LAJMET E MBRËMJES

Vihet gurthemeli i dy urave mbi lumin Ibër

Kryeministri në detyrë bashkë me vartës të tij e përfaqësues lokalë kanë vënë të martën gurthemelin e dy urave të reja që lidhin Komunën e Mitrovicës së Veriut me atë të Jugut. Tek u ka dhënë përgjigje kërkesave të ndërkombëtarëve për shmangie të veprimeve të njëanshme, Kurti ka thënë se urat i kontribuojnë shtensionimit të situatës. Ai po ashtu ka deklaruar se do të vijë koha kur edhe ura qendrore mbi Ibër do të hapet për qarkullimin e automjeteve

Zyrtarë të Qeverisë në detyrë bashkë me përfaqësues të komunave të Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, të martën, kanë vënë gurthemelin e dy urave të reja që lidhin qytetin e Mitrovicës.

Fillimisht është bërë përurimi i urës për qarkullimin e automjeteve, disa metra tutje urës qendrore mbi lumin Ibër, që vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve.

Më pas kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me vartësit e tij kanë ecur në këmbë tek ana tjetër e Ibrit, ku u vu gurthemeli i urës për qarkullimin e këmbësorëve, përballë tre rrokaqiejve në Mitrovicën e Veriut.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ndërtimi i urave të reja është në funksion të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve, duke theksuar se mungesa e tyre krijon tensione.

“Jam gjithmonë për ura të bashkëpunimit. Këto ura dëshmojnë përkushtimin tonë që ndërmjet veriut dhe jugut të ketë sa më shumë komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbime…Urat nuk janë kundër askujt, janë për të gjithë qytetarët, për shqiptarët, serbët, boshnjakët, romët e të tjerët”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, ndërtimi i këtyre urave është në përputhje të plotë me planet zhvillimore dhe ligjin, tek i është përgjigjur paralajmërimit të një dite më parë nga Bashkimi Evropian, i cili u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga “veprime të njëanshme”, përfshirë edhe ndërtimin e urave bashkëngjitëse.

Kurti është pyetur edhe për urën qendrore, duke thënë se edhe asaj i vjen koha kur do të hapet.

“Nuk heqim dorë asnjëherë prej asnjë qëllimi tonë. Kjo urë ka nevojë të hapet. Ne nuk duam të krijojmë kurrfarë fërkimesh me askënd, përfshirë edhe karabinierët italianë, prandaj po i presim që të binden edhe ata, siç jemi bindur ne”, ka thënë Kurti.

E ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është shprehur se më së largu në tetor do të përfundojnë punimet.

Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që urat të përfundohen edhe para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, më 12 tetor.

“Mbase po”, ka thënë ai, teksa ka ndërhyrë Kurti: “Nuk jemi këtu për çështje të zgjedhjeve”.

Më optimist është shfaqur ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili ka thënë se punimet do të përfundojnë në fillim të shtatorit.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka ndaluar gjashtë persona pak para nisjes së ceremonisë.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar për KOHËN se personat u ndaluan për mosrespektim të urdhrave policorë.

Njëra nga urat e reja do të ketë gjatësi 51 metra dhe gjerësi 10 metra, me trotuare nga 1.5 metra, ndërsa tjetra do të jetë 41 metra e gjatë dhe 3.7 metra e gjerë.

Me këto dy ura të reja, numri i përgjithshëm i urave mbi lumin Ibër në Kosovë do të shkojë në 37.