LAJMET E MBRËMJES

Vetëvendosja gjysmë milioni euro më shumë të hyra se tri partitë opozitare bashkë

Sipas pasqyrave financiare të paaudituara, të hyrat e partisë në pushtet janë më të larta për më shumë se gjysmë milioni euro sesa të hyrat e tri partive opozitare së bashku. LVV-ja gjatë vitit të kaluar i ka deklaruar si të hyra 2 milionë e 53 mijë e 868 euro, PDK-ja 973 mijë euro, LDK-ja 526 mijë euro e AAK-ja 279 mijë euro. Si pasojë e dështimit të Kuvendit, për tre vjet rresht ka munguar auditimi i raporteve financiare të partive politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e paaudituara financiare të partive politike për vitin 2022. Por pasqyrave financiare të subjekteve u ka munguar auditimi nga auditorë të jashtëm, teksa KQZ-ja e ka bërë të qartë se ato mund të pësojnë ndryshime.

Sipas pasqyrave financiare, të hyrat e partisë në pushtet janë më të larta për më shumë se gjysmë milioni sesa të hyrat e tri partive opozitare së bashku.

Lëvizja Vetëvendosje, gjatë vitit të kaluar i ka deklaruar si të hyra 2 milionë e 53 mijë e 868 euro, ndërkaq ka shpenzuar 1 milion e 308 mijë e 147 euro.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas raportit, gjatë vitit 2022 ka realizuar të hyra në shumën prej 673 mijë e 710 eurosh, ndërkohë që ka shpenzuar 612 mijë e 638 euro.

E Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar 526 mijë e 200 euro të hyra e ka shpenzuar 428 mijë e 524 euro.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë vitit 2022, sipas këtij raporti, ka pasur 279 mijë e 700 euro të hyra, ndërsa ka shpenzuar 219 mijë e 370 euro.

Ndërkaq të hyrat e subjektit më të madh që përfaqëson serbët në Kuvend, për vitin 2022 kanë qenë 350 mijë euro.

Më 1 mars të çdo viti, KQZ-ja pranon raportet vjetore financiare të subjekteve politike. Këto raporte auditohen nga auditori i pavarur.

Partitë politike në vazhdimësi janë kritikuar për mungesë transparence sa i përket raportimit të të hyrave e shpenzimeve. Edhe mekanizmat e deritashëm të kontrollit nuk kanë qenë efikas. Ndryshime nuk pritet të ketë as pas ndryshimit të Ligjit për zgjedhje, i cili së shpejti pritet të dalë për shqyrtim në Kuvend.

“Ne e patëm këtë temë diskutimi. E diskutuam edhe në kryesi, kërkuam nga administrata që ky ligj të vijë. Problemi është te përkthimi, po besoj sot ose së paku të martën. Kryetari do ta adresojë. Janë disa aspekte që e kanë përmirësuar kryesisht aspektin teknik të zgjedhjeve. Mirëpo këto detajet financiare nuk janë trajtuar me sa di unë”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Si pasojë e dështimit të Kuvendit, për tre vjet rresht ka munguar auditimi i raporteve financiare të partive politike. Tek në verën e vitit 2021 ishte përzgjedhur kompania për auditimin e raporteve për tre vjetët paraprakë.

KOHA ka raportuar për parregullsi të shumta në raportet financiare të partive politike.

LVV-ja nuk kishte ofruar dokumentet mbështetëse për mbi 60 mijë eurot e shpenzuara në karburante gjatë viteve 2019 e 2020.

PDK-ja e AAK-ja kanë realizuar blerje duke anashkaluar procedurat e tenderimit.

Kurse LDK-ja shfrytëzon objektin për zyrë pa dokumente të pronësisë dhe pa marrëveshje të qirasë. LDK-ja, në kundërshtim me ligjin ka hapur më shumë se një llogari bankare.

E Lista Serbe kishte shpërndarë mijëra euro për OJQ-të joaktive.

KQZ-ja përcakton mjetet nga fondi për mbështetje të partive politike, të cilat ndahen në bazë të ulëseve apo përfaqësimit të fituar në Kuvend në atë mandat.

Partitë realizojnë të hyra edhe nga burime të tjera, përfshirë bizneset.