Driton Kuka ka ngritur me krenari nëntë gishta, pasi Distria Krasniqi të shtunën e fitoi të artën në Grand Slamin e Parisit. Ishte medalja e nëntë e Distrisë në këtë ngjarje madhore, por për më tepër ishte e nënta e arta e Driton Kukës si trajner në Grand Slamin e Parisit. Dhe për të shënuar këtë arritje të rrallë, kryemjeshtri Kuka ngriti nëntë gishta në arenën “Bercy” të mbushur me afro 20 mijë shikues, derisa po bënte fotografi me kampionen e mahnitshme.
Nxënësit e Driton Kukës në fakt i kanë plot 19 medalje në Grand Slamin e Parisit. Dhe prej tyre plot nëntë janë të arta.
“Medaljet e arta në Paris, ku atmosfera dhe vlera e sportit të xhudos është në dritën më të bukur të saj, është e veçantë. Sinqerisht, krahasohet me të arta e Botërorit dhe të Olimpiadës”, ka thënë kryemjeshtri Kuka të dielën për KOHËN.
Ai vazhdimisht ka veçuar atmosferën në arenën “Bercy” që e bëjnë edhe më madhështore mijëra shikuesit, shumë prej tyre njohës të mirë të xhudos.
“Atmosfera impozante në një ndër qytetet më të bukura në botë, e në shtetin ku xhudo është ndër sportet më të popullarizuara, pastaj konkurrenca gjithmonë shumë e fortë, e bëjnë ndjenjën e së artës një përjetim të paharrueshëm për mua si trajner”, ka shtuar Kuka.
Trajneri me pesë medalje olimpike, prej tyre tri të arta, së fundi ka limituar numrin e garave ku merr pjesë, përkatësisht ku ulet në karrigen e trajnerit. Por garën e Parisit nuk e lëshon asnjëherë. Ka të bëj edhe me madhështinë që Grand Slami ka si ngjarje në botën e xhudos.
Ishte viti 2013 kur xhudistët e Kosovës e fituan medaljen e parë në Paris. Majlinda Kelmendi kishte fituar të argjendtë. Prej atëherë, Kosova ka fituar rregullisht medalje në kryeqendrën franceze. Medaljet mungojnë vetëm në një vit kur edhe xhudistët kosovarë munguan.

Distria tashmë i ka plot nëntë medalje, prej tyre katër të arta. Majlinda i ka katër të arta e një të argjendtë. Akil Gjakova ka një të artë, një të argjendtë e një të bronztë. Nora Gjakova i ka dy të bronzta.
“I gjithë ekipi e adhurojmë këtë garë. Numri i medaljeve që kemi, numri i të artave, është mrekulli”, thotë Driton Kuka.
Standardi që ai ka vënë në Paris, njëjtë si në ngjarjet madhore, Olimpiadë, Botëror e Evropian, është shumë i lartë. Por puna që bën Kuka dhe trajneri i tij i trajnerëve është garanci që në Parisin e bukur do të fitohen edhe shumë e shumë medalje të tjera.