Ditët më të shkurtra dhe më të errëta të dimrit sjellin jo vetëm natë më të gjatë, por edhe humor në nivel të ulët për miliona njerëz.
Shumë prej tyre vuajnë nga depresioni sezonal (SAD), një lloj depresioni që zakonisht fillon në vjeshtë ose dimër dhe manifestohet me nivel të ulët humori, energji të dobët, humbje të kënaqësisë, gjumë të tepruar dhe dëshirë për ushqime të ëmbla dhe karbohidrate.
Ky problem prek rreth 5 për qind të amerikanëve, ndërsa gratë janë katër herë më të prirura ndaj tij. Shumë të tjerë përjetojnë një version më të lehtë, të quajtur “të kaltrit e dimrit”, ka shkuar The Washington Post.
“Nëse jeni nga ata njerëz që e ndjejnë vërtet këtë dhe ndihen keq, mos u shqetësoni, nuk jeni vetëm dhe ka shumë gjëra që mund të bëni ”, ka thënë Norman Rosenthal, psikiatër në Georgetown University School of Medicine.
Rosenthal e njeh mirë këtë problem: ai dhe kolegët e tij e përshkruan dhe emërtuan këtë gjendje për herë të parë në vitin 1984. Ai ka dekada përvojë të drejtpërdrejtë me SAD.
Ai ka kujtuar se kur udhëtoi nga Afrika e Jugut në SHBA në vitin 1976 për trajnimin mjekësor, e pati shumë të vështirë të përshtatej gjatë tri vjetëve të para të qëndrimit në New York. Ndërsa Afrika e Jugut ka shumë orë dritë edhe gjatë dimrit, New Yorku s’ka shumë.
“Duke dalë nga puna në Columbia Presbyterian Hospital, era dhe errësira mbi Hudson River më goditën fort, veçanërisht pas përfundimit të orës verore në nëntor”, ka kujtuar ai.
Pas transferimit në National Institute of Mental Health në Bethesda, Maryland, ku studioi ritmet biologjike dhe humorin, ai ka dëgjuar për njerëz të tjerë me simptoma të ngjashme. Këto përvoja, së bashku me kërkimin e tij, e çuan Rosenthal të lidhte mungesën e dritës me uljen e humorit gjatë dimrit.
Në vitin 1981, një artikull në The Washington Post mbi punën e tij të hershme solli mbi 3,000 letra nga lexues në mbarë vendin, duke përshkruar përvojat e tyre:
“Më vjen lodhje,” “Ha më shumë,” “Fle më shumë,” “Dua ëmbëlsira dhe karbohidrate,” “Ndjej ulje të humorit”, shkruhej nëpër letra.
Që atëherë, Rosenthal, tash 75 vjeç, ka trajtuar mbi 1,000 pacientë me SAD gjatë dimrave të ndryshëm. Ai ka pranuar më vonë se edhe vetë vuante nga SAD.
“Nuk ka turp, është një gjë biologjike. Ata dhanë kohën dhe energjinë e tyre për të na ndihmuar ta kuptojmë këtë gjendje”, ka theksuar ai.
Si të përdorim dritën për të ngritur humorin
Sipas studiuesve, SAD shkaktohet nga reduktimi i dritës natyrore, që bën që ritmet tona të brendshme të dalin jashtë sinkronizimit me natyrën. Drita stimulon receptorët në sy që lidhen me zonat e trurit që janë përgjegjëse për humorin. Gjithashtu, nivelet e neurotransmetuesve si serotonina dhe dopamina ndryshojnë varësisht nga sezoni.
Trajtimi standard për SAD është terapia me dritë të fortë, duke përdorur kutia drite që ofrojnë të paktën 10,000 njësi drite. Për krahasim, dritat e zakonshme në shtëpi japin më pak se 1,000 njësi, ndërsa dielli deri në 100,000 njësi drite. Studimet tregojnë se kjo terapi përmirëson humorin dhe ul simptomat te rreth 64 për qind e pacientëve.
Rosenthal përdor dritë suplementare në pothuajse çdo dhomë të shtëpisë së tij, përfshirë tre kutia të mëdha drite në dhomën e gjumit që ndizen njëra pas tjetrës për të nisur ditën. Në dhomën e stërvitjes ka tre kutia drite që e ndihmojnë gjatë ushtrimeve. Ai gjithashtu mediton dy herë në ditë dhe bën shëtitje të rregullta jashtë, duke përfshirë edhe një shëtitje javore me djalin e tij psikiatër, për të përfituar nga drita natyrale e diellit.
“Këto janë gjëra shumë të rëndësishme për të mbajtur trupin dhe mendjen të gjallë”, ka thënë ai.
Si të përgatitemi për ditët më të errëta
Rosenthal këshillon të ndiqni se si ndiheni këtë periudhë të vitit. A ka ndryshuar krahasuar me muajin e kaluar? Si ndiheshit këtë periudhë vitin e kaluar?
“Mendoni për SAD si një mundësi, nëse ndiheni të lodhur si unë gjatë tri vjetëve të para të rezidencës. Vendosim një fytyrë të lumtur, bëjmë më të mirën, por ‘mirë’ nuk do të thotë të ndihesh vërtet mirë. Unë dua që njerëzit të ndihen mirë. Pse jo? Kjo është një botë e mrekullueshme”, ka thënë ai.
Mënyra më e mirë për t’u përgatitur është në vjeshtë, veçanërisht nëse keni pasur probleme dimrin e kaluar. Blerja e një kutie drite mund të ndihmojë, dhe terapia me dritë funksionon edhe për depresionin jo-sezonal.
“Nuk duhet të shkoni aq larg sa unë me dritat, por këshillohuni me mjekun ose profesionistin tuaj të shëndetit mendor. Zakonisht rekomandohet të qëndroni përpara dritës të paktën 30 minuta në ditë”, ka shtuar Rosenthal.
Drita është më e efektshme në mëngjes, por mund të përdoret edhe në mbrëmje për t’u përshtatur gradualisht me errësirën e dimrit.
Përveç dritës, ai sugjeron të shëtisni jashtë dhe të shijoni stinët, të përdorni medikamente ose terapi për mënyrën e sjelljes, nëse është e nevojshme.
“Bëni atë që funksionon. Mos harroni të jeni të vetëdijshëm për veten dhe stinët. Vetëm kështu mund të shijoni të gjitha stinët”, ka thënë ai.
Edhe nëse humbni vetëm 10 për qind të funksionimit tuaj normal këtë sezon, ndiheni më të lodhur, me disponim më të ulët ose më të ngadaltë, kjo duhet të identifikohet dhe trajtohet.
“Është e rëndësishme të jeni në kulmin tuaj, jo vetëm në performancë, por edhe në përjetimin dhe kënaqësinë e jetës”, ka thënë Rosenthal.