Prej më shumë se një shekulli, skijimi nuk ka qenë vetëm sport apo mënyrë transporti. Ka qenë stil jetese, me theks të fortë te pjesa e kënaqësisë pas zbritjes në pistë, shkruan CNN.
Në librin autobiografik “A Moveable Feast”, shkrimtari i mirënjohur, Ernest Hemingway përshkruan dimrat e hershëm të viteve 1920 në Alpet austriake si një përzierje aventurash në mal dhe mbrëmjesh të ngrohta në bujtina alpine. Ditën ai dhe bashkëshortja e tij Hadley ngjiteshin në male pa teleferikë, me ski mbi shpinë. Natën, përfundonin në “hüttes” alpine apo bare lokale, me birrë, verë të ngrohtë dhe këngë.

Që në fillim, skijimi ishte dy anë të së njëjtës pistë: adrenalinë në zbritje dhe relaksim me stil më pas, i ashtuquajturi après-ski.
Kjo histori e kulturës së skive pasqyrohet bukur në librin fotografik “Après Ski: The Scene, the Style, the Menu” nga Erin Isakov.

Faqe pas faqeje shfaqen figura ikonike si Charlie Chaplin, Clark Gable, Audrey Hepburn, Jane Birkin, David Bowie dhe Hunter S. Thompson, të gjithë pjesë e skenës së modës dhe festës në male.




Libri nuk fokusohet aq te vendet më të mira për të skijuar, sa te vendet ku “duhet të dukesh” duke skijuar. Përmenden resorte historike si Verbier në Zvicër dhe Jackson Hole në SHBA.
Përfshihen edhe receta klasike për një festë après-ski: çokollatë e nxehtë, Aperol Spritz apo nachos luksoze. Atmosfera është po aq e rëndësishme sa sporti: njerëz që rreziten buzë piste, pinë verë apo pushojnë në kabina, me veshje sportive por gjithmonë me stil.
Zanafilla e glamurit
Sipas Isakov, për të pasurit dhe të famshmit, epiqendra e hershme e skijimit glamuroz ishte St. Moritz në vitet 1860.
Pas Luftës së Parë Botërore, popullariteti i skijimit u përhap me shpejtësi në Evropë.

Në SHBA, trendi mori hov në vitet 1930 dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur ushtarët amerikanë të kthyer nga Evropa sollën me vete aftësitë alpine dhe ndihmuan në zhvillimin e resorteve të reja si Vail dhe Aspen, që mbeten edhe sot sinonim i luksit në borë.
Evolucioni i modës në ski
Një pjesë e madhe e librit i kushtohet modës së skive.
Në fillim të viteve 1900, gratë vishnin funde të gjata prej leshi deri në kyçin e këmbës.
Në vitet 1920, pantallonat u bënë më praktike. Pas Luftës së Dytë Botërore, u shfaqën materiale sintetike elastike dhe prerje më trupore, ndërsa disenjatorë si Emilio Pucci e ngritën modën e skive në nivel të modës së lartë (haute couture).

Vitet ’80 u dalluan për pantallona neon, xhaketa të fryra dhe syze pasqyrë me stil akullnajor.
Në vitet ’90, me lindjen e snowboardingut, erdhi një stil më modern, më ndryshe: këmisha me kuadrate, pantallona të gjera dhe syze të mëdha.

Sot, sipas Isakov, po rikthehet një estetikë më klasike, e ngushtë dhe sensuale, por me materiale më teknologjike dhe më miqësore me mjedisin.

Megjithatë, realiteti në pista është shumë më i larmishëm: retro dhe moderne, minimaliste dhe ekstravagante, të gjitha bashkëjetojnë.

Në fund, shumë skijatorë bien dakord për një gjë: më mirë të skijosh mirë me një xhaketë të vjetër sesa të veshësh dizajnin më të fundit dhe të rrëzohesh në pistë për fillestarë.

Après-ski: më shumë se festë
Après-ski nuk është vetëm festë, por komunitet.

Mund të ndodhë në bar, në jacuzzi apo në kabinë malore. Sipas Isakov, në varësi të vendit, mund të jetë i zhurmshëm ose i qetë, familjar ose krejt i kundërt.
Në thelb, filozofia e après-ski është e thjeshtë: shijoje momentin. Vish çfarë të duash, por mbi të gjitha kënaqu.