E ftuara e radhës në emisionin “Nëpër Film” ishte aktorja e njohur nga Maqedonia e Veriut, Drita Kaba-Karaga. Në prag të premierës kosovare të filmit të saj të ri “Burri i shtëpisë”, të dielën në natën e fundit të “PriFestit”, ajo shpalosi detaje rreth projektit të regjisorit Andamion Murataj, i cili premierën botërore e pati gjatë verës në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Sarajevë.
“Burri i shtëpisë” fokusohet te Frani, rol ky të cilin e luan Karaga. Është një personazh kompleks. Jeton si beqare, në traditën e një virgjëreshe të betuar shqiptare. Për t’u bërë nënë e mbesës së saj të vogël, e cila ka mbetur jetime, Frani duhet ta bëjë zgjedhjen e vështirë: të vazhdojë ta mbajë statusin e një burrneshe, ose të heqë dorë nga të gjitha dhe të rilidhet me ndjenjat femërore të nënës, të cilat ajo i ka ndrydhur për një kohë të gjatë.
Aktorja Karaga po ashtu ka treguar për projektet e radhës filmike si dhe angazhimet në shfaqje teatrale, të gjitha këto prodhime të shteteve si Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.