Lifestyle

Zakonet që duhet ndjekur personat me sindromë të zorrës së irrituar

ushqime

Nëse jeni diagnostikuar me sindromën e zorrës së irrituar (IBS), ndoshta jeni përmbysur me ndryshime në dietë për të menaxhuar simptomat. Por sipas dietologes Kim Kulp, kjo qasje shpesh është e gabuar.

“Shumë njerëz me IBS fillojnë duke përjashtuar ushqime. Shumë provojnë të heqin bulmetin apo glutenin, dhe kur kjo nuk ndihmon, përjashtojnë edhe ushqime të tjera. Kjo mund të çojë në një dietë të varfër në lëndë ushqyese dhe që prapë nuk i kontrollon simptomat”, ka thënë ajo, raporton Eating Well.

Dietologët thonë se mënyra si hani mund të jetë po aq e rëndësishme, ndoshta edhe më shumë, se sa ajo çfarë hani.

“Si dietologe që punon me pacientë me IBS, një zakon që gjithmonë përpiqem t’ua forcojë është që të ngadalësojnë gjatë vakteve”, ka thënë dietologia Kara Hochreiter.

Pavarësisht nëse vuani nga IBS-C (kapsllëk), IBS-D (diarre) apo forma të kombinuara, të ngrënit më ngadalë mund t’i përmirësojë simptomat tuaja.

Si mund të ndihmojë të ngrënit më ngadalë në menaxhimin e IBS

- Përmirëson komunikimin tru-zorrë

Kur hani në një gjendje të stresuar apo duke u nxituar, kjo gjë ndikon negativisht në tretje për shkak të lidhjes së fortë mes trurit dhe sistemit tretës. Nën stres, truri e zhvendos energjinë dhe qarkullimin e gjakut larg aparatit tretës, dhe kjo ndikon menjëherë te zorra.

“Nëse hani në këtë gjendje, tretja ngadalësohet ose çrregullohet”, thotë Hochreiter. 

Dhe për ata që tashmë kanë simptoma të IBS, pasojat e stresit mund të jenë edhe më të mëdha.

- Mund të përmirësojë tretjen

“Diçka aq e thjeshtë sa të shmangni shpërqendrimet, të përtypni mirë dhe të merrni frymë thellë para vakteve mund të aktivizojë mënyrën ‘pushim dhe tretje’ të trupit dhe të ulë ndjeshëm simptomat”, ka shtuar Hochreiter.

Ajo rekomandon të planifikoni 20 deri në 30 minuta për çdo vakt. Edhe pse është e vështirë kur jeni të zënë, ky zakon mund të ndihmojë ndjeshëm në mirëqenien tuaj pas ngrënies.

Mënyra të tjera për të menaxhuar IBS

Në bashkëpunim me mjekun apo një dietolog të regjistruar, ekspertët rekomandojnë edhe këto zakone:

Mbani një ditar ushqimi dhe simptomash

“Është një nga mjetet më të fuqishme për të marrë kontroll mbi simptomat dhe për t’u ndier më mirë çdo ditë”, ka thënë dietologia  Jessie Winstead.

Ditari ndihmon në identifikimin e ushqimeve që mund të jenë shkaktarë.

Qëndroni të hidratuar

Dehidrimi mund të ngadalësojë tretjen dhe të përkeqësojë simptoma si kapsllëku dhe fryrja. Në rastin e diarresë, është thelbësore të rikuperoni lëngjet e humbura.

Mos i anashkaloni vaktet

“Të qëndrosh shumë gjatë pa ngrënë mund të aktivizojë sistemin nervor dhe tretës në mënyrë të tepruar. Të hash çdo 3-4 orë ndihmon në balancimin e kortizolit dhe ritmit cirkadian, si dhe parandalon ngrënien impulsive të ushqimeve që irritojnë zorrën”, shpjegon dieotologia  Keelin Murphy. 

Lëvizje e lehtë pas vakteve

Një shëtitje 10-15 minuta pas ngrënies mund të ndihmojë në stimulimin e tretjes dhe lehtësimin e simptomave. Një studim i vogël zbuloi se shëtitjet ishin po aq efektive sa medikamentet për lëvizshmërinë e zorrëve në reduktimin e fryrjes, gazrave dhe dhimbjes së barkut.

Mos e anashkaloni mëngjesin

“Ky vakt i hershëm aktivizon refleksin gastro-kolik, i cili ndihmon në lëvizjet e rregullta të zorrëve dhe ndihmon tretjen gjatë ditës”, thotë dietologia Katie Schimmelpfenning. Mëngjesi gjithashtu siguron energji të qëndrueshme dhe redukton stresin në sistemin tretës.

Praktikoni teknika relaksuese

“Për të qetësuar zorrën, duhet së pari të qetësojmë gjithë organizimin”, thotë Hochreiter. Ajo rekomandon teknika si frymëmarrje e thellë, meditimi, yoga e lehtë, dhe stimulimi i nervit vagus përmes këndimit.