Lifestyle

Ndikimi në shëndet i mjeteve plastike që përdoren në kuzhinë, a duhet të hiqen

Plastika

Rreth 460 milionë ton plastikë prodhohen brenda një viti sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OKB) dhe shkencëtarët po shprehin gjithnjë e më shumë shqetësim për mikroplastikën që përfundon në trupin e njeriut dhe ndikimin e saj në shëndet, ka shkruar NPR.

Një nga mënyrat se si ato futen në trup është ushqim dhe kjo jo vetëm nga vetë ushqimi, por edhe nga mjetet që përdoren për ta përgatitur dhe ruajtur: dërrasat e plastikës, enët plastike që ngrohen në mikrovalë, lugët plastike, qeset e kuzhinës dhe kapsulat e detergjentëve në enëlarëse.

“Një nga burimet më të mëdha të mikroplastikës është ushqimi. Dhe me shumë gjasë, ajo vjen nga materialet që vijnë në kontakt me ushqimin”, ka thënë Tracey Woodruff, profesoreshë në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko.

Mikroplastikat janë grimca mikroskopike, aq të vogla sa disa janë më të holla se një fije ADN-je. Ato janë gjetur në zemër, mushkëri dhe placentë.

Edhe pse FDA thotë se “nuk ka prova të mjaftueshme që mikroplastikat në ushqim përbëjnë rrezik për shëndetin”, disa studime të hershme kanë sugjeruar lidhje të mundshme me probleme shëndetësore.

“Nëse këto pasoja shfaqen te peshqit apo minjtë në laborator, me shumë mundësi po ndodhin edhe te njerëzit, thjesht nuk i kemi dokumentuar ende”, ka thënë për NPR Susanne Brander, toksikologe në Universitetin Shtetëror të Oregonit.

Woodruff rekomandon që të kufizohet ekspozimi ndaj plastikës, edhe pse nuk dihen ende të gjitha pasojat.

“Nëse presim që shkenca të na japë përgjigje të sakta, do të thotë që gjatë gjithë asaj kohe do vazhdojmë të ekspozohemi, dhe kjo mund të sjellë pasoja të rënda që ende nuk i kemi zbuluar”, ka thënë ajo.

Si të reduktohet plastika në kuzhinë?

Anne-Marie Bonneau, autore e “The Zero-Waste Chef”, nuk sugjeron të hidhet menjëherë e gjithë plastika nga kuzhina.

“Kur një send prishet, zëvendësojeni me një alternativë më të shëndetshme. Nuk keni pse e bëni këtë menjëherë”, ka thënë ajo.

Bonneau vetë përdor dërrasa prerjeje prej druri, pasi një studim zbuloi se dërrasat plastike mund të lirojnë mikroplastikë. Përdor kavanoza qelqi dhe enë metalike për ruajtjen e ushqimit, në vend të plastikës që çliron mikroplastika kur nxehet.

“Kur gatuaj bukë, receta më thotë ta mbuloj brumin me plastikë. Unë thjesht vendos një pjatë të madhe mbi tasin ku është brumi”, tregon ajo.

Në vend të sfungjerëve plastikë përdor sfungjerë me bazë celuloze dhe çanta prej pambuku për të bërë Pazar, në vend të qeseve nga plastika. Po ashtu, shmang tenxheret jo-ngjitëse, të cilat përmbajnë kimikate PFAS, të lidhura me sëmundje të ndryshme.

Çfarë ndodh kur plastika hiqet nga një restorant?

Shefi i kuzhinës Edward Lee hoqi plastikën nga restoranti i tij jofitimprurës Shia në Washington D.C., për të promovuar praktika më të qëndrueshme. Ai përdor dërrasa druri, enë metalike dhe letër mbështjellëse të krijuar nga kosherete e bletëve, ndërsa klientëve nuk u jep më pirunë plastikë.

“Kur jemi të rrethuar nga gjëra që hidhen, bëhemi më pak të kujdesshëm. Kur jemi të rrethuar nga materiale të qëndrueshme, jemi më të përqendruar. Dhe kur e fillon këtë rrugë, nuk ka kthim mbrapa”, ka thënë ai.