Rrudhat e vogla në gishtërinjtë nuk janë vetëm efekt anësor që shkaktohet pas qëndrimit të gjatë në ujë, ato janë reaksione të sofistikuara biologjike, që aktivizohen nga truri për ta ndihmuar trupin të mbijetojë dhe të përshtat në mjedise të lagështa. Falë shkencës, edhe këto rrudha mund të shtohen në listën e veçorive unike të trupit, së bashku me shenjat e gishtërinjve dhe strukturat e padukshme të lëkurës, njofton "sciencealert.com".
Eksperiment interesant me gishta të lagur
"A formohen gjithmonë njësoj rrudhat?"
Guy German, inxhinier biomjekësor nga Universiteti i Binghamton në New York, i cili ishte autori i studimit të kësaj çështje, ka thënë se u inspirua nga kjo pyetje për ta nisur studimin.
German dhe kolegia e tij Rachel Laytin ftuan tre vullnetarë, të cilëve u kërkuan t’i zhysnin duart në ujë për 30 minuta. Më pas, ata krahasuan fotot e rrudhave të formuara në gishta me ato që formoheshin 24 orë më vonë, kur eksperimentin e përsëritën.
“Pamjet treguan se rrudhat e formuara, ishin shumë të ngjashme nga një ditë në tjetrën”, ka thënë German.
Kjo do të thotë se rrudhat ndjekin një model të caktuar, dhe nuk janë të rastësishme, siç besohej më parë.
Si formohen rrudhat gjatë qëndrimit në ujë?
Kur gishtat zhyten në ujë, uji hyn përmes poreve të djersës në lëkurë, dhe ul përqendrimin e kripës në shtresat e sipërme. Ky ndryshim dërgon një sinjal në tru përmes fibrave nervore, dhe trupi reagon duke ngushtuar enët e gjakut të zonës.
“Enët e gjakut nuk ndryshojnë shumë pozicion, ato lëvizin pak, por në raport me njëra-tjetrën qëndrojnë në vend. Kjo do të thotë se rrudhat formohen në të njëjtat vende, dhe ne e vërtetuam këtë”, ka shpjeguar German.
Kur enët e vogla tkurren, ato tërheqin pas vetes edhe sipërfaqen e lëkurës, duke krijuar rrudhat karakteristike që shihen në gishta dhe këmbë.
Pse këto rrudha janë vetëm përkohësisht?
Interesant është fakti që këto rrudha e ndihmojnë njeriun. Kur lëkura rrudhoset, ajo ofron më shumë kapje, duke e bërë më të lehtë kapjen e objekteve të lagura ose ecjen mbi sipërfaqe të rrëshqitshme.
“Rrudhat na mundësojnë të bëjmë super-kapje!”, thonë studiuesit.
Pse nuk qëndrojnë gjithmonë?
Shkencëtarët dyshojnë se rrudhat e përhershme mund ta ulin ndjeshmërinë e gishtave, ose ta rrisin rrezikun për plagosje. Prandaj, trupi i aktivizon vetëm kur janë të nevojshme, një strategji e mençur evolutive.
Çfarë ndodh kur nervat nuk funksionojnë?
Një nga zbulimet më befasuese është se njerëzit me dëmtim të nervit median nuk zhvillojnë rrudha në gishta kur i zhysin në ujë.
“Kemi dëgjuar se rrudhat nuk formohen tek ata që kanë dëmtime në nervin median të dorës. Një nga studentët tanë tha: ‘Unë kam dëmtim në atë nerv.’ E testuam, dhe vërtet, nuk i formoheshin rrudhat!”, ka treguar German.