Ekipi i trajnerëve të Kosovës në xhudo është rritur shumë. Pos në numër, ekipi i kryemjeshtrit Driton Kuka është rritur hovshëm edhe në cilësi. Pjesë e tij tashmë janë edhe dy kampione olimpike, Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova.
Majlinda e Nora po marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi. Dhe po e përcjellin te të rinjtë përvojën e jashtëzakonshme që kanë në xhudo.
Majlinda ka nisur si trajnere pak muaj pasi i dha fund karrierës si xhudiste, në verën e vitit 2021. Tashmë ka përvojë disavjeçare, ndërsa puna e saj çmohet nga kryemjeshtri Kuka dhe xhudistët. Por jo vetëm në Kosovë, Majlinda si trajnere, vlerësohet. Ajo ka treguar se tashmë ka oferta për të punuar si trajnere e xhudos edhe në vende të tjera.
Majlinda është legjendë e xhudos dhe e sportit kosovar në përgjithësi. Kampionia olimpike nga “Rio 2016”, kishte oferta për të përfaqësuar vende të tjera edhe sa ishte xhudiste. Kishte refuzuar ofertë të majme nga Azerbajxhani.
Te trajnerët, lëvizjet janë më të zakonshme. Por Majlinda ka vendosur që të punojë në Kosovë.
Ajo ka treguar në një bisedë për KOHËN se si trajnere është pritur shumë mirë në botën e xhudos.
“Mirë shumë. Në fillim ka qenë vështirë derisa e kam gjetur rrugën si trajnere sepse është komplet punë tjetër. Pavarësisht që jam duke bërë xhudo, është krejt diçka tjetër të jesh trajnere e tjetër garuese. Mirëpo, në përgjithësi më kanë pritur mirë. Dhe si trajnere tani kam goxha respekt, kudo që shkoj. Ndoshta këtë e dëshmon fakti që edhe si trajnere kam oferta serioze prej shteteve të ndryshme. Një ndër to është edhe oferta prej Emirateve të Bashkuara Arabe. Realisht atje janë rrogat e majme. Rrogat shkojnë diku deri në 10-15 mijë euro. Por unë as nuk e kam diskutuar, as nuk kam dashur ta mendoj. Toni ka nevojë për mua, ka fëmijë këtu me të cilët jam e lidhur dhe kam dëshirë që ata të bëjnë rezultate”, ka treguar Majlinda.
Ajo ka edhe një arsye tjetër për të vazhduar të punojë në Kosovë.
“Në anën tjetër i kam edhe prindërit që kanë bërë vite dhe që si garuese nuk kam pasur shumë kohë të kalojë me ta. Kështu që, kam vendosur që edhe si trajnere të mbetem në Kosovë. Të ardhmes nuk i dihet por që tash jam këtu”, ka shtuar Majlinda.
Ajo ka bërë histori si xhudiste. Vlerësohet se ka hapur shumë dyer, ndërsa sukseset e saj kanë ndikuar shumë që Kosova të pranohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe në asociacionet tjera të sportit.
Që në debutim të Kosovës në Lojëra Olimpike, Majlinda fitoi medalje të artë. Ka edhe dy tituj të botës dhe një medalje të bronztë botërore. Ndonëse është sfiduar seriozisht nga lëndimet, dhe atë për kohë të gjatë, Majlinda i ka edhe katër tituj të Evropës dhe shumë e shumë medalje nga ngjarjet e mëdha të xhudos.
Si trajnere, Majlinda ka përgjegjësi tjetër. Dhe ajo jo gjithnjë është e kënaqur me përkushtimin e të rinjve. Madje është kritike ndaj tyre.
“Po, është komplet ndjenjë ndryshe. Është përgjegjësi edhe kështu edhe si garuese. Ndoshta si garuese e kam pasur më të lehtë sepse kam qenë shumë punëtore dhe e kam pasur një cak, një qëllim. Dhe për atë kam punuar. Ndërsa si trajnere, ndoshta në momente të caktuara kam vullnet më shumë unë sesa vetë garuesit, çka nuk është normale. Por tash, në këtë kohë që po jetojmë, edhe me fëmijët që kemi punë, është goxha vështirë për ta nxjerrë maksimumin nga ta. Është bërë njëfarë standardi i mirë i jetës në Kosovë, pavarësisht se ne vetëm ankohemi, dhe tash fëmijët i kanë të gjitha kushtet. Kanë çdo gjë dhe po t'i mundojmë pak më shumë, po ikin. Kështu që na duhet ta gjejmë njëfarë mënyre ndoshta t'i bëjmë 100 gjëra, për ta nxjerrë maksimumin në stërvitje prej një fëmije. Kështu që, vështirë shumë, por jam shumë me fat. E kam thënë disa herë që kam prej kujt të mësoj. Jam shumë me fat që Toni është këtu dhe po të mos ishte Toni, do të ishte shumë, shumë më e vështirë”, ka theksuar Majlinda Kelmendi.
Ajo ndien se të rinjtë nuk e kanë përkushtimin e duhur për sukses në sport. Thotë se përkushtimi i sportistëve të rinj nuk mund të krahasohen me përkushtimin që e kishte ajo, dhe që e kanë ende Distria Krasniqi, kampionia tjetër olimpike, dhe Akil Gjakova, kampioni evropian.
Majlinda megjithatë i beson sistemit të punës dhe pret që Kosova të vazhdojë të prodhojë xhudistë cilësorë, me gjithë sfidat.
“Kjo sigurisht e bën punën tonë edhe më të vështirë. Por, rezultatet sigurisht që pas një kohe vijnë, si rezultat i sistemit të punës. Toni e di saktësisht çfarë dhe si ta bëj. Kështu që, me sistem të mirë të punës, nuk ka rrugë tjetër pos që pas disa vitesh të dalë diçka. Por realisht është goxha e vështirë, siç e thashë edhe më herët, edhe t'i motivosh fëmijët. Ka disa që vijnë këtu dhe janë shumë të talentuar, që ne llogarisim në ta, por që ata ndoshta nuk e dinë as vetë a duan sport apo shkollë. Apo asnjërën. Por ne nuk ndalemi. Toni nuk është që gjithë garuesit i ka pasur punëtorë. Ka pasur edhe garues që nuk kanë pasur talent, që nuk kanë qenë punëtorë aspak, dhe prej tyre ka nxjerrë sportistë kulminantë. Kështu që do të thotë se e kemi çelësin drejt suksesit”, ka thënë Majlinda Kelmendi.
Legjenda e xhudos nuk është e para që shpreh brenga për vendosmërinë e të rinjve që të merren seriozisht me sport. Por vlerësimi i saj ka peshë të madhe dhe duhet të merret seriozisht.