Një studim i ri ka zbuluar se vaksina kundër herpes zosterit (shingles) mund të bëjë më shumë sesa vetëm të mbrojë nga infeksioni viral, ajo mund të ndihmojë edhe në ngadalësimin e plakjes biologjike te personat e moshuar, ka raportuar The Independent.
Shkencëtarët nga Universiteti i Kalifornisë Jugore (University of Southern California) kanë deklaruar se kjo vaksinë, e cila zakonisht u jepet të moshuarve, mund të ketë përfitime më të gjera shëndetësore.
Studimi ka përfshirë më shumë se 3.800 persona dhe ka treguar se ata që kishin marrë vaksinën shfaqnin më pak shenja të inflamacionit dhe plakjes biologjike, krahasuar me ata që nuk ishin vaksinuar.
“Duke ndihmuar në uljen e këtij inflamacioni të vazhdueshëm, ndoshta duke parandaluar riaktivizimin e virusit që shkakton herpes zosterin, vaksina mund të luajë një rol në mbështetjen e një plakjeje më të shëndetshme. Edhe pse mekanizmat e saktë biologjikë ende nuk janë plotësisht të kuptuar, potenciali i vaksinimit për të ulur inflamacionin e bën atë një shtesë premtuese në strategjitë më të gjera për forcimin e organizmit dhe ngadalësimin e rënies që vjen me moshën”, ka thënë autorja kryesore e studimit Jung Ki Kim.
Sipas Kim, gjetjet përputhen me studime të tjera të fundit, të cilat kanë treguar se vaksinat për të rritur, si ajo kundër herpes zosterit ose gripit, lidhen me rrezik më të ulët për demencë dhe sëmundje të tjera neurodegjenerative.
“Ky studim i shtohet provave në rritje se vaksinat mund të kenë rol në plakjen e shëndetshme, duke ndikuar në sistemet biologjike përtej parandalimit të infeksioneve”, ka thënë ajo.
Vaksina kundër herpes zosterit ofrohet nga Sherbimi Shendetesore Britanik, (NHS) për të gjithë personat që mbushin 65 vjeç, si dhe për ata të moshës 70 deri në 79 vjeç.
Në këtë studim, shkencëtarët kanë analizuar të dhënat e afro 4.000 personave të moshuar nga studimi amerikan për shëndetin dhe pensionimin, për të parë se si vaksina ndikon në shenja të ndryshme të plakjes.
Ata kanë matur shtatë aspekte të plakjes biologjike, përfshirë inflamacionin, mbrojtjen ndaj infeksioneve, imunitetin adaptiv, qarkullimin e gjakut, neurodegjenerimin, plakjen epigjenetike dhe atë gjenetike.
Rezultatet kanë treguar se personat e vaksinuar kishin nivele dukshëm më të ulëta të inflamacionit, plakje më të ngadaltë biologjike dhe rezultate më të mira të përgjithshme të plakjes.
Inflamacioni është i njohur si faktor që ndikon në sëmundje të zemrës, dobësi fizike dhe rënie të aftësive njohëse, një proces i quajtur “inflam-plakje”.
“Këto gjetje tregojnë se vaksina kundër herpes zosterit ndikon në fusha të rëndësishme që lidhen me procesin e plakjes. Ani pse nevojiten studime të tjera për të konfirmuar dhe zgjeruar këto rezultate, sidomos përmes studimeve afatgjata, puna jonë i shtohet provave që sugjerojnë se vaksinat mund të luajnë rol në strategjitë për plakje të shëndetshme, përtej parandalimit të sëmundjeve akute”, ka thënë bashkautorja e studimit, Eileen Crimmins.