Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Pse dredhëzat nuk janë më aq të ëmbla sa dikur?

Dredhëzat

Dredhëzat

A ju ka ndodhur të blini dredhëza për një ëmbëlsirë dhe në fund shija të jetë e zbehtë? Sipas një studimi të vitit 2021 të publikuar në Oxford Academic, shumica e pjesëmarrësve thanë se dredhëzat që provuan nuk ishin mjaftueshëm të ëmbla. Dhe, sipas AOL, kjo nuk është rastësi.

Profesori i hortikulturës Marvin Pritts nga Cornell University ka shpjeguar se gjatë dekadave të fundit dredhëzat janë kultivuar për të përmirësuar madhësinë, prodhimin, ngjyrën dhe qëndrueshmërinë dhe se shija nuk ka qenë prioritet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pra, dredhëzat e egra shpesh janë më të ëmbla, ndërsa ato që gjenden në supermarket janë zgjedhur për pamjen dhe rezistencën gjatë transportit.

Një tjetër problem është momenti i vjeljes.

Për shkak se fruti duhet të udhëtojë larg, shpesh këshillohet të mblidhet kur ka ende maja të bardha, pra para se të piqet plotësisht. Por sipas një studimi të vitit 1998 në Acta Horticulturae, dredhëzat mund të skuqen pak pas korrjes, por nuk vazhdojnë të piqen. Kjo do të thotë se nëse mblidhen të papjekura, ato nuk bëhen më të ëmbla.

Roli i tregut

Një studim i vitit 2017 në revistën Agribusiness ka treguar se mbi 65 për qind e konsumatorëve preferojnë dredhëza më të mëdha, më të kuqe, më të forta dhe me ngjyrë të theksuar. Një grup tjetër vendos madhësinë dhe pamjen përpara shijes.

Pse? Sepse këto janë cilësitë që shohim pa hapur paketimin.

Një studim i vitit 2024, i publikuar në revistën Foods ka theksuar se pamja është faktori kryesor që ndikon në blerje. Ne e lidhim madhësinë, ngjyrën e kuqe dhe fortësinë me freskinë dhe shijen, ani pse kjo nuk është gjithmonë e vërtetë.

Sipas Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA), 98 për qind e dredhëzave në SHBA prodhohen në Kaliforni dhe Floridë, zona ku prioritet ka qenë madhësia dhe rendimenti, jo aroma.

Si të zgjidhni dredhëza më të ëmbla?

-Kontrolloni nëse janë pa fungicide dhe pesticide.

Një studim i vitit 2023, i publikuar në Journal of Agricultural and Food Chemistry, ka zbuluar se dy fungicide të zakonshme mund të ulin përmbajtjen e sheqerit.

-Mbështetuni te aroma.

Një studim i vitit 1989, i publikuar në Chemical Senses, tregoi se sa më e fortë aroma e dredhëzas, aq më e ëmbël është shija.

-Kërkoni prodhues lokalë ose lloje të reja të zhvilluara për shije.

Në vitin 2022, studiues nga Rutgers University prezantuan llojin Rutgers D’Light, të zhvilluar për 15 vjet për të arritur balancën ideale mes ëmbëlsisë, aciditetit dhe aromës.