Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Suplementet me omega-3 nuk sjellin përfitime kundër Alzheimerit

Omega-3

Omega-3

Miliona njerëz marrin suplemente me vaj peshku (omega-3) me shpresën se do të mbrojnë kujtesën dhe do të ulin rrezikun e sëmundjes së Alzheimerit. Megjithatë, një studim i ri ka treguar se këto suplemente nuk sjellin përfitimet që shumë njerëz presin, ka shkruar ScienceDaily.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore eBioMedicine dhe i udhëhequr nga studiues të Keck Medicine në Universitetin e Kalifornisë Jugore (USC), ka zbuluar se megjithëse acidet yndyrore omega-3 arrijnë në tru, ato nuk përmirësojnë kujtesën, aftësitë mendore dhe as nuk ngadalësojnë ndryshimet në tru që lidhen me sëmundjen e Alzheimerit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në studim morën pjesë 365 persona të moshës 55 deri në 80 vjeç, të cilët konsumonin rrallë peshk dhe konsideroheshin me rrezik më të lartë për zhvillimin e Alzheimerit. Pjesëmarrësit morën çdo ditë suplemente me dozë të lartë omega-3 ose placebo për dy vjet.

Pas gjashtë muajsh, analizat treguan se omega-3 kishte arritur me sukses në tru. Megjithatë, pas dy vjetësh nuk u vu re asnjë përmirësim në testet e kujtesës dhe të të menduarit.

Skanimet e trurit treguan gjithashtu se suplementet nuk e ngadalësuan tkurrjen e hipokampusit, pjesës së trurit që luan rol të rëndësishëm në kujtesë dhe që preket herët nga sëmundja e Alzheimerit.

“Ne të gjithë do të donim të ekzistonte një zgjidhje e thjeshtë për parandalimin e Alzheimerit, por rezultatet tona tregojnë se suplementet me vaj peshku nuk duket se mbrojnë shëndetin e trurit. Edhe pse omega-3 është i rëndësishëm për lidhjet mes qelizave të trurit, studimi ynë nuk mbështet përdorimin e suplementeve si masë parandaluese kundër Alzheimerit”, ka thënë drejtuesi i studimit, doktori, Hussein Naji Yassine.

Studiuesit besojnë se omega-3 mund të jetë më i dobishëm kur merret përmes një diete të shëndetshme, si dieta mesdhetare, e cila përfshin rregullisht peshk, vaj ulliri, fruta, perime dhe drithëra të plota, sesa në formën e suplementeve.

Ata theksojnë gjithashtu se mënyra më e mirë për të mbrojtur shëndetin e trurit mbetet një stil jetese i shëndetshëm.

“Ruajtja e shëndetit gjatë gjithë jetës është arma më e fortë që kemi për të ulur rrezikun e Alzheimerit. Aktiviteti fizik i rregullt, gjumi cilësor dhe ushqyerja e balancuar janë faktorët më të rëndësishëm. Kujdesi për trurin është si mirëmbajtja e rregullt e një makine, nëse neglizhohet, me kalimin e kohës funksionon gjithnjë e më keq”, ka përfunduar Yassine.