Lifestyle

Dhuruesi i spermës bart kancerin te rreth 200 fëmijë, disa vdiqën

Fertilizimi artificial

Fertilizimi artificial

Sperma e një dhuruesi që mbante pa e ditur një mutacion gjenetik që rrit ndjeshëm rrezikun e kancerit është përdorur për të sjellë në jetë të paktën 197 fëmijë në mbarë Evropën, ka zbuluar një hetim i madh ndërkombëtar, ka raportuar BBC.

Disa nga këta fëmijë kanë vdekur dhe vetëm një përqindje e vogël e atyre që trashëgojnë mutacionin do t’i shpëtojnë nga të sëmurit me kancer gjatë jetës së tyre.

Sperma nuk është shitur në klinika në Britani, por BBC ka konfirmuar se një numër “shumë i vogël” familjesh britanike, të cilat tashmë janë njoftuar, kanë përdorur spermën e këtij dhuruesi gjatë trajtimeve për fertilitet në Danimarkë.

Sperma është shitur nga European Sperm Bank, e cila shprehu “keqardhjen më të thellë” për familjet e prekura dhe pranoi se në disa vende sperma e një dhuruesi është përdorur për të sjellë në jetë shumë më tepër fëmijë sesa lejohet.

Hetimi është realizuar nga 14 transmetues publikë, përfshirë BBC-në, në kuadër të Rrjetit të Gazetarisë Investigative të Unionit Evropian të Transmetuesve.

Dhuruesi ishte një burrë anonim që kishte filluar të dhuronte spermë si student në vitin 2005.

Sperma e tij është përdorur për rreth 17 vjet. Ai është i shëndetshëm dhe kishte kaluar të gjitha kontrollet standarde për dhuruesit, por ADN-ja në disa prej qelizave të tij kishte pësuar mutacion që para lindjes.

Ky mutacion dëmton gjenin TP53, i cili luan rol të rëndësishëm në parandalimin e shndërrimit të qelizave normale në qeliza kancerogjene.

Shumica e trupit të dhuruesit nuk e përmban këtë mutacion të rrezikshëm, por deri në 20 për qind e spermës së tij e përmban atë. Çdo fëmijë i ngjizur nga kjo spermë e trashëgon mutacionin në çdo qelizë të trupit.

Kjo gjendje njihet si sindroma Li-Fraumeni dhe shoqërohet me deri në 90 për qind rrezik për zhvillim të kancerit, sidomos gjatë fëmijërisë, si dhe kancer të gjirit më vonë në jetë.

“Është një diagnozë e tmerrshme. Është jashtëzakonisht e vështirë t’ia komunikosh një familjeje një diagnozë të tillë. Ka një barrë të përjetshme të jetesës me këtë rrezik dhe është qartësisht shkatërruese”, ka thënë për BBC-në profesoresha Clare Turnbull, nga Instituti për Studime mbi Kancerin në Londër.

Personat me këtë sindromë kanë nevojë për rezonancë magnetike të trupit dhe trurit çdo vit, si dhe kontrolle të shpeshta me ultratinguj për të zbuluar tumoret sa më herët. Shumë gra zgjedhin heqjen parandaluese të gjoksit për ta ulur rrezikun e kancerit.

European Sperm Bank ka deklaruar se “dhuruesi dhe anëtarët e familjes së tij nuk janë të sëmurë” dhe se një mutacion i tillë “nuk mund të zbulohet paraprakisht nga testimet gjenetike standarde”. Sipas bankës, dhuruesi është bllokuar menjëherë sapo është zbuluar problemi.

Mjekë nga disa vende evropiane, që kishin trajtuar fëmijë me kancer të lidhur me spermë dhuruese, ngritën alarmin këtë vit në Shoqatën Evropiane të Gjenetikës Humane.

Ata raportuan se nga 67 fëmijë të identifikuar fillimisht, 23 kishin këtë variant gjenetik dhe 10 tashmë ishin diagnostikuar me kancer.

Hetimi zbulon se numri real i fëmijëve të lindur nga ky dhurues është shumë më i madh: të paktën 197, dhe kjo shifër mund të rritet. Ende nuk dihet se sa prej tyre e kanë trashëguar mutacionin.

“Ne kemi shumë fëmijë që tashmë kanë zhvilluar kancer. Disa prej tyre kanë pasur dy kancere të ndryshme dhe disa kanë vdekur në një moshë shumë të hershme”, ka thënë doktoresha Edwige Kasper, në Spitalin Universitar të Rouenit, në Francë.

Një nënë në Francë, ka thënë se vajza e saj 14-vjeçare e ngjizur me këtë spermë e ka mutacionin. Ajo u kontaktua nga klinika ku kishte kryer trajtimin dhe iu kërkua të bënte testime.

“Aspak nuk kam ndjenja negative ndaj dhuruesit. Por nuk është e pranueshme të të jepet spermë që nuk është e sigurt, që mbart rrezik”, ka thënë ajo.

Kjo nënë tutje ka thënë se tani kanceri do të jetë gjithmonë një kërcënim mbi jetën e vajzës së saj.

“Nuk e dimë kur do të ndodhë, nuk e dimë cili kancer, dhe nuk e dimë sa herë. E di që ka shumë gjasa të ndodhë dhe kur të ndodhë, ne do të luftojmë. Nëse do të ketë disa, do të luftojmë disa herë”, ka thënë ajo.

Sperma e këtij dhuruesi është përdorur nga 67 klinika fertiliteti në 14 vende.

Ani pse nuk është shitur në klinika britanike, autoritetet daneze kanë njoftuar Autoritetin Britanik për Fertilizimin dhe Embriologjinë Njerëzore (HFEA) se disa gra britanike kishin udhëtuar në Danimarkë për trajtim.

“Bëhet fjalë për një numër shumë të vogël grash dhe ato janë informuar”, ka thënë drejtori i HFEA-së, Peter Thompson.

Nuk ekziston një ligj ndërkombëtar që kufizon sa herë mund të përdoret sperma e një dhuruesi në mbarë botën, ani pse disa vende kanë kufijtë e tyre.

Në Belgjikë, për shembull, një dhurues duhet të përdoret për jo më shumë se gjashtë familje, por në këtë rast 38 gra sollën në jetë 53 fëmijë nga i njëjti dhurues.

“Rasti është i tmerrshëm për të gjithë të përfshirët, por nuk mund të kontrollosh gjithçka. Nuk mund të testosh për çdo gjë. Nëse i bëjmë kriteret edhe më të rrepta, thjesht nuk do të kemi më dhurues spermash”, ka thënë profesori Allan Pacey nga Universiteti i Manchesterit.

Ekspertët theksojnë se përdorimi i një klinike të licencuar mbetet më i sigurt sesa shtatzënia pa kontrolle mjekësore, por pranojnë se nevojiten kufij më të rreptë për përdorimin e spermës së një dhuruesi, për të mbrojtur fëmijët dhe familjet.