Rastet e sëmundjeve të mëlçisë të lidhura me alkoolin janë rritur më shumë se dyfish në Shtetet e Bashkuara gjatë 20 vjetëve të fundit, sipas një studimi të ri, ka raportuar The Independent.
Sipas studiuesve, rritja është e lidhur me katër grupe që sot përbëjnë pjesën më të madhe të konsumuesve të rëndë të alkoolit krahasuar me 20 vjet më parë: gratë, të rriturit mbi 45 vjeç, njerëzit që jetojnë në varfëri, si dhe ata me sindromën metabolike. Kjo e fundit përfshin disa gjendje shëndetësore si presioni i lartë i gjakut, sheqeri i lartë në gjak dhe kolesteroli i lartë, që të gjitha rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës, sulm në tru dhe diabet të tipit 2.
Ende nuk dihet saktë pse këto grupe kanë nisur të konsumojnë më shumë alkool.
Doktori Peter Martin nga Universiteti Vanderbilt kishte thënë më herët për NBC News se “është bërë gjithnjë e më e pranueshme shoqërisht që gratë të pinë aq sa burrat”. Ndërkohë, George Koob, drejtor i Institutit Kombëtar për Abuzimin me Alkoolin, i tha The New York Timesit se amerikanët më të moshuar janë më pak të vetëdijshëm për rreziqet që sjell alkooli.
Dotori Brian Lee, hepatolog dhe specialist për transplant të mëlçisë në Keck Medicine të Universitetit të Kalifornisë, ka thënë se sëmundjet e mëlçisë të lidhura me alkoolin janë shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me mëlçinë.
“Këto rezultate janë një alarm i fuqishëm për rreziqet e konsumit të alkoolit”, ka thënë ai.
Sipas tij, këto të dhëna përbëjnë vështrimin më gjithëpërfshirës që doktorët kanë pasur për demografinë e konsumit të rëndë të alkoolit dhe lidhjen e saj me sëmundjet e mëlçisë që nga vitet '90.
Interesant është fakti se, ndonëse norma mesatare e konsumit të alkoolit në SHBA nuk ka ndryshuar shumë gjatë dy dekadave të fundit (përveç gjatë pandemisë), rastet e sëmundjes së rëndë të mëlçisë janë rritur dukshëm. Kjo sugjeron se faktorë të tjerë, si ndryshimet demografike dhe të shëndetit publik, mund të kenë ndikuar në këtë rritje.
Studimi analizoi të dhëna nga Anketa Kombëtare e Shëndetit dhe Ushqyerjes në SHBA (NHANES), nga viti 1999 deri më 2020. Studiuesit ndoqën rastet e sëmundjes së rëndë të mëlçisë, një gjendje kur dëmtohen indet e organit që si rezultat formohen plagë të brendshme që e pengojnë funksionin e mëlçisë, zakonisht si pasojë e konsumit të tepërt të alkoolit.
Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), “konsum i rëndë i alkoolit” do të thotë më shumë se 8 pije alkoolike në javë për gratë dhe më shumë se 15 për burrat.
Një tjetër studim, i publikuar në vitin 2024 nga po i njëjti autor, doktori Lee, zbuloi se konsumi i rëndë i alkoolit u rrit gjatë kulmit të pandemisë dhe vazhdoi të qëndrojë i lartë për të paktën dy vjet. Ai dyshon se kjo mund të ketë qenë pasojë e stresit.
Ndërkohë, edhe vdekjet nga sëmundjet e mëlçisë dhe vdekjet nga kanceri i lidhur me alkoolin afërsisht janë dyfishuar gjatë dy dekadave të fundit.
Lee shpreson se këto rezultate do t'i ndihmojnë mjekët të kenë informacione më të përditësuara për trajtim dhe parandalim, sidomos për grupet e rrezikuara.
“Rezultatet tona tregojnë se përbërja e popullsisë amerikane që konsumon alkool në mënyrë të rëndë ka ndryshuar krahasuar me 20 vjet më parë”, ka thënë ai.