, më pyeti një mik i imi nëse do të kishte dekret. “Do të ketë”, i thashë pa hezitim. Nuk e kisha lexuar nenin. E kisha lexuar situatën. Dhe situata, në Kosovë, është gjithmonë teksti i vërtetë, që lexohet përpara Kushtetutës. Nuk e dija po ashtu nëse është e drejtë, por e dija se është e “dobishme” për dikë. Të nesërmen, dekreti u nënshkrua. Nuk kishte asgjë të papritur. Kishte vetëm konfirmimin e diçkaje që sistemi kosovar e prodhon me rregullsi: kriza të parashikueshme që askush nuk i parandalon. Jo aq e thjeshtë pra.
Partia fituese erdhi në procesin presidencial me mandatin më të fortë zgjedhor që ndonjë parti kosovare e ka mbajtur ndonjëherë. Mbështetja qytetare ishte reale, e fituar dhe e padiskutueshme.
Por Lëvizja Vetëvendosje ka një tundim të brendshëm, pothuajse organik, që e bën të rrezikshme pikërisht në çastin e triumfit: tundimin për ta ngatërruar mandatin me sovranitetin, dhe sovranitetin me të drejtën absolute.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNga ky mandat i pakontestuar lindi ajo bindje e rrezikshme se shumica e madhe nuk ka nevojë për kompromis, se çdo rezistencë është sabotim dhe çdo kufi kushtetues është pengesë. Jo mbrojtje. Pengesë.
Pikërisht ky ngatërrim, mes pengesës dhe mbrojtjes, është matrica e krizave kosovare.
2.
Ka një keqkuptim të vjetër sa demokracia vetë: se demokracia është sistemi që prodhon shumicë.
Është. Por kjo është gjysma e rehatshme e përkufizimit, ajo që i shërben atij që ka fituar. Gjysma tjetër është ajo e pakëndshme: ajo që kufizon fituesin, që e detyron të ndajë hapësirën me të mundurin, që e ndalon të shndërrojë mandatin në monopol.
Është pikërisht kjo gjysmë e dytë që shumicat e harrojnë me shpejtësi të habitshme menjëherë pasi numërohen votat.
Por këtu duhet të ndalemi.
Presidentes Osmani ia vlen t'i kushtohet po aq vëmendje.
Presidentja Osmani mund të ketë pasur të drejtë. Jo për arsyen që thotë, por për arsyen që nuk e thotë: se sistemi i zgjedhjes së presidentit nuk prodhoi konsensus. Prodhoi bllokadë. Dhe bllokada e zgjatur nuk është procedurë e respektuar. Është paralizë e institucionalizuar.
Osmani e pa këtë. Dhe veproi.
Dallimi mes së drejtës juridike dhe së drejtës institucionale nuk është teknik. Në bindjen time është themelor. Sistemi i keq nuk e bën të drejtë kapërcimin e tij. E bën të kuptueshëm. Dhe e kuptueshme dhe e drejtë janë dy gjëra të ndryshme, edhe kur duken të njëjta.
3.
Por le të kthehemi te LVV-ja, sepse aty qëndron paradoksi më i madh dhe analitikisht më i pasur i kësaj krize. Partia fituese tha se kishte vepruar “në përputhje me rezultatin zgjedhor”. Jo me Kushtetutën. Jo me interesin e shtetit. Me rezultatin zgjedhor. Dallimi nuk është në dukje stilistik. Është filozofik. Rezultati zgjedhor mat vullnetin e shumicës, derisa Kushtetuta mat diçka tjetër: kufijtë brenda të cilëve ajo shumicë mund të veprojë. Të dyja ekzistojnë për arsyet e veta. Kur njëra zëvendëson tjetrën, sistemi nuk është më demokratik.
Është shumicë që ka harruar se ekziston pakica. Dhe kur kjo shumicë, e mbuluar me retorikën e mandatit popullor, është forma më e përshtatshme e autokracisë.
Rezultati zgjedhor të jep mandatin. Nuk të jep shtetin. Dallimi duket i vogël. Nuk është. Mandati ka afat. Shteti vazhdon. Dhe institucioni i presidentit, ai organ i projektuar me qëllim si kundëpeshë e ekzekutivit, ekziston pikërisht për ta kujtuar këtë dallim çdo ditë, jo vetëm në ditën e zgjedhjeve. Po të mjaftonte rezultati zgjedhor, Kushtetuta do të ishte e panevojshme. Prandaj ajo ekziston pikërisht për të thënë atë që numrat nuk thonë. Disa vendime kërkojnë më shumë se shumicë, sepse disa institucione u përkasin të gjithëve, edhe atyre që votuan ndryshe.
4.
Në vlerësimin tim, fakti që juristë seriozë nuk bien dakord për kushtetutshmërinë e dekretit nuk përbën skandal. E shoh si tregues se sistemi kushtetues nuk është projektuar mirë për situata të tilla.
Kushtetuta ka lënë hapësira ndërmjet neneve dhe ato hapësira po mbushen vazhdimisht me konteste politike. Palët po përdorin interpretimin juridik si instrument të vetëm që u ka mbetur. Kushtetuta qartazi nuk është hartuar për të prodhuar konsensus. Ajo e pasqyron mungesën e tij dhe vendos rregullat minimale të baraspeshës institucionale.
5.
LVV-ja ka të drejtë kur konstaton defektet e sistemit. Zgjedhja indirekte e presidentit me prag dy të tretash është mekanizëm që prodhon bllokadë. Prodhon bllokadë. Çdoherë. Me rregullsi matematikore.
Ka të drejtë kur kërkon reformë kushtetuese dhe kur e sheh zgjedhjen e drejtpërdrejtë si drejtim të arsyeshëm.
Por ka gabim për mënyrën.
Gabon plotësisht kur e kërkon rrugëdaljen te kapërcimi i kufijve ekzistues para se këta kufij të reformohen. Reagimi ndaj një rregulli të mangët duhet të jetë ndryshimi me procedurë ligjore, jo anashkalimi përmes rezultatit elektoral. Kur shumica e tejkalon rendin kushtetues sa herë që i përshtatet, krijohet precedent që do ta përdorë edhe shumica e ardhshme.
Duhet ta kujtojmë çdoherë se rregulli kushtetues nuk lindi nga besimi te njerëzit e mirë. Lindi nga mësimi i hidhur se pushteti pa kufi funksionalë tenton të zgjerohet. Gjithmonë. Pavarësisht nga njerëzit që e mbajnë.
Prandaj ekzistojnë ndarjet e pushtetit. Prandaj ekzistojnë gjykatat kushtetuese. Prandaj ekzistojnë procedurat e gjata dhe të bezdisshme.
Jo si pengesë ndaj qeverisjes së mirë. Si mbrojtje ndaj qeverisjes së pakontrolluar. Dhe ky dallim nuk është semantik.
Shumica ka të drejtë të qeverisë. Por e drejta për të qeverisur nuk është licencë e pakufizuar, por një detyrim i kufizuar. Ai kufi nuk është kundër demokracisë. Është thelbi i saj. Dhe çdo forcë politike që e harron këtë, e harron zakonisht në kulmin e fuqisë së vet, pikërisht kur e ka më pak nevojë ta mbajë mend dhe më shumë nevojë ta kuptojë.
6.
Dekreti do të shqyrtohet. Gjykata do të vendosë. Kosova do të ketë president.
Kjo është e sigurt.
Por është po aq e sigurt diçka tjetër: se sistemi që prodhoi këtë krizë do të prodhojë të njëjtën krizë, me aktorë të tjerë, në datë tjetër, me të njëjtën befasi të rreme.
Shumica ka të drejtë të qeverisë. Por mandati nuk është pronë. Është huazim me afat nga qytetarët, me kushte të shkruara dhe me kufi të vendosur jo nga kundërshtarët, por nga sistemi vetë.
Ai kufi nuk është kundër demokracisë. Është arsyeja pse demokracia funksionon edhe kur humbet ai që e do.
Çdo forcë politike që e harron këtë, e harron me besnikëri në kulmin e fuqisë së vet. Pikërisht atëherë kur kufijtë duken të panevojshëm. Pikërisht atëherë kur janë më të nevojshmit.
Ndryshon data. Nuk ndryshon logjika. Dhe logjika, në Kosovë, ka durim të pafund.
(Autori është hulumtues i pavarur, i specializuar në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare)