Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Basti i humbur zgjedhor i opozitës

Hapësira që po krijohet nga votuesit e paangazhuar nuk do të mbetet bosh përgjithmonë. Ajo është një hapësirë që pret të mbushet – me ide të reja, me aktorë të rinj, ose me forma të reja të organizimit politik. Dhe nëse kjo ndodh, atëherë zgjedhjet e 7 qershorit nuk do të kujtohen si një mundësi dhe bast i humbur për opozitën, por si momenti kur ajo filloi të humbasë edhe rolin e saj. Ndoshta, për herë të parë pas shumë vitesh, pyetja nuk është më nëse opozita mund të vijë në pushtet. Por nëse ajo, në formën që ka sot, do të ketë ende një rol për të luajtur në skenën politike

Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës u konceptuan nga partitë opozitare si mundësi për të ndryshuar rrjedhën e zhvillimeve politike në Kosovë. Ishte një përpjekje për rikonfigurim të peizazhit politik dhe raportit të forcave mes partive politike përmes një resetimi politik, duke ulur nivelin e përfaqësimit të Lëvizjes Vetëvendosje nën 51 deputetë dhe, në rastin më të mirë, nën 40 deputetë. Në këtë mënyrë do ta detyronin Lëvizjen Vetëvendosje që të bashkëqeveriste me ta dhe të bëheshin hisedarë realë në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve. Po ashtu, për partitë opozitare, ato nuk ishin vetëm zgjedhje të radhës apo të zakonshme; ishin bast i menduar që ky moment do të shënonte fillimin e fundit të dominimit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe hapjen e një faze të re, më të balancuar të jetës politike në vend.

Por politika nuk funksionon mbi bazën e asaj që dëshirohet nga partitë politike, por mbi kuptimin e preferencave të tre elektorateve: atyre që votojnë brenda vendit, atyre që votojnë në përfaqësitë diplomatike dhe atyre që votojnë përmes postës nga mërgata. Në këtë rast konkret, duket se opozita e keqkuptoi momentin dhe e humbi bastin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një nga shtyllat kryesore të këtij keqkuptimi ishte bindja se raporti i prishur politik midis Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit do të kishte pasoja të drejtpërdrejta në sjelljen e elektoratit. Kjo ide u përsërit aq shpesh para dhe gjatë fushatës, saqë gradualisht u shndërrua nga një interpretim i mundshëm në një “fakt” të supozuar politik. Lidershipi i opozitës e përqafoi këtë narrativë pa e vënë seriozisht në pikëpyetje fuqinë reale të Vjosa Osmanit në vitin 2026.

Por votuesit nuk reaguan sipas këtij skenari. Ata nuk e panë këtë përplasje si arsye për të ndryshuar preferencat e tyre. Dhe ndoshta kjo nuk duhet të na habisë. Sepse qytetarët shpesh e dallojnë më qartë sesa politikanët dallimin midis tensioneve personale dhe alternativave reale politike, e sidomos pas kampanjës së tej personalizuar që realizoi LDK.

Kjo nuk është hera e parë që pritshmëritë nuk kthehen në rezultat të mirë zgjedhor, dhe këtu kujtesa politike na ndihmon. Rasti i Agim Çekut në vitin 2007 mbetet ilustrues. Një figurë me reputacion të lartë publik si ish-kryeministër, me një kapital të ndërtuar ndër vite si komandant i UÇK-së dhe TMK-së, hyri në zgjedhje në vigjilje të shpalljes së pavarësisë me pritshmëri të mëdha. Por kur erdhi momenti i votimit, rezultati ishte krejt tjetër – Çeku, si kryetar i PSD-së, nuk kaloi pragun zgjedhor prej 5 për qind. Sepse pëlqyeshmëria e publikut nuk shndërrohet domosdoshmërisht në besim politik. Kjo shpjegon edhe ndikimin minimal politik dhe elektoral të Vjosa Osmanit në vitin 2026.

Edhe në vigjilje të zgjedhjeve të 7 qershorit, opozita duket se ka rënë në një iluzion të ngjashëm: se perceptimet se Vjosa Osmani gëzon mbështetje të gjerë te votuesit mund të zëvendësojnë nevojën që kanë për rikthimin e besimit të votuesve.

Rezultati i zgjedhjeve është i qartë. LVV mbetet forca dominuese me 53 deputetë dhe do të ketë mundësi që, së bashku me partnerët nga partitë minoritare, të sigurojë votat për Kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë. PDK, LDK dhe AAK mbeten në nivele të përafërta që nuk dallojnë shumë nga dy ciklet e fundit zgjedhore. Ka një rënie të lehtë të LVV-së, por ajo nuk është përkthyer në rritje reale politike të opozitës. Dhe kjo është ndoshta pjesa më domethënëse e këtij cikli zgjedhor.

Sepse tregon diçka që shpesh anashkalohet: votuesit mund të largohen nga një parti pa iu afruar një tjetre.

Kjo është ajo që duket se ka ndodhur më 7 qershor. Pjesëmarrja më e ulët nuk është thjesht vetëm një statistikë; është një tregues politik. Diku rreth 100 mijë votues kanë zgjedhur të mos votojnë krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit apo shkurtit të vitit 2025. Nuk është e thënë që ata janë të kënaqur me qeverinë. Por është e qartë që nuk janë bindur nga opozita.

Ky abstenim i tyre është ndoshta mesazhi më i fortë i këtyre zgjedhjeve.

Duke qenë se opozita nuk ka bërë analizë të mirëfilltë të rezultatit të saj jo të kënaqshëm në dy ciklet paraprake zgjedhore, ajo nuk po arrin ta kuptojë se nuk ka ndryshuar vetëm sjellja e votuesit, por edhe mënyra se si ai e koncepton politikën. Vija ndarëse tradicionale që ka strukturuar konkurrencën politike në Kosovë mes krahut të luftës dhe atij të paqes kanë humbur peshën e tyre mobilizuese që kishin në periudhën pasluftës deri rreth vitit 2014. Sot, vija reale ndarëse është zhvendosur diku tjetër: mes një politike të re dhe një politike të vjetër – që reflekton ngritjen e politikës anti-establishment në Kosovë.

Kjo ndarje manifestohet në disa dimensione konkrete. Mes atyre që deklarohen se do ta luftojnë korrupsionin dhe atyre që perceptohen si pjesë e tij. Mes atyre që dallohen në qasjen ndaj Serbisë dhe gatishmërinë për të marrë hapa për të neutralizuar strukturat e saj ilegale në Kosovë. Mes atyre që premtojnë konsistencë dhe atyre që thonë një gjë në opozitë dhe bëjnë një tjetër në pushtet – shpesh duke e arsyetuar këtë me nevojën për legjitimitet ndërkombëtar në kurriz të atij vendor. Mes atyre që ofrojnë një raport të ri me shtetin dhe atyre që vazhdojnë ta trajtojnë atë si instrument për realizim të qëllimeve personale të pasurimit apo të menaxhimit të pushtetit.

Pa një lexim të drejtë të këtyre parametrave dhe pa ndërtimin e alternativave që i adresojnë ato drejtpërdrejt, opozita rrezikon të mbetet e bllokuar në ciklin e saj aktual – një cikël që, zgjedhje pas zgjedhjesh, po e zvogëlon peshën e saj politike dhe vendimmarrëse. Dhe nëse opozita nuk tregohet bashkëpunuese në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri, ajo do të duhet ta bëjë këtë analizë dhe të realizojë reforma të brendshme në momentin më të keq të mundshëm: para ciklit të ardhshëm zgjedhor në vjeshtë të këtij viti. Mungesa e kohës do ta komprometojë cilësisht reformat e brendshme dhe ndryshimet e nevojshme në lidership për të qenë më të konkurrueshme në zgjedhje, si dhe do ta pamundësojë që lidershipi i ri të ndërtojë rrëfim të besueshëm politik për të tërhequr votuesit e rinj.
Dhe ky mesazh nuk lidhet vetëm me fushatën e fundit, por me një problem më të thellë që opozita e mbart prej kohësh. Në vend që të ndërtojë alternativa të qarta, ajo shpesh është fokusuar në kundërshtime sipërfaqësore të qeverisë. Në vend që të ofrojë vizion, rrëfim dhe lidership të besueshëm, ata thjesht bënë krahasim me lidershipin e Vetëvendosjes. Dhe në vend që të ndërtojë besim, ata e konsideruan të mirëqenë se votuesi do t’i votojë bazuar në atë që thonë dhe jo duke parë veprimet e tyre.

Zgjedhjet e 7 qershorit treguan se votuesit vazhdojnë të vlerësojnë koherencën dhe qartësinë e bindjeve politike. Sepse votuesit, që disa cikle zgjedhore, po favorizojnë figura politike qofshin nga partia në pushtet apo nga partitë opozitare që dëshmojnë konsistencë dhe autenticitet në qëndrime. Kjo shpjegon edhe rezultatin e dobët zgjedhor të liderëve opozitarë që shprehin qëndrime kontradiktore në një periudhë të shkurtër kohore. Andaj, përderisa fushata zgjedhore dhe, mbi të gjitha, politikëbërja e partive opozitare është orientuar më shumë nga PR-i sesa nga substanca politike, kjo ka dëshmuar se prodhon efekte të kufizuara zgjedhore dhe konsum të shpejtë të kapitalit politik.

Fushata e fundit e bëri këtë edhe më të dukshme. Ajo ishte e ndërtuar kryesisht rreth figurave të liderëve. Bedri Hamza, Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku ishin në qendër të komunikimit politik, por jo domosdoshmërisht si bartës të një projekti të ri. Më shumë si përfaqësues të një opozite të vjetër që ende kërkon formën e saj.

Po ashtu, partitë opozitare duhet të bëjnë një rishikimi serioz politik dhe elementar: të mos fajësojnë votuesit. Në momentin kur humbja arsyetohet duke i përshkruar qytetarët si naivë, të manipuluar apo të paaftë për të bërë zgjedhje “të drejta”, problemi nuk është te elektorati, por te vetë politika që dështon ta bindë atë. Politika nuk është ushtrim për një rreth të vogël njerëzish të mirinformuar, por proces i bindjes së atyre që nuk pajtohen me ty. Nuk është seleksionim, por përfshirje. Dhe pikërisht këtu opozita shpesh gabon: sillet sikur detyra e saj është të imagjinojë një elektorat ideal, në vend se të përballet me atë real. Por zgjedhjet nuk janë ligjërata akademike dhe votuesit nuk janë audiencë e përzgjedhur. 

Votuesit nuk zgjidhen – ose u përshtatesh atyre dhe i bind, ose i humb.

Kjo nuk është vetëm çështje stili. Është çështje përmbajtjeje.

Sepse kur partitë opozitare nuk arrijnë të krijojnë ofertë të besueshme politike që i tejkalon individët, ato mbeten të kufizuara nga ta. Dhe kur kjo ndodh për një kohë të gjatë, elektorati fillon ta perceptojë politikën si një rreth të mbyllur, ku ndryshojnë emrat, por jo logjika.

Këtu hyn edhe një element tjetër që nuk mund të anashkalohet: mungesa e një reflektimi të sinqertë për të kaluarën dhe për shkaqet e humbjeve të njëpasnjëshme zgjedhore. Partitë opozitare në Kosovë kanë qenë në pushtet, në konfiguracione të ndryshme, për periudha të gjata. Kanë marrë vendime, kanë bërë gabime, kanë prodhuar pasoja. Por rrallëherë ka pasur një përballje të hapur me këtë trashëgimi dhe distancim nga figurat politike që i asociojnë me atë periudhë të keqqeverisjes.

Pa këtë përballje, çdo premtim për ndryshim mbetet i paplotë. Sepse qytetarët nuk kërkojnë vetëm alternativa të reja; ata kërkojnë garanci që e kaluara nuk do të përsëritet.

Në të njëjtën kohë, perceptimi për lidhje të vazhdueshme me interesa të caktuara ekonomike dhe mediatike vazhdon të rëndojë mbi opozitën. Edhe kur këto lidhje nuk janë të dukshme në çdo rast, ato mbeten pjesë e mënyrës se si votuesit e lexojnë politikën. Dhe perceptimi, në politikë, shpesh ka peshë sa realiteti.

Në zgjedhjet e njëpasnjëshme nga viti 2025, votuesit në Kosovë po kërkojnë më shumë sesa një ndërrim qeverie. Ata po kërkojnë drejtim të qëndrueshëm – krijim të institucioneve pa pengesa dhe ide më të qarta se ku po shkon vendi dhe si do të arrijë atje. Zgjedhjet e 7 qershorit tregojnë se kjo kërkesë mbetet ende pa përgjigje nga opozita.

Dhe pikërisht këtu qëndron sfida e saj më e madhe.

Sepse kjo nuk është më vetëm një çështje rezultati elektoral. Është një çështje kuptimi. Nëse opozita nuk arrin ta kuptojë pse nuk po arrin të bindë, atëherë ajo rrezikon të mbetet jashtë jo vetëm pushtetit, por edhe relevancës.

Ndërkohë, hapësira që po krijohet nga votuesit e paangazhuar nuk do të mbetet bosh përgjithmonë. Ajo është një hapësirë që pret të mbushet – me ide të reja, me aktorë të rinj, ose me forma të reja të organizimit politik.

Dhe nëse kjo ndodh, atëherë zgjedhjet e 7 qershorit nuk do të kujtohen si një mundësi dhe bast i humbur për opozitën, por si momenti kur ajo filloi të humbasë edhe rolin e saj.

Ndoshta, për herë të parë pas shumë vitesh, pyetja nuk është më nëse opozita mund të vijë në pushtet.

Por nëse ajo, në formën që ka sot, do të ketë ende një rol për të luajtur në skenën politike.