Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Çka duhet ditur para se të kërkoni këshillë shëndetësore nga ChatGPT-ja?

Chat GPT

Chat GPT

Foto: Associated Press

Me qindra miliona njerëz që po u drejtohen chatbotëve për këshilla të ndryshme, ishte vetëm çështje kohe para se kompanitë teknologjike të ofronin versione të posaçme për pyetje shëndetësore, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.

Në muajin janar, OpenAI prezantoi ChatGPT Health, një version i ri që, sipas kompanisë, mund të analizojë kartelat mjekësore të përdoruesve, aplikacionet e mirëqenies dhe të dhënat nga pajisjet që mbahen në kyçin e dorës për t’iu përgjigjur pyetjeve shëndetësore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Aktualisht ekziston një listë pritjeje për këtë program. Ndërkohë, kompania rivale Anthropic ofron funksione të ngjashme për disa përdorues të chatbotit të saj, Claude.

Të dyja kompanitë theksojnë se këto sisteme, të njohura si modele të mëdha gjuhësore, nuk zëvendësojnë kujdesin profesional dhe nuk duhen përdorur për diagnozë.

Sipas tyre, chatbotët mund të ndihmojnë në përmbledhjen dhe shpjegimin e analizave të ndërlikuara, përgatitjen për vizitë te mjeku apo identifikimin e tendencave të rëndësishme në të dhënat shëndetësore.

Ja disa gjëra që duhen marrë parasysh para se të flisni me një chatbot për shëndetin tuaj:

Chatbotët mund të ofrojnë informacion më të personalizuar sesa një kërkim në Google

Disa mjekë dhe studiues që kanë punuar me ChatGPT Health dhe programe të ngjashme i shohin ato si një përmirësim krahasuar me kërkimet e zakonshme online.

Platformat me AI nuk janë perfektë, ndonjëherë mund të japin këshilla të pasakta, por informacioni që ofrojnë është shpesh më i personalizuar dhe më specifik sesa ai që gjendet përmes një kërkimi të thjeshtë në Google.

“Alternativa shpesh është asgjë, ose pacienti të improvizojë vetë. Prandaj mendoj se nëse këto mjete përdoren me përgjegjësi, mund të ofrojnë informacion të dobishëm”, ka thënë doktori Robert Wachter, ekspert i teknologjisë mjekësore në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko

Një nga avantazhet e chatbotëve më të rinj është se ata mund të përgjigjen duke marrë parasysh historinë mjekësore të përdoruesit, përfshirë moshën, barnat që merr dhe shënimet e mjekut.

Edhe nëse nuk i keni dhënë qasje në kartelën tuaj mjekësore, ekspertët rekomandojnë të jepni sa më shumë detaje, në mënyrë që përgjigjja të jetë sa më e saktë.

Nëse keni simptoma shqetësuese, shmangni AI-në

Wachter dhe ekspertë të tjerë theksojnë se ka situata kur njerëzit duhet të anashkalojnë chatbotin dhe të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore. Simptoma si vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi apo dhimbje e fortë koke mund të jenë shenja të një urgjence mjekësore.

Edhe në raste më pak urgjente, pacientët dhe mjekët duhet t’i qasen AI-së me “një dozë skepticizmi të shëndetshëm”, sipas doktorit Lloyd Minor nga Universiteti Stanford.

“Nëse bëhet fjalë për një vendim të rëndësishëm mjekësor, apo edhe për një vendim më të vogël për shëndetin tuaj, nuk duhet të mbështeteni kurrë vetëm në atë që merrni nga një model i madh gjuhësor”, ka thënë Minor, i cili është dekan i fakultetit të mjekësisë në Stanford.

Mendoni për privatësinë para se të ngarkoni të dhëna shëndetësore

Shumë nga përfitimet e chatbotëve vijnë nga ndarja e të dhënave personale mjekësore. Por është e rëndësishme të kuptohet se çdo informacion i ndarë me një kompani teknologjike nuk mbrohet nga ligji federal amerikan për privatësinë mjekësore, i njohur si HIPAA.

Ky ligj parashikon gjoba dhe madje burg për mjekë, spitale apo kompani sigurimesh që zbulojnë të dhëna mjekësore. Por ai nuk zbatohet për kompanitë që zhvillojnë chatbote.

“Kur dikush ngarkon kartelën e tij mjekësore në një model të madh gjuhësor, kjo është shumë ndryshe se sa t’ia japësh atë një mjeku të ri. pacientët duhet të kuptojnë se standardet e privatësisë janë krejtësisht të ndryshme”, ka thënë Minor.

Si OpenAI ashtu edhe Anthropic thonë se të dhënat shëndetësore ruhen të ndara nga të dhënat e tjera dhe u nënshtrohen mbrojtjeve shtesë. Ato nuk përdoren për të trajnuar modelet dhe përdoruesit mund të zgjedhin vetë nëse duan t’i ndajnë apo jo.

Testimet tregojnë se chatbotët mund të gabojnë

Pavarësisht entuziazmit për AI-në, testimet e pavarura janë ende në fazat e hershme. Studimet fillestare sugjerojnë se programe si ChatGPT mund të kalojnë me sukses provime të vështira mjekësore, por hasin vështirësi në ndërveprim me njerëz realë.

Një studim me 1,300 pjesëmarrës nga Universiteti i Oksfordit zbuloi se personat që përdornin chatbote për të hulumtuar skenarë hipotetikë shëndetësorë nuk merrnin vendime më të mira sesa ata që përdornin kërkime online ose gjykimin personal.

Kur chatbotët u paraqiteshin me skenarë mjekësorë të shkruar në mënyrë të plotë, ata identifikonin saktë problemin në 95 për qind të rasteve.

“Ky nuk ishte problemi. Problemi lindte gjatë ndërveprimit me pjesëmarrësit realë”, ka thënë autori kryesor i studimit, Adam Mahdi nga Oxford Internet Institute.

Sipas studimit, shpesh përdoruesit nuk jepnin informacionin e nevojshëm, ndërsa chatbot-ët përgjigjeshin me një përzierje informacioni të saktë dhe të pasaktë, duke e bërë të vështirë dallimin mes tyre. Studimi u krye në vitin 2024 dhe nuk përfshinte versionet më të reja si ChatGPT Health.

Edhe “një mendim tjetër” nga AI mund të ndihmojë

Sipas Wachter, një nga fushat ku chatbotët mund të përmirësohen është aftësia për të bërë pyetje sqaruese, ashtu siç do të bënte një mjek.

“Mendoj se do të bëhen vërtet të mirë kur të sillen pak më shumë si mjekë në mënyrën si komunikojnë me pacientin”, ka thënë ai.

Për momentin, një mënyrë për të rritur besimin te informacioni i marrë është të konsultoni më shumë se një chatbot, njësoj si të merrni një një mendim tjetër apo të dytë nga një mjek tjetër.

“Unë ndonjëherë e fus informacionin në ChatGPT dhe pastaj në Gemini”, ka thënë Wachter, duke iu referuar mjetit të AI-së së Google dhe ka shtuar se “kur të dyja bien dakord, ndihem pak më i sigurt se ajo është përgjigjja e duhur”.