Ekstrakti i rrënjës së luleradhiqes tregon potencial të fortë kundër kancerit të zorrës së trashë.
Një studim shkencor ka zbuluar se ekstrakti ujor i rrënjës së luleradhiqes (Dandelion Root Extract ,DRE) mund të ketë efekt shumë të fortë kundër qelizave të kancerit të zorrës së trashë, pa dëmtuar qelizat e shëndetshme, thuhet në raportin e studimit të publikuar në National Library of Medicine.
Sipas studiuesve, DRE arriti të shkaktojë vdekjen e programuar të mbi 95 për qind të qelizave kancerogjene brenda 48 orëve në kushte laboratorike, pavarësisht statusit gjenetik të tyre (p53 pozitiv apo negativ).
“Ekstrakti i rrënjës së luleradhiqes shkatërroi në mënyrë selektive qelizat kancerogjene, pa treguar toksicitet ndaj qelizave normale”, thuhet në studim.
Efekte të forta edhe në testet me kafshë
Efekti antikancer u konfirmua edhe në testet e quajtura in-vivo, ku minjve me tumore njerëzore të zorrës së trashë iu dha si trajtim DRE nga goja.
Rezultatet ishin mbresëlënëse, rritja e tumorit u ngadalësua me më shumë se 90 për qind, pa efekte anësore apo shenja toksiciteti.
“Administrimi oral i ekstraktit nuk shkaktoi asnjë dëm në organe si mëlçia, veshkat apo zemra”, raportojnë autorët.
Pse funksionon ky ekstrakt?
Studiuesit zbuluan se DRE aktivizon disa mekanizma të ndryshëm që i vret qelizat kancerogjene njëkohësisht, duke e bërë më të vështirë që kanceri të zhvillojë rezistencë, siç ndodh shpesh me kimioterapitë tradicionale.
Analizat kimike treguan se ekstrakti përmban disa përbërës bioaktivë natyralë, përfshirë: α-amyrin, β-amyrin, lupeol dhe taraxasterol.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ekstrakti i plotë ishte më efektiv sesa përbërësit individualë, çka tregon se fuqia vjen nga kombinimi natyral i tyre.
Më pak toksicitet, më shumë shpresë
Ndryshe nga kimioterapia standarde (si FOLFOX), e cila dëmtoi edhe qelizat e shëndetshme, DRE veproi vetëm mbi qelizat kancerogjene.
“Rezultatet tona mbështesin përdorimin e produkteve natyrale si alternativa jotoksike dhe plotësuese ndaj terapive konvencionale kundër kancerit”, thuhet në përfundim të raportit të studimi.
Studiuesit theksojnë se ky ekstrakt nuk është ende një kurë, por përfaqëson një hap shumë premtues drejt terapive më të sigurta dhe me më pak efekte anësore.
Aktualisht, ekstrakti i rrënjës së luleradhiqes është miratuar në Kanada për prova klinike të fazës së parë në disa lloje kanceri.