Një studim i ri ka sugjeruar se rritja e numrit të hapave gjatë ditës mund t’i ndihmojë njerëzit ta mbajnë më gjatë peshën që tashmë e kanë pasi kanë humbur kilogramët e tepërt. Rreth 8,500 hapa në ditë mund të jenë një objektiv i dobishëm, ka shkruar ABC News.
Studimi, i publikuar në revistën Public Health “International Journal of Environmental Research and Public Health” dhe i prezantuar në Konferencën Evropiane për Obezitetin, ka analizuar të dhënat nga 18 studime të mëparshme mbi humbjen e peshës dhe aktivitetin fizik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoStudiuesit zbuluan se ecja më e gjatë nuk lidhej fort me humbjen shtesë të kilogramëve gjatë programeve aktive të dobësimit. Megjithatë, personat që vazhdonin të bënin më shumë hapa çdo ditë kishin më shumë gjasa ta ruanin peshën e humbur në afat të gjatë.
Gjatë një periudhe ndjekjeje prej rreth një viti e gjysmë, studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit ruanin afërsisht 1 për qind të humbjes së peshës për çdo 1,000 hapa shtesë që bënin çdo ditë. Mesatarisht, pjesëmarrësit nisnin me rreth 7,400 hapa në ditë.
Sipas studimit, mesatarisht 8,500 hapa në ditë dukeshin se ndihmonin më shumë në ruajtjen afatgjatë të peshës së humbur, megjithëse studiuesit theksuan se ky nuk është një objektiv strikt apo i përshtatshëm për të gjithë.
Aktiviteti fizik shtesë ishte pjesë e programeve të strukturuara të jetesës, të cilat përfshinin edhe ndryshime në ushqyerje.
“Ky ishte një program për ndryshim të stilit të jetesës dhe humbja e peshës kërkon një qasje me shumë faktorë. Këta persona morën këshilla për dietën, sjelljen dhe gjithashtu u inkurajuan të lëviznin më shumë. Pra, nevojitet kombinimi i të gjitha këtyre”, ka thënë Tara Narula, bashkëpunëtorja e ABC News për çështje mjekësore në emisionin “Good Morning America”.
Ajo ka shtuar se studiuesit e konsiderojnë këtë studim si një bazë për kërkime të mëtejshme.
“Studiuesit thonë se këto rezultate duhet të na nxisin të bëjmë më shumë kërkime. Nuk është një rekomandim që të gjithë të dalin tani e të bëjnë 8,500 hapa në ditë. Por është një informacion i dobishëm”, ka thënë Narula.
Studiuesit përfunduan se kufizimi i kalorive duket të jetë më i rëndësishëm gjatë fazës së humbjes së peshës, ndërsa aktiviteti fizik më i lartë lidhet më shumë me ruajtjen afatgjatë të rezultateve.
Studimi kishte edhe disa kufizime. Analiza përfshinte vetëm të rritur me mbipeshë ose obezitet dhe bazohej në të dhëna të kombinuara nga popullata të ndryshme, çka do të thotë se rezultatet tregojnë lidhje mes faktorëve dhe jo domosdoshmërisht shkak të drejtpërdrejtë.
“Sigurisht, nëse po planifikoni një program për humbje peshe, flisni me mjekun tuaj për të kuptuar se çfarë është më e përshtatshme për ju sa i përket aktivitetit fizik dhe objektivave”, ka thënë Narula.
Ajo ka shtuar se zakonet e shëndetshme ndërtohen mbi njëra-tjetrën.
“Sa më shumë humbni peshë, aq më shumë dëshironi të ushtroheni dhe ndiheni më mirë. Por është inkurajuese të dimë se ndonjëherë mjafton vetëm një rritje e vogël e aktivitetit fizik”, ka thënë ajo.