Një ilaç i ri po zhvillohet për të luftuar obezitetin në një mënyrë krejtësisht të re.
Ai funksionon duke bllokuar një molekulë të acidit ribonukleik (ARN) që quhet miR-22, e cila kontrollon metabolizmin e yndyrës dhe përdorimin e energjisë në qeliza.
Kjo qasje ndryshon nga trajtimet ekzistuese për humbje peshe, që kryesisht veprojnë duke zvogëluar oreksin. Ilaçi që quhet RES-010, po teston sigurinë e tij në provën klinike të fazës së parë, me rezultate që priten të dalin vitin e ardhshëm, ka raportuar The Independent.
Nëse do të funksionojë, ky injeksion javor mund të ndihmojë në humbje të qëndrueshme peshe duke “riprogramuar” përdorimin e yndyrës nga qelizat dhe duke rritur aktivitetin e mitokondrive, energjisë së qelizave.
“RES-010 vepron duke riprogramuar mënyrën se si qelizat përpunojnë yndyrën dhe energjinë. Në vend që të zvogëlojë oreksin, ai ndryshon mënyrën se si trupi përdor yndyrat, duke rritur prodhimin dhe aktivitetin e mitokondrive dhe duke ndihmuar në kthimin e yndyrës së bardhë, që ruan energji, në yndyrë ngjyrë kafe, që e djeg atë”, ka shpjeguar doktori Riccardo Panella, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë bioteknike Resalis Therapeutics.
Ai ka shtuar se falë këtij veprimi, rikthimi i peshës është më pak i mundshëm.
“RES-010 është pionier i një klase të re ilaçesh të ARN-së që riprogramojnë metabolizmin e trupit për të dhënë humbje peshe afatgjatë dhe për të përmirësuar shëndetin metabolik, për shembull, duke ndihmuar shëndetin e mëlçisë”, ka shpjeguar tutje doktori.
Një studim i fundit i prezantuar në konferencën e European Association for the Study of Diabetes, ka treguar se minjtë obezë që morën injeksione javore me RES-010 humbën 12 për qind më shumë peshë se minjtë pa trajtim, pavarësisht se të dy grupet hëngrën të njëjtën sasi ushqimi. Për më tepër, minjtë e trajtuar nuk e rikuperuan peshën pas ndalimit të ilaçit.
Trajtimet aktuale për humbje peshe, ilaçet e diabetit si Ozempic dhe Wegovy, veprojnë duke zvogëluar oreksin.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se studimi për RES-010 nuk është shqyrtuar ende nga specialistët dhe është kryer nga prodhuesi i ilaçit.
“Mendoj se mekanizmi është spekulativ, pa ditur efektet e drejtpërdrejta në qelizat yndyrore dhe funksionin e mitokondrive. Është thelbësore të shohim të gjithë studimin për të kuptuar arsyetimin mekanik pas RES-010 dhe efektet e provuara metabolike para se të interpretojmë rezultatet e humbjes së peshës”, ka thënë doktori Adam Collins, profesor në University of Surrey.
Ndërkohë, kërkesa për ilaçe për humbje peshe si Mounjaro po rrit presionin mbi institucionet shëndetësore në Britani, duke pasur parasysh se më pak se gjysma e tyre aktualisht e përshkruajnë atë.