Lifestyle

Mjekët: Respektojeni vendimin e prindërve për të mos ua puthur bebet

Bebet

Një video virale në TikTok, ku një nënë e re nuk lejonte nënën e saj ta puthte foshnjën e porsalindur, ka shkaktuar debat të madh online.

Huffington Post ka shkruar se mjekët dhe ekspertët e sëmundjeve infektive pediatrike thonë se kjo video hapi një diskutim shumë të rëndësishëm për shëndetin e foshnjave.

Nëna e foshnjës Haeli Christiansen ka treguar për revistën People se videoja ishte bërë “me shaka” dhe se as nuk e kishte menduar që do të bëhej virale.

Në video, ajo e ndalon lehtë nënën e saj kur kjo tenton ta puthë beben, ndërsa mbishkrimi thotë: “Duke ia kujtuar me butësi mamit tim të mos e puthë foshnjën time”.

“Fjala e ditës është ‘kufijtë’”, ka shkruar ajo në përshkrim.

Christiansen ka shpjeguar se vendimi për të mos lejuar puthje nga rrethi i gjerë i familjes apo miqtë erdhi për arsye shëndetësore.

“Burri im dhe unë vendosëm që për muajt e parë askush të mos e puthë foshnjën tonë, sepse lindi në mes të ‘sezonit të sëmundjeve’ dhe foshnjat nuk kanë sistem imunitar të zhvilluar. Një ftohje e zakonshme për një të rritur mund ta çojë një të porsalindur në spital dhe të jetë kërcënuese për jetën”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se si foshnjë ishte shtruar dy herë në spital, pasi familjarët e kishin puthur pa e ditur se ishin të sëmurë.

Videoja mori mbi 730 mijë pëlqime dhe mijëra komente. Disa e mbështetën vendimin e saj, ndërsa të tjerë e kritikuan.

“E gjora gjyshe”, shkroi një komentues, ndërsa një tjetër ka shkruar “Unë kurrë s’do t’ia ndaloja nënës time këtë”.

Mjekët thonë se rreziku është real

“Sistemi imunitar i foshnjave është shumë i papjekur. Ajo që për një të rritur është infeksion i lehtë, për një foshnjë mund të përfundojë në mbikëqyrje intensive”, ka thënë doktoresha Taylor Heald-Sargent, profesoreshë e sëmundjeve infektive pediatrike

Ajo përmendi viruse si RSV dhe kollën e mirë, por edhe herpesin, i cili transmetohet përmes kontaktit të afërt si puthja.

“Ju mund ta përhapni virusin edhe para se ta kuptoni që jeni sëmurë”, ka paralajmëruar ajo.

Doktoresha Amy Edwards ka shtuar se viruse të caktuara te foshnjat mund të shkaktojnë meningjit të rëndë, dëmtime të trurit apo edhe vdekje.

“Për të rriturit, ethet janë bezdisëse. Për foshnjat, herpes virusi mund të shkaktojë sepsë ose meningjit fatal në rreth 20 për qind të rasteve”, ka thënë ajo.

Ekspertët rekomandojnë disa masa bazë:

-Larjen e duarve para se të prekni foshnjën,

-pyetjen e prindërve para çdo puthjeje,

-shmangien e vizitave nëse ndiheni keq dhe respektimin e kufijve të prindërve.

“Foshnjat janë më të rrezikuara në dy-tre muajt e parë të jetës. Ato nuk kanë nevojë të puthen për ta ditur se janë të dashura”, ka theksuar doktoresha Krupa Playforth.

Sa i përket komunikimit me familjarët, mjekët këshillojnë që kufijtë të shpjegohen paraprakisht dhe të theksohet se qëllimi i përbashkët është siguria e bebes.

“Kufijtë prindërorë kanë të bëjnë me sigurinë. Është prindërim i përgjegjshëm, jo mungesë respekti”, ka thënë Playforth.