Lifestyle

Katër gjëra që mund t’ju ndihmojnë të menaxhoni më mirë dhimbjet e kokës

Dhimbja e kokës

Dhimbja e kokës

Dhimbjet e kokës janë diçka që pothuajse të gjithë i përjetojmë herë pas here. Ato mund të zgjasin nga disa minuta deri në disa ditë, dhe dhimbja mund të jetë shumë e madhe, duke u përhapur ndonjëherë edhe në fytyrë apo qafë.

Doktori Xand van Tulleken, drejtues i podcastit të BBC-së What’s Up Docs, ka thënë se edhe ai vetë i përjeton shpesh.

“Më ndodh një herë në muaj ose çdo gjashtë javë, dhe ndjehet sikur dikush po më shpon në syrin e majtë”, ka thënë ai.

Megjithëse një dhimbje koke e fortë mund të na frikësojë, doktoresha britanike Katy Munro nga National Migraine Centre siguron se “në shumicën e rasteve nuk është asgjë serioze”. Ajo këshillon që “nëse është dhimbja juaj e parë ose më e forta që keni pasur ndonjëherë, shkoni tek mjeku”.

Por, nëse dhimbjet janë më të lehta dhe përsëriten, ka disa mënyra të thjeshta që mund t’i provoni në shtëpi.

1. Kuptoni çka ndikoi në nisjen e dhimbjes dhe si ndikoi ajo në ditën tuaj

Van Tulleken ka shpjeguar se të kuptuarit e mënyrës së dhimbjeve të kokës është shumë ndihmues.

 “Ato shpesh nuk kanë një shkak të vetëm, prandaj mbajtja e një ditari ndihmon për të zbuluar shkaqet”, ka thënë ai.

Për disa njerëz, ndryshimet e motit si bubullimat mund të jenë shkak, ndërsa për të tjerë drita.

“Koha më e keqe për mua është kur po vozisim në vjeshtë dhe dielli kalon nëpër degët e pemëve, ajo dritë që pulson më përkeqëson”, ka treguar Munro.

Në ditarin tuaj mund të shënoni:

-Çfarë po bënit kur filloi dhimbja

-Çfarë keni ngrënë ose pirë

-Sa mirë keni fjetur

-Motin

-Për gratë, ciklin menstrual, pasi hormonet ndikojnë shpesh

Munro këshillon të mos e bëni tepër të detajuar.

“E bëra timin shumë të hollësishëm dhe ishte dekurajues. Mbajeni të thjeshtë, jepini një notë nga 1 në 10 për ndikimin që pati në ditën tuaj”.

Ajo shton se është po aq e rëndësishme të shënoni edhe ditët kur ndiheni mirë, jo vetëm ato me dhimbje. Kështu mjeku mund të vërejë modelet më qartë.

2. Përdorni kafen me kujdes

Nëse mendoni se kafeina duhet shmangur krejtësisht, Munro thotë se e vërteta është më e ndërlikuar.

“Në sasi të vogla, ajo mund ta përforcojë efektin e ilaçeve kundër dhimbjeve, por shmangeni në pasdite dhe në mbrëmje, sepse prish gjumin”, ka shpjeguar ajo.

Nga ana tjetër, konsumimi i tepërt mund të shkaktojë dhimbje koke nga mbidoza e kafeinës, ndërsa ndërprerja e menjëhershme mund të sjellë dhimbje po ashtu.

3. Mos i anashkaloni vaktet

Ajo që hani dhe koha kur hani mund të ndikojë shumë.

Munro rekomandon dietë të ngjashme me atë mesdhetare, të pasur me proteina, yndyra të shëndetshme dhe karbohidrate komplekse, që ndihmon në stabilizimin e energjisë.

“Shmangni ushqimet me shumë sheqer dhe mos e lini barkun bosh. Në përvojën time, më ndihmoi kur ndalova qumështin dhe glutenin, megjithëse kjo nuk është e vlefshme për të gjithë”, ka thënë ajo.

Ajo shton se të ngrënit me rregull dhe përgatitja e ushqimit vet në shtëpi për ta marrë në punë, i ka ndihmuar shumë.

Përveç ushqimit, ajo thekson rëndësinë e gjumit të mirë, ushtrimeve të rregullta, menaxhimit të stresit dhe hidratimit.

“Duhet të pini mjaftueshëm ujë që urina të jetë me ngjyrë të çelët dhe të mos ndiheni të etur”, ka thënë ajo.

4. Shmangni qetësuesit me kodeinë

Munro paralajmëron se, ani pse shumë ilaçe kundër dhimbjeve shiten pa recetë, “duhet shmangur çdo gjë që përmban kodeinë, sepse mund t’i bëjë dhimbjet më të shpeshta dhe mund të shtojë ndjesinë e të përzierës”.

Kodeina është lëndë narkotike, nga grupi i opioidëve, që përdoret në disa ilaçe për të lehtësuar dhimbjen ose qetësuar kollën.

Ajo ka shtuar se qetësuesit funksionojnë shumë mirë, por varet nga dhimbjet sa të forta janë.

“Nëse dhimbjet bëhen më të shpeshta ose më të forta, mjeku mund t’ju ndihmojë të gjeni ilaçin më të përshtatshëm”, ka thënë ajo.

Ekspertët gjithashtu këshillojnë të mos përdoren rregullisht ilaçe për më shumë se dy ditë në javë, për të shmangur dhimbjet e kokës që shkaktohen nga mbidoza e tyre.

“Nuk ka gjithmonë një zgjidhje të vetme për dhimbjet e kokës, por duke i kuptuar më mirë, mund të mësoni t’i parandaloni dhe t’i menaxhoni më lehtë”, ka thënë në fund Munro.