Lifestyle

Pesë minuta më shumë ushtrime dhe 30 minuta më pak ulur mund të ndihmojnë në jetëgjatësi

Aktiviteti fizik

Aktiviteti fizik

Vetëm pesë minuta më shumë aktivitet fizik dhe 30 minuta më pak qëndrim ulur çdo ditë mund të ndihmojnë miliona njerëz të jetojnë më gjatë, sugjeron një studim i ri që tregon se edhe ndryshime shumë të vogla në stilin e jetesës mund të kenë përfitime të mëdha për shëndetin.

Studimi, i cili përfshiu rreth 135 mijë persona nga Britania, SHBA-ja, Norvegjia dhe Suedia, ka zbuluar se vetëm pesë minuta më shumë aktivitet fizik me intensitet të moderuar në ditë, si ecja e shpejtë, lidhen me ulje prej rreth 10 për qind të rrezikut të vdekjes së parakohshme, ka raportuar The Guardian.

Po ashtu, ulja e kohës së qëndrimit ulur me 30 minuta në ditë u shoqërua me ulje prej rreth 7 për qind të vdekjeve nga të gjitha shkaqet, sipas studiuesve të udhëhequr nga Shkolla Norvegjeze e Shkencave të Sportit. Gjetjet u publikuan në revistën shkencore “The Lancet”.

Përfitimi më i madh u pa te 20 për qindëshi i popullsisë më pak aktiv, nëse këta persona shtonin vetëm pesë minuta aktivitet fizik në ditë.

Autorët, kanë theksuar se studimi nuk duhet të merret si këshillë personale për ushtrime, por tregon ndikimin e madh që këto ndryshime të vogla mund të kenë në nivel shoqëror.

“Ky studim është një hap i madh përpara. Deri në 10 për qind e vdekjeve të parakohshme mund të parandalohen nëse njerëzit bëjnë rritje të vogla dhe reale të aktivitetit fizik, si vetëm pesë minuta në ditë”, ka thënë profesori Aiden Doherty nga Universiteti i Oksfordit, i cili nuk ishte pjesë e hulumtimit.

Edhe Daniel Bailey nga Universiteti Brunel në Londër e ka cilësuar gjetjen si shumë premtuese.

“Vetëm pesë minuta më shumë aktivitet me intensitet të moderuar mund të shpëtojnë jetë. Kjo është e realizueshme për shumicën e njerëzve”, ka thënë ai.

Sipas tij, aktivitete të tilla janë ato që të bëjnë të marrësh frymë pak më shpejt dhe të ndihesh më ngrohtë, si ecja e shpejtë, punët e shtëpisë apo kopshtaria.

Ndërkohë, një studim tjetër, i publikuar në revistën “eClinicalMedicine”, ka zbuluar se përmirësime të vogla të kombinuara në gjumë, aktivitet fizik dhe ushqyerje lidhen me jetëgjatësi më të madhe.

Studiues nga Universiteti i Sidneit, duke analizuar të dhëna nga rreth 60 mijë persona në studimin UK Biobank, kanë gjetur se vetëm pesë minuta më shumë gjumë, dy minuta më shumë aktivitet fizik dhe gjysmë porcioni më shumë perime në ditë mund të shtojnë rreth një vit jetë për personat me zakonet më të dobëta.

Sipas studimit, kombinimi ideal i këtyre faktorëve, shtatë deri në tetë orë gjumë në ditë, mbi 40 minuta aktivitet fizik dhe një dietë e shëndetshme, lidhet me jetë deri në dhjetë vjet më të gjatë.