Lifestyle

Çaji apo kafeja: cila është më e mirë për eshtrat?

Çaji dhe kafeja

Çaji dhe kafeja

Si çaji ashtu edhe kafeja sjellin përfitime shëndetësore, por kur bëhet fjalë për shëndetin e eshtrave, çaji duket se ka një avantazh shumë të lehtë, sipas një studimi të fundit.

Ndërkohë, konsumimi i tepërt i kafesë, pesë ose më shumë filxhanë në ditë, mund të ndikojë negativisht në dendësinë e eshtrave, ka raportuar The Washington Post.

Studiues nga Universiteti Flinders në Australi kanë analizuar të dhëna nga afërsisht 10 mijë gra mbi moshën 65 vjeçe, duke krahasuar konsumin e çajit dhe kafesë me densitetin mineral të eshtrave të ijëve, pjesa më e rrezikuar nga frakturat. Rezultatet u publikuan në revistën shkencore Nutrients.

Pas 10 vjetësh vëzhgim, gratë që pinin çaj kishin densitet pak më të lartë të eshtrave të ijëve krahasuar me ato që pinin kryesisht kafe.

“Nuk e dimë saktësisht pse çaji duket më mbrojtës se kafeja. Por çaji përmban përbërës si katekinat, që mund të nxisin qelizat që ndërtojnë kockën”, ka thënë Ryan Liu, bashkautor i studimit.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se ky përfitim është shumë i vogël.

“Dallimi është aq i vogël sa klinikisht mund të mos ketë shumë rëndësi”, ka thënë Michael Holick, profesor në Universitetin e Bostonit, i cili nuk ishte pjesë e studimit.

Densiteti i ulët i eshtrave rrit rrezikun për osteoporozë, sëmundje që dobëson eshtrat dhe i bën ato më të prirura për thyerje. Rreth 10 milionë amerikanë vuajnë nga osteoporoza, ndërsa 44 milionë të tjerë janë në rrezik, sipas autoriteteve shëndetësore amerikane.

Sa i përket kafesë, studiuesit kanë vënë re një “pikë kthese”, konsumimi i moderuar, rreth dy deri në tre filxhanë në ditë, nuk dukej se i dëmtonte eshtrat.

Por pirja e pesë ose më shumë filxhanëve në ditë lidhej me densitet më të ulët të eshtrave, sidomos te personat që konsumonin edhe më shumë alkool gjatë jetës.

“Kjo nuk do të thotë që kafeja është e keqe. Por disa grupe janë më të rrezikuara, sidomos ata që pinë shumë kafe dhe alkool”, ka thënë Liu.

Ekspertët theksojnë se nuk ka arsye që  njerëzit të kalojnë patjetër nga kafeja te çaji.

“Studimet për kafeinën dhe  eshtrat janë shpesh kontradiktore”, ka thënë Anika Anam nga Universiteti Yale.

Disa studime të mëparshme madje e kanë lidhur kafenë me rrezik më të ulët për osteoporozë.

Përfundimi kryesor është moderimi. Rekomandohet të mos kalohen dy deri në tre filxhanë kafe në ditë, në përputhje me udhëzimet e FDA-së, që sugjerojnë maksimumi 400 mg kafeinë në ditë.

“Si çdo gjë tjetër në jetë, moderimi është çelësi”, ka thënë Holick.

Çka tjetër ndihmon në forcimin e eshtrave?

Ekspertët theksojnë se zgjedhja mes çajit dhe kafesë është më pak e rëndësishme sesa zakonet e përgjithshme të jetesës.

-Marrja e mjaftueshme e kalciumit dhe vitaminës D. Këto janë thelbësore për eshtra të forta. Përveç produkteve të qumështit, burime të mira janë perimet me gjethe të gjelbra, sardelet dhe pijet e fortifikuara.

-Ushtrimet fizike, sidomos ato me peshë dhe rezistencë, si ecja, ngjitja e shkallëve, ushtrimet me shirita elastikë ose Pilates.

-Moskonsumimi i duhanit dhe kufizimi i alkoolit, pasi këto dobësojnë eshtrat.

“Nëse pini çaj, është interesante që mund të ketë përfitim të vogël, por kjo nuk e zëvendëson aspak nevojën për ushqyerje të mirë dhe kujdes për shëndetin e eshtrave”, ka thënë Anam.