Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

"Na turpëruan", vazhdojnë reagimet e serbëve për intonimin e himnit të Kosovës në sallën "Serbia"

Medalja e Kosoves ne xhudo ne Ballkanikun ne Bosnje-Hercegovine

Serbët në Bosnjë-Hercegovinë, përkatësisht në Republika Srpska, ende po reagojnë lidhur me intonimin e himnit të Kosovës në sallën “Serbia” në sheshin “Serbia” në Sarajevën Lindore. Këtë të shtunën e mundësuan xhudistet Flaka Loxha e Dëbora Gjakova,  që fituan medalje të arta në Kampionatin Ballkanik për seniorë. 

Për herë të parë himni i Kosovës është intonuar në Republikën Srpska, njërin prej dy entiteteve të Bosnjë-Hercegovinës. Për shkak të Republika Srpskas, Bosnja nuk e pranon shtetin e Kosovës. Por himni i Kosovës u intonua dhe flamuri i Kosovës u shfaq, ndonëse vetëm në ekran. Edhe himni është ndalur në gjysmë, kurse reagimet kanë qenë të shumta prej atëherë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Intonimi i himnit të Kosovës ka shërbyer për përplasje politike të partive serbe në Bosnjë-Hercegovinë. Ndërkohë është kuptuar që komuniteti i xhudos në Republika Srpska është i ndarë në dy grupe. Njëri grup e organizoi Ballkanikun, e tjetri pretendon se është legjitim, por që nuk ishte pjesë e kësaj ngjarjeje. Drejtues të grupit të dytë të mërkurën ishin mysafirë në programin e mëngjesit të RTRS, televizionit publik të Republika Srpskas.

Zhivko Milijash, që pretendon se udhëheq xhudon në Republika Srpska, ka thënë se me intonimin e himnit të Kosovës janë turpëruar.

“Për ne më e madhe është Republika Srpska. Edhe nëse do të na ndalonin nga ndonjë garë, Republika Srpska ka prioritet për ne. Është dashur të shmangim këtë turpërim, që është njollë e re për federatën tonë”, ka thënë Milijash ndër të tjera. 

Ai ka vlerësuar se nuk do të kishte dënim nëse nuk do të lejohej himni i Kosovës.

Dejan Qop, që pretendon se është sekretar i Federatës së Xhudos së Republika Srpskas, ka thënë se himni i Kosovës është shfaqur në “djepin e serbizmit”. Kështu e ka quajtur ai Sarajevën Lindore.
Në fakt qëndrimet anti-shqiptare e anti-Kosovë në Republika Srpska janë shumë theksuara. Por xhudistët kanë njoftuar serbët në atë pjesë me himnin e Kosovës.

“Kjo ndodhi në djepin e serbizmit, në Sarajevën Lindore. Pas shumë ngjarjeve, të intonohet ai himn në territorin tonë, nuk është në rregull”, ka thënë Qop.

Në fakt ekipi i Kosovës në xhudo, i përbërë me garues perspektivë, as  që do të merrte pjesë në Ballkanik nëse nuk do të kishte garancinë e prezantimit të barabartë me delegacionet tjera. Në sallë nuk ka pasur flamuj të vendeve pjesëmarrëse, por flamujt janë shfaqur në ekranin prapa podiumit. Ndërkohë himni i Kosovës është intonuar si gjithë të tjerët, ndonëse u ndal në gjysmë. Shumë prej serbëve u larguan nga salla pa nisur intonimi i himnit. 

Organizatori i Ballkanikut ka dhënë maksimumin që xhudistët e Kosovës të jenë të sigurt gjatë qëndrimit në Sarajevë. Provokimet e serbëve nuk kanë munguar, por nuk kishte ndonjë brengë për sigurisë. Dhe nga Sarajeva xhudistët u kthyen si fitues të mëdhenj.