Opinion

Kur dështakët e politikës dhe medias bëhen altoparlantë të urrejtjes publike!

Në kohën kur rrjetet sociale janë shndërruar në tribuna të vetë-shfrenimit publik dhe të denigrimit e anatemimit të figurave publike, gjuha e urrejtjes ka filluar të zëvendësojë çdo normë të komunikimit qytetar.

Ajo që dikur ishte debat konstruktiv dhe me qëllime fisnike, sot është shndërruar në sharje; ajo që dikur ishte argument, sot është anatemi.

Diagnoza sociologjike e këtij fenomeni është alarmuese: një shoqëri që ushqen denigrimin dhe konfliktin verbal, jo vetëm në komunikimet e saj të përditshme interpersonale e familjare, por edhe në ato publike, ngadalë por sigurt është e prirur ta brejë jo vetëm kodin e sjelljes morale që e kishte ndërtuar me përplot sakrifica në të kaluarën, por edhe ta shprishë, ta kontestojë e madje ta shkatërrojë edhe kodin e ri institucional që po e ndërtojmë së bashku.

1. Kur protagonizmi bëhet patogjen

Kohëve të fundit, përveç disa politikanëve dështakë, moderatorëve e pedagogëve të shndërruar në (b)analistë, këtij kalvari denigrues iu bashkëngjitën edhe disa pseudogazetarë e ish-deputetë “aksidentalë”, të cilët, duke përdorur gjuhë denigruese e përçmuese – gjuhë të urrejtjes – janë bërë model i shfrenimit publik!

Tragjika e këtij shfrenimi shkon aq larg, saqë gjuha e tyre denigruese e përçmuese, që në shumicën e rasteve shoqërohet me emocione hakmarrëse e arsyetime banale “moralizuese”, bëhet aq monotone, sa krijon rrezik që të instalohet si standard e normë e re “demokratike”. I gjithë ky “promovim” sociokulturor, i paparë ndonjëherë në kulturën dhe traditën tonë të komunikimit shoqëror, në “imagjinatën” sociologjike identifikohet si një cancel culture, që në shqip nënkupton një “konsumim” sistematik, apo një qëndrim publik gjithnjë leçitës ndaj grupeve e individëve të caktuar, të cilët keqpërdorin statusin e tyre qoftë në mediet sociale, apo edhe në format e tjera të komunikimit masiv. Në thelb, kjo kulturë e anatemimit dhe leçitjes nuk kërkon drejtësi, por poshtërim. Ajo nuk gjykon veprimin, por personin. Dhe për pasojë, krijon një spirale përçmimi që e shndërron opinionin publik në një gjykatës kolektiv që është tërësisht i zhveshur nga racionaliteti, ndjenja emocionale dhe kriteret etike e morale.

2. Nga debati në linçim publik

Prononcimet e tilla, të ngarkuara me frustrime dhe komplekse personale, e grupore shpesh nxisin irritim e reagim masiv te opinioni i gjerë. Ky zemërim publik, i ushqyer nga rrjetet sociale, mund të prodhojë edhe pasoja të papritura sociale – siç ishte rasti me “aksidentin” që i ndodhi deputetit Armend Zemaj, apo thirrjet publike për konvertime, në kohën kur Europa qe dy shekuj po ndërton shoqëri laike e shekullare!

Këto pasoja shpesh shndërrohen në thirrje për linçim, ku individit të “gabuar” i kërkohet të heqë dorë nga statusi apo privilegjet që posedon.

Në këtë mënyrë, rrjeti shndërrohet në një arenë “ndëshkimi moral”, ku njerëzit nuk kërkojnë reflektim racional, por dënim drakonik, nuk kërkojnë të vërtetën, por spektaklin e poshtërimit dhe denigrimit të tjetrit!

3. Kur kultura e turpit zëvendësohet me kulturën e përçmimit

Në shoqërinë tonë tradicionale, kultura e turpit kishte funksion disiplinues: ajo ruante rendin, kohezionin familjar dhe harmoninë si trashëgimi që bazohej dhe rindërtohej në parime morale dhe etikë sociale.

Sot, kjo normë është zëvendësuar me një “kulturë përçmimi”, ku njeriu përpiqet të bëhet i dukshëm përmes protagonizmit dhe konfliktit, e jo përmes virtytit dhe vlerave etike e morale. Njeriu modern, duke qenë më i lirë në përzgjedhjen e mënyrës së komunikimit, është bërë gjithashtu më i prirur dhe më i etur për protagonizëm të shëmtuar – një prirje që ushqehet stimulohet shumë më shumë nga afshi e pasioni, pëlqimet, ndjekësit dhe viraliteti, sesa nga nevoja për protagonizëm të bukurisë, fisnikërisë, bamirësisë, drejtësisë, e sundimit të ligjit! Sipas kulturologëve, ky lloj afshi apo pasioni i çakërduar dhe dezorjentur për kërkim vëmendje,  është shumë më i dëmshëm sesa sjelljet deviante klasike siçishin dhe ende janë, si; krimi, korrupsioni, hajnia, etj., sepse përçon një model të ri patologjik të komunikimit publik, në shoqëritë e transicionit sikurse jemi ne.

P. S. S'këndejmi; Shoqëria që e normalizon gjuhën e urrejtjes dhe të denigrimit publik, nuk mund të ndërtojë as institucione të paqes, as sish të sigurisë e as të stabilitetit. Sepse, shoqëritë e tilla të injekuara me "viruse" të tilla deviante janë pa asnjë dyshim të destinuara ta humbin busullën morale dhe, ngjashëm sikurse me trupin që refuzon vetveten, fillon të infektohet e sëmuret nga brendësia. Andaj, gjuha paqësore e aolidariteti organik, përveçse është dëshmuar si argumenti më i fuqishëm i shëndetit mendor të një shoqërie demokratike, është edhe mjeti më i fuqishëm i i ruajtjes së kohezionit shtetëror e  kombëtar.

Kurse, gjuha e urrejtjes dhe e denigrimit është virusi më i rrezikshëm i përçarjes shtetërore, fetare e  kombëtare..