Lifestyle

Njerëzit e ndjeshëm më të rrezikuar nga problemet e shëndetit mendor

Personat e ndjeshëm

Personat e ndjeshëm

Një meta-analizë e madhe me 33 studime ka treguar se njerëzit shumë të ndjeshëm kanë më shumë gjasa të përballen me probleme të zakonshme të shëndetit mendor si depresioni, ankthi, PTSD dhe çrregullimi i personalitetit shmangës, ka raportuar NeuroScienceNews.

Shkencëtarët e përkufizojnë ndjeshmërinë si një tipar personaliteti që lidhet me reagimin e fortë ndaj stimujve të mjedisit dhe emocioneve, si dritat e forta, ndryshimet e vogla përreth apo edhe gjendja shpirtërore e të tjerëve. Kjo i bën më të prekshëm ndaj stresit, por nga ana tjetër edhe më të hapur ndaj përvojave pozitive dhe trajtimeve psikologjike.

“Ne gjetëm lidhje të dukshme mes ndjeshmërisë dhe problemeve të shëndetit mendor si depresioni, ankthi, stresi post-traumatik, agorafobia dhe çrregullimi i personalitetit shmangës. Gjetjet tona tregojnë se ndjeshmëria duhet të merret më seriozisht në praktikën klinike, sepse kjo mund të përmirësojë diagnostikimin dhe trajtimin”, ka thënë Tom Falkenstein, psikoterapist dhe doktorant në “Queen Mary University of London”.

Studimi ka treguar gjithashtu se njerëzit e ndjeshëm mund të përfitojnë më shumë nga teknika e ndryshme që udhëzohen nga mjekët për relaksim, të cilat ndihmojnë jo vetëm në trajtim, por edhe në parandalimin e rikthimit të simptomave.

“Rreth 31 për qind e popullsisë janë shumë të ndjeshëm dhe, siç tregojnë gjetjet tona, ata kanë më shumë gjasa të reagojnë më mirë ndaj disa ndërhyrjeve psikologjike sesa njerëzit më pak të ndjeshëm. Prandaj, ndjeshmëria duhet të merret parasysh kur hartohen planet e trajtimit”, ka thënë Falkenstein.

Sipas ekspertëve, ndjeshmëria është tipar “me dy tehe” pasi rrit rrezikun ndaj stresit, por njëkohësisht ofron mundësi më të mëdha për shërim e zhvillim nëse mbështetet me mjedis pozitiv dhe trajtime të përshtatshme.

Edhe profesori Michael Pluess nga University of Surrey e përforcon këtë ide.

“Kjo është meta-analiza e parë që jep prova të forta se njerëzit shumë të ndjeshëm janë më të prirë ndaj problemeve të shëndetit mendor. Por duhet të kujtojmë se ata janë gjithashtu më të përgjegjshëm ndaj përvojave pozitive, përfshirë trajtimin psikologjik. Rezultatet tona tregojnë se cilësia e mjedisit është jashtëzakonisht e rëndësishme për mirëqenien e tyre”, ka thënë Pluess.