Seanca përfundimtare e gjykimit në Hagë është përcjellë edhe nga krerë institucionesh të Kosovës e familjarë të ish-eprorëve të UÇK-së. Para fillimit të saj, ata u shprehën optimistë për epilog pozitiv të procesit. Pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokatët thanë se kanë arsye për të qenë optimistë për epilogun e këtij procesi
Objektit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, iu drejtuan paraditen e së mërkurës familjarë e miq të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga salla e gjyqit, ata dëgjuan fjalët e fundit të ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi e të Rexhep Selimit, para përmbylljes së procesit gjyqësor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDeputetja Shqipe Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, paraprakisht tha se Gjykata Speciale ka qenë e padrejtë që nga fillimi.
Selimi që edhe vetë ka qenë luftëtare e UÇK-së, ka thënë se pret lirimin e tyre.
“Kjo gjykatë ka qenë e padrejtë që prej fillimit, e padrejtë që është themeluar dhe padrejtësisht po e gjykon Kosovën dhe luftën tonë. Ne si ushtarë qëndrojmë ballëhapur se kemi bërë luftë çlirimtare, për këtë jam shumë e bindur dhe gjykatësit do ta shohin, do ta shohin këtë të drejtë”, ka thënë deputetja Selimi.
Pjesë e seancës gjyqësore, në fazën përfundimtare të procesit, ishte edhe zv.kryeministri Glauk Konjufca.
Ai tha se shpreson që vendimi i Speciales të jetë në përputhje me historinë e lavdinë e UÇK-së.
“Unë jam këtu për të konfirmuar edhe njëherë se lufta jonë, lufta e popullit të Kosovës ishte luftë e drejtë, ka qenë luftë e pastër, ka qenë luftë mbrojtëse. Nuk ka qenë qëllimi i kësaj lufte sulmi i asnjë populli tjetër, targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte policia dhe ushtria serbe, njerëzit e uniformuar okupatorë që bënë gjenocidin në Kosovë, që vranë fëmijë e gra e pleqtë e që i mbytën mbi 12 mijë qytetarë të Republikës sonë”, ka deklaruar Konjufca.
E pas përfundimit të seancës, avokati i ish-presidentit Thaçi, Luka Mishetiq, është shprehur optimist për epilogun e procesit.
“Është gjithmonë e pamatur të përpiqesh të parashikosh diçka në çdo çështje gjyqësore, sepse në fund të fundit gjithçka varet nga gjyqtarët. Por nga argumentet që dëgjuam sot dhe gjatë 10 ditëve të fundit, si nga prokuroria ashtu edhe nga mbrojtja, besojmë se kemi të drejtë si në aspektin e provave ashtu edhe të ligjit. Dhe siç thashë, presim një rezultat shumë të mirë për klientin tonë”, është shprehur Mishetiq.
Edhe avokatja e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, është shprehur e bindur se akuzat ndaj tij do të hidhen poshtë.
“Asnjë dëshmitar nuk ka bërë ndonjë akuzë kundër z. Krasniqi që ai ka rrahur apo keqtrajtuar ndokënd. Dëshmitarët vendas dhe ndërkombëtarë kanë theksuar se Jakup Krasniqi është njeri i respektit, integritetit dhe njeri i paqes”, ka arsyetuar Venkatesëari Alagendra, avokate e Krasniqit.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, tash e tre vjet janë duke u gjykuar nga Specialja në Hagë për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Ndaj secilit prej tyre, Prokuroria Speciale ka kërkuar 45 vjet burgim.