Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Kostoja e varësisë: Ndërmjet politikave sociale dhe mungesës së reformave strukturore

Çështja thelbësore që ngrihet është nëse sistemi ekonomik dhe social është ndërtuar mbi nevojat reale të njerëzve dhe garantimin e mirëqenies së tyre afatgjate, apo, në të kundërtën, nëse qytetarët detyrohen vazhdimisht t’i përshtaten një sistemi ekzistues që funksionon kryesisht përmes ndërhyrjeve të përkohshme, vendimeve ad-hoc dhe mungesës së reformave të qëndrueshme strukturore?

Kosova ka zhvilluar ndër vite raport të ndërlikuar me politikat e mbështetjes financiare dhe transferet sociale. Kjo varësi ndaj “parave të shpejta” nuk është fenomen i izoluar, por lidhet me një trashëgimi historike dhe socio-ekonomike të ndërtuar që nga periudha e Jugosllavisë komuniste, ku territoret me status jo-republikane si Kosova, përveç analfabetizmit më të lartë, përfitonin më pak reforma dhe ndërhyrje të qëndrueshme sistemike në zhvillimin ekonomik dhe industrial, ndërsa trajtoheshin kryesisht përmes transfereve sociale të lidhura me varfërinë.

Në periudhën e luftës dhe pasluftës 1998/99, kjo dinamikë u thellua edhe më tej përmes migrimit masiv drejt vendeve me sisteme më të zhvilluara sociale dhe standard më të lartë jetese, ku modeli i mbështetjes sociale dhe komoditeti i sigurisë ekonomike përmes përfitimeve sociale ndikuan gjithashtu në formësimin e perceptimit ndaj rolit të shtetit (jam në ‘social’). Paralelisht, varësia nga remitencat, ndihmat sociale dhe donacionet e shumta ndërkombëtare veçmas pas vitit 1999, kontribuuan në forcimin e një kulture të mbështetjes financiare afatshkurtër, në vend të ndërtimit të mekanizmave të qëndrueshëm zhvillimorë. Të gjitha këto zhvillime kanë ndikuar që qytetarët ta shohin shtetin kryesisht si burim të ndihmës së drejtpërdrejtë financiare më shumë se sa si mekanizëm për reforma afatgjata dhe ndërhyrje sistemike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në këtë kontekst, pritshmëritë dhe kënaqësia e qytetarëve ndaj politikave publike shpesh reduktohen në nivel individual dhe mikroekonomik, duke lënë jashtë vëmendjes çështje fondamentale si cilësia e jetës, arsimi, mjedisi, energjia e ushqimi, apo dhe funksionaliteti afatgjatë i sistemit ekonomik e social. Në qendër të këtij perceptimi mbeten transferet e menjëhershme financiare si rezultate konkrete që preken, merren dhe përfitohen menjëherë. Kjo lidhet edhe me qasjet populiste ndaj politikave sociale, të cilat mbështeten në një kornizë të gjerë dhe të thjeshtuar, duke theksuar sigurinë, rendin shoqëror dhe shpërndarjen e drejtpërdrejtë të përfitimeve.

Kështu, çështja thelbësore që ngrihet këtu është nëse sistemi ekonomik dhe social është ndërtuar mbi nevojat reale të njerëzve dhe garantimin e mirëqenies së tyre afatgjatë, apo, në të kundërtën, nëse qytetarët detyrohen vazhdimisht t’i përshtaten një sistemi ekzistues që funksionon kryesisht përmes ndërhyrjeve të përkohshme, vendimeve ad-hoc dhe mungesës së reformave të qëndrueshme strukturore?

Mes skemës së targetuar dhe ndërhyrjes universale

Asistenca ad-hoc jo vetëm që krijon varësi ekonomike, por prodhon edhe pasoja të rëndësishme psikologjike dhe sociale. Kur mbështetja financiare bëhet përmes vendimeve të përkohshme, të paparashikueshme dhe pa mekanizma të qëndrueshëm institucionalë, qytetarët vendosen në një gjendje të vazhdueshme pasigurie. Në vend që të ndërtohet siguri afatgjatë përmes punësimit stabil, mbrojtjes sociale funksionale dhe politikave zhvillimore, individët ‘qëndrojnë në gjendje gatishmërie’ duke pritur ndërhyrje të radhës nga shteti për të mbuluar nevojat bazike.

Rritja e presionit nga krizat globale dhe pasiguritë gjeopolitike, të cilat në Kosovë marrin një peshë të veçantë për shkak të kujtesës ende të freskët të luftës, ndikojnë në zbehjen e ambicieve për kërkesa më strukturore dhe afatgjata. Në një kontekst të tillë ku ‘pasiguria globale është këtu për të qëndruar’ kritika ndaj politikave publike dobësohet, ndërsa vëmendja e qytetarëve orientohet drejt lajmeve dhe ndërhyrjeve të shpejta që ofrojnë lehtësim të menjëhershëm. Kjo gjendje e vazhdueshme e gatishmërisë përkthehet në perceptimin e ndërhyrjeve financiare të shpejta si përgjigje direkte ndaj vështirësive të përditshme, veçanërisht ndaj presioneve të inflacionit të lartë. Si rezultat, çdo transfer i tillë financiar shndërrohet në një masë që shihet si zgjidhje pothuajse ideale, duke u ekzaltuar dhe pranuar si përgjigje e plotë, edhe kur mungon dimensioni i tij afatgjatë dhe strukturor.

Por, krijimi i një sistemi të mirëqenies është proces kompleks që kërkon gjithëpërfshirje dhe dizajn të kujdesshëm institucional. Në praktikë, sistemet e targetuara të mirëqenies mund të prodhojnë përjashtime, duke krijuar grupe të pakënaqura që ndihen të lëna jashtë. Në Kosovë, sistemet qeveritare të mëhershme kanë ndërtuar një numër të madh skemash brenda strukturës së mirëqenies dhe kategorizime të ndryshme, ku disa prej tyre mund të kenë gjeneruar pakënaqësi të theksuar, ndërsa të tjera janë zgjeruar përtej logjikës fillestare, duke krijuar hapësira për përfshirje të pamerituar apo abuzime me statusin. Si pasojë, përpjekjet për korrigjim edhe janë perceptuar si favorizime për grupe të caktuara, gjë që ka rritur më tej pakënaqësinë publike.

Në kontrast me këtë qasje, qeveria aktuale ka ndjekur një mekanizëm tjetër, duke mos ndërtuar skema brenda sistemit ekzistues të mirëqenies, por duke krijuar ndërhyrje paralele jashtë tij. Këto ndërhyrje janë karakterizuar nga një shkallë më e lartë universalizimi dhe minimizim i kategorizimeve, duke u bazuar kryesisht në kritere të thjeshta si mosha, statusi prindëror dhe, në disa raste, statusi arsimor. Kjo qasje, e cila në thelb mund të shihet si më pak e ndërlikuar dhe më e drejtpërdrejtë, perceptohet si më e pranueshme në publik dhe shihet si më pak konfliktuale, duke i dhënë asaj një karakteristikë të fortë të qasjes populiste në dizajnimin e politikave sociale.

Qasja e parë, e bazuar në skema të targetuara dhe të brendshme të sistemit të mirëqenies, ka prodhuar në mënyrë të pashmangshme një aversion të konsiderueshëm te një pjesë e shoqërisë që e sheh veten të lidhur me parimin e meritokracisë dhe që shpesh ka refuzuar të bëhet pjesë e mekanizmave të ndryshëm të asistencës. Në kontrast, qasja e dytë ka sjellë një nivel më të lartë përfshirjeje automatike, duke reduktuar filtrat dhe kategorizimet, gjë që në një kontekst socio-kulturor ku ndihma e drejtpërdrejtë perceptohet si e dëshirueshme, e rrit pranueshmërinë publike.

Megjithëkëtë, qasja e dytë, pikërisht për shkak se mbështetet në këtë arkitekturë ekzistuese, nuk do të mund të funksiononte pa bazën e krijuar nga qasja e parë. Në këtë kuptim, është dukshëm më e lehtë të ndërhyhet ad-hoc mbi një sistem të ndërtuar më herët, duke e korrigjuar jo atë, por pakënaqësitë direkt në terren. Këto ndërhyrje ‘shpëtimtare’ në praktikë shndërrohen në instrument politik me efekt të drejtpërdrejtë elektoral, pasi përkthehen në zgjerim të pranueshmërisë publike dhe në konsolidim të mbështetjes politike përmes shpërndarjes së përfitimeve të menjëhershme.

Përfitim afatshkurtër, pasojë afatgjate

Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve mbetet jashtë këtyre skemave, përfshirë personat mbi 16 vjeç që nuk bëjnë pjesë në arsim, punësim apo kategori të tjera të përfshira në masat aktuale. Kjo nënkupton përjashtimin e një pjese të madhe të punëtorëve informalë dhe të rinjve jashtë arsimit dhe tregut të punës, në një kontekst ku Kosova vazhdon të karakterizohet nga nivele të larta të shkallës NEET, papunësisë dhe informalitetit, veçanërisht tek gratë.

Në këtë aspekt, mbetet veçanërisht domethënëse mospërfshirja e të papunëve në skemat e përfitimit si kundërpërgjigje ndaj inflacionit, duke qenë se pikërisht kjo kategori ka nevojën më të madhe për mbështetje të drejtpërdrejtë. Përtej papunësisë dhe informalitetit të dukshëm në terren, qendrat e punësimit në Kosovë regjistrojnë vazhdimisht të rinj dhe të reja në kërkim të punës.

Nëse do të fillonte përfshirja direkte e të papunëve në skema të tilla mbështetëse, kjo do të përbënte një shkundje të konsiderueshme për vetë sistemin, duke hapur njëkohësisht edhe çështje të mëdha të qëndrueshmërisë fiskale dhe kufizimeve buxhetore. Aktualisht, e vetmja kategori e të papunëve që ka mundësi përfitimi relativisht të drejtpërdrejtë mbeten gratë lehona të papuna, çka reflekton edhe një modalitet të bashkëdyzimit të rolit tradicional të grave me politikat sociale, ku mbështetja financiare lidhet kryesisht me funksionin prindëror dhe familjar më shumë sesa me integrimin e qëndrueshëm të tyre në tregun e punës.

Studime të ndryshme mbi papunësinë dhe asistencën sociale tregojnë se ndihmat e njëhershme financiare për të papunët, kur nuk shoqërohen me mekanizma të integrimit afatgjatë ekonomik, prodhojnë rëndim psikologjik dhe ndjenjë pasigurie. Në këtë kuptim, qeveria duket se shmang mbështetjen direkte të kësaj kategorie përmes transfereve të gjera të përfitimit, ndërsa paralelisht vazhdon ta ushqejë atë me pritshmërinë dhe shpresën se zgjidhja për pozitën e tyre sociale dhe ekonomike do të vijë përmes politikave të ardhshme dhe zhvillimit gradual të sistemit.

Nga reforma te transferi

Në thelb, që nga fillimi i shtetndërtimit, vetë sistemi mbetet i mangët.  Kjo veçanërisht për shkak të mungesës së një fondi funksional të sigurimeve shoqërore në Kosovë. Megjithatë, krijimi dhe funksionalizimi i tij është i ngadalshëm dhe kërkon ndërhyrje të thella në sistemin tatimor dhe financiar.

Nga pikëpamja politike, kjo bie ndesh me popullizmin. Andaj është dukshëm më e lehtë të shpërndahen përfitime të menjëhershme financiare sesa t’u komunikohet qytetarëve nevoja për rritje tatimore në këmbim të një sigurie afatgjatë. Në këtë kuptim, shpërndarja e parave mbetet instrumenti më i thjeshtë politik, ndërsa ndërtimi i mekanizmave të qëndrueshëm të mbledhjes dhe rishpërndarjes së burimeve është proces i kushtueshëm dhe politikisht i rrezikshëm.

Në një skenar ilustrativ se çfarë pasoja do të kishte një ndërhyrje në sistem mund të jetë sistemi pensional. Skema e krijuar pas luftës, nën ndikimin e modelit të propozuar nga Banka Botërore, ishte konceptuar si një zgjidhje tranzitore, ku pensioni bazik universal do të shërbente vetëm për një periudhë të kufizuar. Logjika e tij mbështetej në supozimin se Kosova do të zhvillonte gradualisht një treg pune të formalizuar, ku qytetarët përmes kontributeve do të financonin vetë pensionin e tyre.

Megjithatë, ky transformim duket se nuk ndodhi në masën e parashikuar. Sot, jo vetëm që tërheqja e skemës bazike nuk konsiderohet politikisht e mundshme, por edhe diskutimi për kufizimin e saj përkthehet menjëherë në kosto të drejtpërdrejtë elektorale.

Në këtë kuadër, krijohet një lidhje gjithnjë e më e drejtpërdrejtë midis politikave sociale dhe figurave politike brenda sistemeve të ndryshme qeverisëse, duke reflektuar mënyrën se si diskursi mbi shtetin social personalizohet dhe ndërtohet rreth aktorëve individualë, më shumë sesa rreth një modeli të konsoliduar institucional dhe afatgjatë të mirëqenies. Kjo tendencë është veçanërisht e dukshme në vendet fqinje në Ballkan, ku politika shpesh koncentrohet rreth një figure dominuese. Edhe Kosova po ndjek një trajektore të ngjashme, veçanërisht përmes komunikimit të centralizuar të vendimeve në nivel ekzekutiv, gjë që dobëson ndarjen institucionale të përgjegjësive dhe forcon perceptimin se politikat publike burojnë nga individë të caktuar, më shumë sesa nga institucione dhe procese të qëndrueshme vendimmarrëse.

Institucionalizimi i varësisë

Në një shoqëri me papunësi të lartë dhe me vëmendje të kufizuar ndaj arsimit e zhvillimit të kapitalit njerëzor, roli i shtetit perceptohet gjithnjë e më shumë përmes logjikës së shtesave dhe përfitimeve të menjëhershme financiare. Si pasojë, pritshmëritë qytetare zhvendosen nga kërkesa për reforma afatgjata drejt ndërhyrjeve të shpejta monetare.

Debati mbi transferet e shpejta universale shpesh mbetet i vështirë apo i humbur, pasi kundërshtimi i tyre prodhon reagim emocional dhe polarizim publik më shumë sesa reflektim mbi politikat strukturore. Kjo reflektohet edhe në diskursin politik, ku peshë merr kryesisht niveli i shtesave, zgjerimi i përfituesve dhe mënyra e ekzekutimit, më shumë sesa te ndërtimi i një sistemi të konsoliduar të mirëqenies.

Në mungesë të reformave substanciale dhe politikave të qëndrueshme të punësimit e arsimit, vendimet ad-hoc vazhdojnë të prodhojnë pasiguri sociale dhe varësi nga ndërhyrjet afatshkurtra të shtetit. Si rezultat, kultura e e përfitimit të shpejtë është institucionalizuar gradualisht në diskursin publik e cila shoqërohet me rritje të menjëhershme të kënaqësisë publike. Në këtë mënyrë, sistemi nuk mbetet si i ndërtuar për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë të qëndrueshme, por si një strukturë ndaj së cilës qytetarët kanë varësi dhe mbeten në gjendje pritjeje, të fokusuar te ajo që sjell sistemi në momentin e tanishëm dhe menjëherë.

(Autorja është ekonomiste dhe studiuese socio-ekonomike me përvojë të gjerë në analizën e tregut të punës, barazinë gjinore dhe politikat publike. Ajo është në përfundim të studimeve në doktoratës në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Lubjanës)