Lifestyle

Pse vallëzimi mund të jetë më i fuqishëm se antidepresantët?

Vallëzimi

Vallëzimi

Vallëzimi nuk është vetëm argëtim. Sipas studimeve të fundit, lëvizja me muzikë, sidomos në grup, mund t'i ulë simptomat e depresionit më shumë se ecja, joga, ushtrimet me pesha, madje në disa raste edhe më shumë se trajtimet standarde me ilaçe, ka shkruar National Geographic.

Një meta-analizë e vitit 2024, e publikuar në The BMJ, ka analizuar 218 prova klinike dhe arriti në përfundimin se vallëzimi uli simptomat e depresionit më shumë se format e tjera të aktivitetit fizik. Ani pse vetëm 15 studime ishin të fokusuara drejtpërdrejt te kërcimi, rezultatet tërhoqën vëmendjen e studiuesve.

“U habita që madje kishte pesë studime dedikuara vallëzimit. Mes aktivitetit fizik, ndërveprimit social dhe muzikës, nuk jam i befasuar që vallëzimi rezultoi kaq efektiv”, ka thënë Michael Noetel, profesor i asociuar në Universitetin e Queensland.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojiten studime më të mëdha përpara se vallëzimi të konsiderohet trajtim i vetëm.

Si ndikon në tru vallëzimi

Truri ynë është i ndërtuar për ritëm. Kur kërcejmë, aktivizohet i gjithë sistemi nervor. Studiuesit e përshkruajnë këtë si një “simfoni neurokimike”.

-Parashikimi i melodisë rrit dopaminën (hormoni i kënaqësisë).
-Lëvizja fizike çliron endorfinën (që përmirëson humorin).
-Vallëzimi me të tjerët rrit oksitocinën (hormoni i lidhjes dhe besimit).

“Kërcimi është një gjuhë e trupit. Truri ynë i kupton gjestet që bëjmë gjatë kërcimit si një formë shprehjeje”, ka shpjeguar Julia F. Christensen, neuroshkencëtare në Institutin Max Planck dhe autore e librit “Vallëzimi është ilaçi më i mirë”

Sipas saj, pjesa shprehëse është thelbësore.

“Ti merr ndjenjat që janë të vështira për ty dhe i nxjerr jashtë përmes lëvizjeve të trupit”, ka thënë ajo.

Studimet tregojnë se sa më energjik të jetë kërcimi, sidomos me muzikë, aq më i madh është përmirësimi i simptomave.

Lidhja me të tjerët shëron

Depresioni nuk ndikon vetëm te humori, por edhe te mënyra si lidhemi me trupin dhe me njerëzit e tjerë. Shpesh zvogëlohen shprehjet e fytyrës, gjestet dhe qëndrimi trupor.

“Vallëzimi na ndihmon të rilidhemi me veten dhe me të tjerët. Truri i njeriut ka nevojë për njerëz të tjerë për të qëndruar i shëndetshëm, fizikisht dhe mendërisht”, ka thënë Christensen.

Kur njerëzit lëvizin në sinkron, studiuesit kanë vërejtur një fenomen të quajtur “sinkronizim i trurit”, ku aktiviteti cerebral harmonizohet mes pjesëmarrësve. Kjo rrit ndjenjën e besimit, empatisë dhe përkatësisë.

“Kursejmë kufijtë mes ‘meje’ dhe ‘teje’ kur lëvizim në sinkron”, ka shpjeguar Christensen.

Një terapi me gëzim

Ndryshe nga terapia me fjalë, vallëzimi ofron një mënyrë për të përpunuar emocionet pa pasur nevojë për fjalë.

“Vallëzimi i fton njerëzit të shprehen pa pasur nevojë ta vendosin gjithçka në fjalë. Për shumë njerëz, kjo është jashtëzakonisht shëruese”, ka thënë Christensen.

Programet me vallëzim po përdoren tashmë në sistemet shëndetësore. Në Britani, institucionet shëndetësore (NHS) ofron programe vallëzimi për të moshuarit me demencë.

Në Australi, studimet tregojnë se programet e strukturuara të vallëzimit mund të jenë po aq ose më efektive se ushtrimet e tjera për përmirësimin e shëndetit mendor dhe funksionit njohës.

Ndikim më i madh se me ushtrime

Ekspertët thonë se rezultatet më të mira vijnë nga programe që theksojnë muzikën, ndërveprimin social dhe lirinë e shprehjes, jo perfeksionin teknik.

Vallëzimi rikthen edhe diçka që depresioni shpesh e zbeh: ndjenjën e kontrollit dhe zgjedhjes.

“Nëse njerëzit nuk e dinë çfarë mund të bëjë vallëzimi për ta, ndoshta nuk e kanë gjetur ende stilin e tyre. Ka qindra stile kërcimi në këtë botë”, ka thënë Christensen.