Kivi është një nga frutat më të fuqishëm për shëndetin, dhe shumica e njerëzve e injorojnë për shkak të lëkurës së tij të ashpër dhe të leshtë. Por, sipas ekspertëve të ushqyerjes, ky frut i vogël fsheh një arsenal të vërtetë të përfitimeve për trupin dhe mendjen, ka raportuar The Sun.
“Kivi është një nga frutat më të nënvlerësuara kur bëhet fjalë për vlerat ushqyese. Jo vetëm që është i pasur me vitaminë C, fibra dhe antioksidantë, por përmban edhe një enzimë unike të quajtur aktinidinë, e cila ndihmon tretjen. Është një frut i vogël, por me përfitime të mëdha”, ka thënë Nicolle Cucco, specialiste e ushqyerjes nga aplikacioni Muscle Booster.
Arsyet, që sipas Nicolle, duhet ta konsumoni kivin me gjithë lëkurë dhe trupi juaj do t’ju falënderojë:
1. Kundër fryrjes dhe për tretje më të mirë
“Aktinidina ndihmon në shpërbërjen e proteinave dhe përmirëson tretjen, sidomos kur fruta hahet me gjithë lëkurë”, ka thënë Cucco.
Nëse ndiheni të fryrë pas vakteve, një kivi në ditë mund të bëjë diferencën.
2. Për gjumë më të shpejtë dhe më të thellë
“Kivi është një nga të paktat fruta që përmban serotoninë në mënyrë natyrale, e cila luan rol kyç në rregullimin e gjumit”, shpjegon Cucco.
Sipas disa studimeve, konsumimi i një kivi një orë para gjumit mund të ndihmojë në fjetje më të shpejtë dhe pushim më cilësor.
3. Lëkurë më e ndritshme dhe rinore
Falë përmbajtjes së lartë me vitaminë C, kivi stimulon prodhimin e kolagjenit, i cili ndihmon për lëkurë të qëndrueshme dhe të re.
“Antioksidantët gjithashtu luftojnë radikalet e lira që plakin lëkurën para kohe”, ka thënë Cucco.
4. Imunitet më i fortë
Një kivi në ditë ofron më shumë se 100% të dozës së rekomanduar të vitaminës C.
“Është aleat i fuqishëm për sistemin imunitar, duke ndihmuar trupin të luftojë infeksionet dhe virozat më lehtë”, tregon tutje Cucco.
5. Zemër më e shëndetshme
“Kivit janë të pasura me kalium dhe fibra, kombinim që mbështet shëndetin kardiovaskular”, shpjegon Cucco.
Kaliumi ndihmon në uljen e tensionit të gjakut, ndërsa fibrat reduktojnë kolesterolin.
“Përfitim i dyfishtë për zemrën”, thotë Cucco.
6. Menaxhim më i mirë i peshës
“Kivit kanë pak kalori dhe shumë fibra, çka ju mban të ngopur më gjatë dhe ndihmon në kontrollin e oreksit”, ka thënë Cucco.
Një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë të humbin peshë pa sakrifica të mëdha.
Triku më i madh është të mos e qëroni kurrë!
“Lëkura e kivit është e mbushur me fibra dhe antioksidantë shtesë. Nëse tejkaloni shijen e teksturës paksa të pazakontë, si tek pjeshka, do të dyfishoni përfitimet shëndetësore”, ka theksuar Cucco.
Kivi është gjithashtu një superushqim për ata që ushtrojnë.
“Karbohidratet natyrale ju japin energji përpara stërvitjes, ndërsa vitamina C dhe përbërjet anti-inflamatore ndihmojnë në rikuperimin pas saj”, ka thënë Cucco.