Karateisti kosovar që përfaqëson Shqipërinë, Orges Arifi, është kualifikuar në finale të Kampionatit Evropian që po mbahet në Yerevan të Armenisë.
Me kalimin në finale të Evropianit, Arifi ka siguruar të paktën medaljen e argjendtë. Por, Arifi synon medaljen e artë në ngjarjen kryesore kontinentale.
Arifi i kategorisë deri 60 kilogramë pati rrugëtim të mirë deri në finale.
Luftën e parë, Arifi e fitoi 2:1 kundër karateistit të Malit të Zi, Balsa Vojinoviq. Në luftën e dytë mposhti 4:2 çekun, Martin Drabek, kurse spanjollin Urko Velasco Primicia e eliminoi në xhiron e tretë. E mposhti 1:0. Në gjysmëfinale e eliminoi karateistin e Bosnjë-Hercegovinës. Ndaj karateistit boshnjak, Kenan Siljak, Arifi fitoi 5:3.
Arifi 29-vjeçar në finale të Evropianit do të paraqitet për herë të dytë rresht. Ai vitin e kaluar fitoi medalje të argjendtë në Evropianin e karatesë të mbajtur në Zarë të Kroacisë.
Medalja e argjendtë e fituar nga karateisti prishtinas, ishte suksesi më i madh në karrierë.
Arifi e kishte fituar të argjendtën evropiane pesë vjet pasi u largua nga Kosova dhe u kthye te Shqipëria. Nga Kosova ishte larguar bashkë me disa karateistë të tjerë, duke pretenduar në përkrahje të pamjaftueshme dhe trajtim jo të duhur nga Federata e Karatesë.
“Orges Arifi, për herën e dytë radhazi në finale të Kampionatit Evropian. Një shembull frymëzues i vendosmërisë dhe talentit. Pas katër fitoresh spektakolare kundër përfaqësuesve të Malit të Zi, Çekisë, Spanjës dhe në gjysmëfinale kundër Bosnjë-Hercegovinës, Arifi arriti të shkojë në finale të Kampionatit Evropian për herën e dytë radhazi. Stafi i FSHK-së falënderon të gjithë ekipin përfaqësues dhe i uron suksese Orgesit në finalen e ditës së nesërme”, shkruan Federata Shqiptare e Karatesë.

Në finale, Arifi do të ballafaqohet me rusin, Akhed Akhmedov. Rusi Akhmedov garon me flamurin e Federatës Evropiane të Karatesë (EKF).
Karateisti rus, në gjysmëfinale eliminoi karateistin e Kosovës, Islam Selmani.
Selmani 19-vjeçar pati rrugëtim të mirë deri në gjysmëfinale.
Xhiron e kaloi pasi e mposhti 4:2 skocezin, Adam Hamill. Bindshëm fitoi edhe në luftën e dytë. Shënoi fitore 9:1 kundër rumunit, Mario Petre. Në raundin e tretë, Selmani eliminoi grekun, Christos-Stefanos Xenos. Por, në gjysmëfinale humbi nga rusi Akhmedov.
Selmani lufton për medalje të bronztë të shtunën. Për kundërshtar do ta ketë armenin Yura Zalyan. Për medalje të bronztë lufton edhe Betim Maliqi. Maliqi, që garon në kategorinë deri 75 kilogramë, ndërsa në luftën për medalje të bronztë do ta zhvillojë kundër italianit Daniele De Vivo.
“Urojmë të kthehemi me medalje nga Armenia. Ky është edhe synimi ynë”, ka thënë selektori i Kosovës në karate, Isak Curri.
Në vitin 2022, Selmani kishte fituar medaljen e artë në Evropianin për kadetë, juniorë dhe U21.
Shpresim Shabani, që garon në kategorinë deri 67 kilogramë, u ndal në luftën e tij të parë. Ai ishte i lirë në xhiron e parë, por u ndal në luftën e dytë. Humbi 4:2 nga karateisti i Letonisë, Atur Stepanov.
Redona Gashi e kategorisë deri 50 kilogramë u ndal në luftën e parë nga garuesja e Bosnjë-Hercegovinës. Humbi 4:1.
Anila Foniqi, që garon deri 55 kilogramë, humbi në luftën e parë nga gjermania Mia Bitsch, ndërsa edhe në repesazh po ashtu pësoi disfatë nga skocezja Amy Connell.
Kosova do të paraqitet edhe në garat ekipore.