Lifestyle

Dieta mesdhetare e ul rrezikun gjenetik për demencë

Dieta mesdhetare

Dieta mesdhetare

Një hulumtim i publikuar në revistën Nature Medicine sugjeron se ndjekja e dietës mesdhetare mund të ndihmojë në uljen e rrezikut gjenetik për zhvillimin e sëmundjes Alzheimer, ka shkruar The Harvard Gazette.

Studimi, i udhëhequr nga shkencëtarë të Mass General Brigham, Harvard T.H. Chan School of Public Health dhe Broad Institute të MIT dhe Harvardit, ka treguar se njerëzit me predispozitën më të lartë gjenetike për Alzheimer, por që ndiqnin dietën mesdhetare, e cila është e pasur me perime, fruta, arra, drithëra dhe sa më pak mish të përpunuar, përjetonin rënie më të ngadaltë të funksioneve njohëse dhe rrezik më të ulët për demencë krahasuar me të tjerët.

“Një nga arsyet pse deshëm ta studionim dietën mesdhetare është sepse ajo është modeli i vetëm ushqimor që është lidhur në mënyrë shkakësore me përfitime për aftësitë njohëse në një provë të zakonshme”, ka thënë autorja e parë e studimit, Yuxi Liu, studiuese në Brigham and Women’s Hospital dhe postdoktorante në Harvard.

Ajo ka shtuar se bashkë me ekipin e studimit deshën të shohin nëse ky përfitim ndryshon te njerëzit me prapavija të ndryshme gjenetike dhe të kuptonin rolin e metabolitëve të gjakut, molekulave të vogla që pasqyrojnë mënyrën si trupi përpunon ushqimin.

Alzheimeri është sëmundja më e zakonshme që shkakton humbje të kujtesës te të moshuarit dhe ka komponent të fortë gjenetik, sepse është deri në 80 për qind trashëguese.

Një variant i veçantë i gjenit APOE4 është faktori më i madh gjenetik i rrezikut për Alzheimerin. Ata që mbajnë kopje të këtij varianti kanë 3-4 herë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundjen, ndërsa ata me dy kopje kanë deri në 12 herë më shumë gjasa.

Për ta testuar ndikimin e dietës, studiuesit kanë analizuar të dhëna nga 4,215 gra që nga viti 1989 dhe nga 1,490 burra që nga viti 1993, duke ndjekur ushqyerjen, mostrat e gjakut dhe të dhënat gjenetike të tyre për dekada.

Një grup më i vogël, prej mbi 1,000 grave iu nënshtrua edhe testeve të rregullta të aftësive njohëse.

Rezultatet kanë treguar se ata që ndiqnin mënyrën mesdhetare të të ushqyerit kishin rrezik më të ulët për demencë dhe rënie më të ngadaltë të kujtesës.

Efekti mbrojtës ishte më i fortë te njerëzit me dy kopje të gjenit APOE4, duke sugjeruar se dieta mund të zbusë ndikimin e trashëgimisë gjenetike.

“Këto gjetje sugjerojnë se strategjitë ushqimore, sidomos dieta mesdhetare, mund të ndihmojnë në reduktimin e rrezikut për rënie të aftësive njohëse dhe demencë duke ndikuar në mënyrë të gjerë te rrugët metabolike të trupit. Ky rekomandim vlen për të gjithë, por është edhe më i rëndësishëm për ata që mbajnë dy kopje të gjenit APOE4”, ka thënë Liu.

Studiuesit kanë theksuar se mostra e marrë për studim përbëhej kryesisht nga individë me prejardhje evropiane dhe nivel të lartë arsimimi, prandaj nevojiten kërkime më të gjera në popullata më të ndryshme.

“Në të ardhmen shpresojmë të hulumtojmë nëse synimi i metabolitëve të caktuar përmes dietës apo ndërhyrjeve të tjera mund të ofrojë qasje më të personalizuar për reduktimin e rrezikut nga demenca”, shtoi Liu.