Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Zubin-Potok, protestuesit shpërndahen në orën 15:30, kryetari Zeqiri s’doli në zyrë as të premten

E qetë ishte protesta edhe në Zubin-Potok. Të mbledhur që në orën tetë, protestuesit ishin të paktë në numër gjatë pasdites, pak para shpërndarjes në orën 15 e 30 minuta. E gjatë ditës, kryetari i ri, Izmir Zeqiri, sërish nuk doli për ta ushtruar funksionin e tij në objektin e Komunës

Që në orën 8 të mëngjesit, qytetarë serbë nisën tubimin para objektit të Komunës në Zubin-Potok, për ditën e gjashtë të protestës në kundërshtim të kryetarit të ri, Izmir Zeqiri.

E Zeqiri as të premten nuk u paraqit në zyrën komunale, por funksionin vazhdoi që ta ushtrojë nga Zyra për Komunitete në fshatin Çabër.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë pasdites, qytetarët e mbledhur nuk ishin të shumtë në numër e shumë prej tyre shkonin e vinin në vendtakimin për protestë. Rehatinë ua prishi shiu tek po qëndronin nën strehën e tendave që i vendosën gjatë ditës.

Tingujt e muzikës me motive nacionaliste i kanë shoqëruar protestuesit edhe në ditën e gjashtë të protestës në kundërshtim të kryetarit të ri. Protesta ishte e qetë e pa tensione.

Njëjtë sikurse ditëve të kaluara, në zonën përreth objektit të Komunës ishin të vendosur pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët ndërroheshin kohë pas kohe.

E më tej tij, në një kënd rrugice, situata vëzhgohej nga pjesëtarë të KFOR-it që ishin të paktë në numër, e që angazhohen për sigurinë në pjesën e prapme të objektit të Komunës.

Në katin e tretë të objektit vazhdon të qëndrojë flamuri i Kosovës përderisa afër tij, në godinën e Shtëpisë së Shëndetit, valon ai gjigand i Serbisë, i vendosur të mërkurën.

Që nga fillimi i protestave të premten e shkuar, protestuesit në Zubin-Potok kanë qenë më të qetë, me përjashtim të disave, kur janë sulmuar veturat e pjesëtarëve të mediave, një prej të cilave është djegur.

As gazetarët nuk janë penguar në kryerjen e punës e tyre, siç ka ndodhur në komunat e Leposaviqit dhe të Zveçanit. E për dallim nga Zveçani, ku bashkë me protestuesit qëndruan edhe udhëheqësit e subjektit politik serb “Lista Serbe”, ata nuk janë parë edhe në Zubin-Potok.

Sikurse deri më tash, edhe protesta e së premtes u përmbyll në orën 15 e 30 minuta, kur serbët lokalë u shpërndan drejt shtëpive të tyre.