Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Lufta në Lindje të Mesme, dezinformimi dhe polarizimi shoqëror

Konfliktet e jashtme projektohen në marrëdhëniet tona të brendshme, duke dëmtuar kohezionin shoqëror dhe duke krijuar ndarje artificiale mes qytetarëve. Kultura e debatit dobësohet, sepse argumenti zëvendësohet nga etiketa, ndërsa analiza nga reagimi emocional. Rritet mosbesimi ndaj mediave dhe ekspertëve, çka hap rrugë për teori konspirative dhe manipulime të reja. Në fund, normalizohet gjuha përjashtuese dhe polarizuese, e cila në kohë krizash mund të shndërrohet në tension real social, duke e bërë shoqërinë më të brishtë përballë çdo vale të re dezinformimi

Konflikti i fundit mes Izraelit dhe Iranit, me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara, e ka rikthyer Lindjen e Mesme në epiqendër të tensioneve globale. Sulmet ajrore, kërcënimet për hakmarrje, përplasjet përmes aktorëve të ndërmjetëm dhe retorika e ashpër politike kanë krijuar një klimë pasigurie që tejkalon kufijtë rajonalë. Përtej dimensionit ushtarak, kjo përballje është edhe një betejë narrativash: secila palë përpiqet ta paraqesë veten si viktimë apo si garantuese të stabilitetit, ndërsa kundërshtarin si kërcënim ekzistencial.

Por në epokën digjitale, lufta nuk zhvillohet vetëm në terren. Ajo zhvillohet paralelisht në rrjetet sociale, ku qarkullojnë mijëra video, imazhe dhe “analiza” në kohë reale. Në mesin e tyre ka pamje autentike nga zhvillimet në terren, por edhe një numër i madh përmbajtjesh të manipuluara apo krejtësisht të rreme. Shumë video të publikuara në media sociale rezultojnë joautentike: disa janë pamje të vjetra nga konflikte të mëparshme, të ricikluara dhe të paraqitura si aktuale; të tjera janë montazhe të përpunuara që kombinojnë skena të ndryshme për të krijuar një realitet të fabrikuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Madje, një pjesë e këtyre përmbajtjeve janë krijuar me inteligjencë artificiale. Video të gjeneruara apo të modifikuara me mjete të avancuara digjitale po qarkullojnë me shpejtësi në hapësirën online, duke e bërë edhe më të vështirë dallimin mes reales dhe të sajuarës. Imazhi i gjeneruar me inteligjencë artificiale që pretendohej se paraqiste Ali Khamenei nën gërmadha u shpërnda si moment real nga bombardimet. Përmbajtje të tilla, të shoqëruara me tituj sensacionalë dhe komente emocionale, po mjegullojnë pamjet dhe informacionet reale nga konflikti, duke krijuar një realitet paralel ku perceptimi shpesh zëvendëson faktin.

Ky vërshim informacioni dhe keqinformimi nuk mbeti pa pasoja në shoqërinë tonë. Kritikët e regjimit iranian kanë argumente të shumta dhe legjitime për të ngritur çështje mbi autoritarizmin në Teheran; megjithatë, kur këto debate ushqehen me informacione dhe narrativa selektive, me paragjykime dhe pa e njohur realitetin kompleks në terren, ato humbin kredibilitetin dhe shndërrohen në mjete propagandistike që e shtrembërojnë debatin publik.

Më shqetësuese ishte mënyra se si konflikti u instrumentalizua për të prodhuar një vijë të re ndarëse në diskursin publik: “Ne me Izraelin dhe Amerikën, ata me Iranin”. Kjo logjikë binare, e importuar nga një konflikt gjeopolitik kompleks, u përkthye në polarizim të brendshëm dhe në ndarje simbolike brenda vetë shoqërisë sonë. Një çështje ndërkombëtare u reduktua në një test lojaliteti ideologjik, ku çdo qëndrim kritik apo nuancë interpretohej si pozicionim “pro” ose “kundër”, duke lënë pak hapësirë për analiza të balancuara dhe të informuara.

Situata shkoi deri aty sa edhe njohës të Lindjes së Mesme, studiues dhe analistë që ofronin kontekst historik e politik mbi zhvillimet, u etiketuan si “përkrahës të Iranit”, vetëm pse analizat e tyre nuk përputheshin me emocionin dominues të momentit. Në vend të debatit racional, u imponua një klimë dyshimi dhe stigmatizimi. Kjo është pikërisht ajo që dezinformimi synon: të thellohet polarizimi, të normalizohet etiketimi dhe të zvogëlohet hapësira për arsyetim racional.

Konfliktet e jashtme projektohen në marrëdhëniet tona të brendshme, duke dëmtuar kohezionin shoqëror dhe duke krijuar ndarje artificiale mes qytetarëve. Kultura e debatit dobësohet, sepse argumenti zëvendësohet nga etiketa, ndërsa analiza nga reagimi emocional. Rritet mosbesimi ndaj mediave dhe ekspertëve, çka hap rrugë për teori konspirative dhe manipulime të reja. Në fund, normalizohet gjuha përjashtuese dhe polarizuese, e cila në kohë krizash mund të shndërrohet në tension real social, duke e bërë shoqërinë më të brishtë përballë çdo vale të re dezinformimi.

(Autori është hulumtues në hibrid.info)