Dy murgesha braziliane janë bërë virale në rrjetet sociale pas një performance spontane me ‘beatbox’ dhe vallëzim gjatë një emisioni televiziv katolik në Brazil.
Motrat Marizele Cassiano dhe Marisa de Paula, anëtare të kongregatës “Copiosa Redençao”, po flisnin për tërheqjen shpirtërore që e kanë me fenë në kanalin televiziv brazilian “Pai Eterno”, kur vendosën të ndanin një këngë që lidhet me thirrjen për jetën si murgeshë.
Të dyja murgeshat u ngritën dhe filluan një performancë të papritur me këngë, ‘beatbox’ dhe vallëzim. Atyre iu bashkua edhe prezantuesi i emisionit, diakoni Giovani Bastos, i cili imitoi lëvizjet e motrës Marisa, në një moment që tani është parë nga miliona njerëz në Brazil dhe jashtë tij.
“Ishte një moment shumë spontan, sepse me motrën Marisa, nëse i bie ritmit, ajo do të kërcejë. Dhe unë jam mësuar të këndoj dhe të bëj ‘beatbox’, kështu që për ne ishte diçka shumë e thjeshtë dhe spontane — por befasuese që u bë virale edhe jashtë Brazilit,” u shpreh motra Marizele Cassiano, murgesha që bëri ‘beatbox’, për agjencinë Associated Press.
Murgeshat janë të angazhuara në ndihmën për të rinjtë që përballen me varësinë nga droga, dhe thonë se muzika është mjet shumë i fuqishëm për të ndihmuar ata që janë në nevojë.
“ ‘Beatboxi’, vallëzimi dhe vetë këngët janë mjete që Zoti i përdor për të prekur zemrat e njerëzve me të cilët punojmë. Dhe funksionon! Është e bukur për t’u parë,” shtoi motra Marizele.
Ndërsa motra Marisa nuk ka llogari në rrjete sociale, motra Marizele ka kaluar mbi 100 mijë ndjekës në Instagram që nga momenti kur performanca e saj u bë virale.
VIDEO: