Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Ulutash: Që nga tetori 2025, situata në Kosovë është përgjithësisht e qetë

Ozkan Ulutash

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, e ka vlerësuar si të brishtë, por me potencial tensionimi situatën e sigurisë në veri të vendit. Këtë vlerësim, ai e ka ndarë me shtetet anëtare të NATO-s në një takim në Bruksel

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR, Ozkan Ulutash, e ka vlerësuar stabile situatën e sigurisë, nga tetori i vitit të kaluar kur e ka marrë detyrën për herë të dytë e deri tash. 
Megjithatë, siç ka raportuar REL-i, Ulutash u ka thënë ambasadorëve të shteteve anëtare të NATO-s në Bruksel se ka potencial për tensione në veri të vendit.

“Ne nuk kemi parë përsëritje të dhunës, siç kemi parë më 2023. Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçmas në veri të Kosovës”, tha Ulutash. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ulutash gjatë takimit me ambasadorët e ka theksuar si urgjente normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Në fund, stabiliteti varet kur të gjitha palët zgjedhin diplomacinë mbi dhunën. Rruga drejt paqes afatgjatë është politike, nuk është ushtarake. KFOR-i do të vazhdojë ta mbështesë këtë proces”, tha Ulutash. 

Kosova është përballur me dy sulme terroriste në dy vjet rresht. 

Më 2023, dhjetëra serbë me uniforma ushtarake u futën nga Serbia dhe kryen sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku vranë rreshterin Afrim Bunjaku.

Pak muaj më parë atë vit u lënduan 90 pjesëtarë të KFOR-it gjatë protestave të serbëve, po në Zveçan. 

E në vitin 2024 u sulmua kanali i Ibër-Lepencit, pas të cilit u ndërpre furnizimi me ujë për disa komuna e u rrezikua edhe funksionimi i Korporatës Energjetike të Kosovës. 

Për të tri rastet janë ngritur aktakuza ndaj disa serbëve e disa edhe janë dënuar në shkallë të parë.